Editorial

Agnosticizmi i parë

Shkruar nga Liberale
Agnosticizmi i parë

Nga Klementin Mile

Replikë me Rudian Zekthin

Në shkrimin e tij të datës 6 tetor 2019, të botuar në gazetën “Panorama” me titullin “Laicizmi i dytë”, studiuesi Rudian Zekthi, duke marrë shkas nga tërmeti i 21 shtatorit, formulon disa teza kritike dhe apeluese në adresë të shoqërisë shqiptare. Kjo e fundit, pa dyshim, ka nevojë edhe të kritikohet edhe t’i bëhet apel. Por a është drejtuar në mënyrën e duhur kritika dhe apeli i Zekthit? A është nocioni i Zotit, të cilin ai e përkrah fuqimisht, zgjidhja e problemeve tona si individë dhe si shoqëri?

Le t’i marrim me radhë tezat kryesore të Zekthit. Teza 1: Kuptimi i tërmetit është përkujtim për fuqinë e Zotit dhe ndëshkim i hapur prej Tij për gjynahet e njerëzve. Ky pra, është tërmeti, një forcë madhore, por e Zotit, jo thjesht e natyrës. Zekthi kritikon mospërmendjen në publik të këtij përkujtimi të fuqisë së Zotit (çka, sipas tij, ishte kuptimi i tërmetit që përjetuam). Por a është ky kuptimi i vetëm i mundshëm i tërmetit, ndërkohë që përpjekjet e tjera nuk arrijnë t’i japin dot kuptim fenomenit, por vetëm funksion?

Këtë gjë pretendon Zekthi në tezën e dytë të tij. Teza 2: Në mungesë të përmendjes së Zotit, ligjërimi publik për tërmetin zbrazet nga kuptimi dhe vlera dhe i mbeten vetëm dy mundësi: përshkrimi si fakt (funksionalizimi) dhe përshkrimi i ndjesive të njerëzve të përfshirë nga tërmeti (personalizimi). Pra duke mos u mbështetur te nocioni i Zotit, projekti i kuptimdhënies bëhet i pamundur dhe degradon në funksionalizim dhe personalizim. Por funksioni, thotë me të drejtë Zekthi, nuk është kuptim. Po t’i referohemi një teoricieni të jashtëzakonshëm të shekullit XX, Niklas Lumanit, do të shohim se funksioni përkufizohet si këndvështrim për të krahasuar zgjidhjet e ndryshme të një problemi, ndërkohë që kuptimi gjenerohet atëherë kur aktualen e vëzhgojmë në kontekstin e potenciales, ose, thënë ndryshe, kuptimi është potencial i aktualizuar.

Por, edhe pse Zekthi ka të drejtë kur refuzon të vendosë shenjën e barazimit ndërmjet funksionit dhe kuptimit, ai nxitohet në konkluzionin e tij, sipas të cilit kemi nevojë patjetër të përmendim Zotin që ta shpëtojmë ligjërimin publik për tërmetin nga zbrazëtia kuptimore dhe vlerore. Për shembull, autori i kësaj replike, në shkrimin me titull “Kontrata natyrore”, të botuar në “Gazetën Liberale” të datës 28 shtator 2019, gjykon se ka arritur t’i japë një kuptim (jo funksion) tjetër tërmetit, pa patur nevojë të përmendë Zotin si agjenci. Çka, në asnjë mënyrë, nuk e përjashton ekzistencën e mundshme të Zotit, por vetëm përjashton domosdoshmërinë për t’iu referuar nocionit të Zotit për t’i dhënë kuptim një ngjarjeje madhore si tërmeti. Kështu, mund të thuhet se tërmeti është ontologjikisht një sinjal i qenies (në kuptimin hajdegerian të termit) drejtuar njeriut (si Dasein), që ky i fundit ta interpretojë dhe, rrjedhimisht, të kuptojë që përballë katastrofave natyrore, kontrata sociale e lidhur ndërmjet njerëzve nuk mjafton. Tërmeti, pra, është sinjali i qenies për nevojën që ndërmjet planetit Tokë dhe banorëve të tij të negociohet një kontratë natyrore.

Teza 3: Refuzimi i Zotit në hapësirën publike sjell, herët a vonë, refuzimin e kuptimeve për të gjithë. Këtë gjë nuk e sjell refuzimi individual i Zotit. Zekthi e privilegjon hapësirën publike kundrejt asaj private apo individuale, duke e konsideruar të parën, me të drejtë, si strukturuese të së dytës. Kështu, problemet strukturore të shoqërisë padyshim do të sjellin probleme te individët e prekur, edhe pse disa prej tyre mund të rezistojnë për një farë kohe. Ky argument, formalisht, qëndron. Veçse teza e tretë e Zekthit rrëzohet prej forcës së madhe me të cilën është shprehur. Asaj i mungon fleksibiliteti që do ta lejonte të përkulej, pa u thyer, përballë stuhisë së logjikës. Kështu