Kryesore

AGORA. Pikëtakimi i lexuesit me shkrimtarin

               Publikuar në : 09:27 - 13/05/19 Liberale

Nën drejtimin e Arta Markut, në sallën Goethe të Teatrit Kombëtar Eksperimental, mbrëmjet e të mërkurave i kushtohen librit. Çfarë është Agoràja, çfarë ka në bosht, cilët janë protagonistët dhe për çfarë flitet aty… gazetarja rrëfen.

PSE AGORA

Agoràja në Greqinë e lashtë ishte strumbullari i qytetit, sheshi qendror me një specifikë të dallueshme nga qendrat e sotme. Ishte një zemër që pulsonte me funksionin e saj politik, filozofik, social… Mbi të gjitha në Agorà, filozofët shtronin për diskutim në publik, idetë e tyre… Kjo specifikë e Agoràsë ka qenë në pikënisje të idesë time për titullin e projektit tim.

Agoràja, në Tiranën bashkëkohore, është vendi i takimit me protagonistët e librit. Pra, autorë, shkrimtarë, përkthyes, njerëz të letrave janë në qendër të bisedës mbi një libër.

Këtu e 15 vjet të shkuara unë kam nisur për herë të parë “Bibliotekën” time në një tv privat. Dhe asokohe ideja për ta titulluar programin “Agorà” më joshte. Por, ndërsa vendosa ta titulloj “Bibliotekë, një titull me të cilin gjithnjë e më shumë ndihesha mirë, “Agoràja” më rrinte në një vend e pacënuar. Në studion televizive, tashmë prej 5 vjetësh në RTSH, si brenda një biblioteke, tërheqim nga raftet një libër e flasim për të. Me Agorànë dola jashtë, në një hapësirë tjetër, më të gjerë e mbi të gjitha me publik i cili ka gjithë të drejtën për të marrë pjesë në bisedë, ashtu siç ka ndodhur në fakt në dy takimet e para…

DERI TANI…

Për të parën herë folëm për librin ROSE WILDER LANE DHE SHQIPTARËT, një botim i UET press, i autores Eleni Laperi. Dhe padyshim që autorja ishte e ftuara në kësaj Agoràje. Po dal pak jashtë pyetjes për të thënë se në Agorànë e Greqisë së lashtë, gratë ishin të përjashtuara. Ato nuk kishin të drejtë as të ishin të pranishme e aq më pak të merrnin pjesë në diskutim. Përkundër kësaj ia kushtova Agoranë time bashkëkohore gruas, pra folëm me një grua për një grua. Rose Wilder Lane është një gazetare dhe shkrimtare amerikane që erdhi në Shqipëri në vitin 1921. Në fakt ajo nuk u nis nga Amerika me qëllimin që të qëndronte në Shqipëri. Për një rastësi ajo e devijoi rrugëtimin e saj dhe bëri një udhëtim në Dukagjin që u shndërrua më pas në një libër. Pra, Lane përshkroi vendin dhe njerëzit e atij vendi në librin e saj MAJAT E SHALËS që u bë nxitje për Eleni Laperin. Më ka bërë shumë përshtypje mënyra se si i përshkruan Rose Wilder Lane shqiptarët dhe do t’ju sjell një detaj që e kam gjetur në librin e Laperit: “Sjellja e tyre është e paparë; ata janë më ceremonialë së turqit apo se persianët… Ata kanë trupa të mahnitshëm, duar e këmbë të ndërtuara bukur, hollë, me thonj të përkryer në formë bajameje, fytyra të zgjuara, të këndshme, të gjalla, aq të pashme sa nuk ta përshkruaj dot… Zot, sikur të mundësh të marrësh një prej atyre burrave në Evropë, ta zbusësh e ne vajzave të na ecë fati me të! Ne nuk kemi burra të tillë që të kenë gjithë këto cilësi. Pasi i sheh ata nuk do të mund të shohësh kurrë ndonjë burrë amerikan apo evropian, pa u ndier mjerisht e mashtruar, që nuk u linde në një fis shaljan, në brigjet e lumit Shalë në Shqipëri…”

Përfundimisht, Roza, u dashurua me Shqipërinë dhe shqiptarët. Jetoi gjatë këtu, shkroi shumë për ne, birësoi madje edhe një fëmijë shqiptar. Kishte vendosur të jetonte këtu përgjithnjë, projektoi edhe banesën e saj, por rrethanat familjare e detyruan të kthehej në Amerikë.

Për të mos e zgjatur, konstatova me kënaqësi interesimin e publikut në Agorà për librin “Rose Wilder Lane dhe shqiptarët” dhe për protagonisten e këtij libri.

Takimi i dytë ishte me Besnik Mustafajn për librin LETRAT E MIA KREDENCIALE, botim i Toenës. Duke qenë se ky libër është një intervistë e gjatë që unë kam bërë me Mustafajn në vitin 2018, pata në fillim ndjesinë se pyetjet kishin mbaruar. Por zbulova se pyetjet për një shkrimtar nuk mbarojnë kurrë, sikurse nuk mbaron edhe krijimtaria, sikurse tek e fundit, vetë shkrimtari (njeriu) është një pus i thellë që nuk ia zbulon dot fundin… Pra kisha pyetje të reja. Mbi të gjitha, ishin pyetjet e publikut…

Në takimin e tretë që do të jetë këtë të mërkurë, pres në teatër Vera Bekteshin me librin e saj “VILA ME TRI PORTA”.

NË SALLËN GOETHE, NË TEATËR

Në Greqinë e lashtë, Agoràja ishte thellësisht e lidhur me hapësirat publike rrotull qendrës, tempujt, vendet e lojrave dhe teatrin. Por, përtej kësaj, unë e gjeta sallën Goethe të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” si hapësirën ideale të takimit për libra. Më magjepsi  intimiteti dhe ngrohtësia që ofronte teksa shkova të ndjek shfaqjen “Histori në kopshtin zoologjik”, me ç’rast ia vlen ta përmend përshtypjen e mirë që më krijuan gjetjet regjisoriale të Eni Janit dhe interpretimi i Genci Fugës e Kristian Koroveshit. Përshtypjet e shfaqjes, më përziheshin me përfytyrimin e takimeve që mund të bëja në të njëjtën sallë me shkrimtarët. Ia propozova idenë drejtorit të teatrit, Kiço Londos që vetë e ka ndërtuar atë sallë. Me kënaqësi të jashtëzakonshme konstatova gadishmërinë e tij për t’i bërë vend librit: Për libra po, – më tha Londo, pa hezitim. Kështu, brenda më pak se një jave e pashë veten përballë lexuesve, me të ftuarën time të parë në Agorà.

MË PAS NË AGORA

Agoràja, është mbështetur nga Ministria e Kulturës për një cikël prej 10 bisedash. E gjitha në kuadrin e përpjekjeve të këtij institucioni për të rilidhur fijen në mos të këputur, tejet të holluar, mes lexuesit dhe librit. E megjithatë vijimësinë e Agoràsë, si pikë takimi mes atyre që shkruajnë dhe atyre që lexojnë, unë e shoh edhe përtej… Libri ka nevojë për lexuesit dhe lexuesit kanë nevojë për bisedat mbi librat. Nuk më kujtohet se cili shkrimtar i njohur ka thënë: një libër i mirë është ai që më provokon pyetje dhe më nxit dëshirën që, menjëherë pasi e kam mbyllur faqen e fundit, të marr në telefon autorin dhe t’i bëj atij pyetjet e mia. Unë vetë, ndërsa e kam provuar gjithnjë dëshirën për ta takuar shkrimtarin dhe për t’i bërë atij pyetje, kam pikasur në anën tjetër,  nevojën e shkrimtarëve për t’i njohur lexuesit. Teksa shkrimtarët shkruajnë, lexuesit janë imagjinarë, janë të përfytyruar prej tij. Takimet ia bëjnë konkretë. Në Agorà lexuesit dhe autorët do të mund të takohen e të bisedojnë mes tyre në vazhdimësi./ Gazeta Liberale

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *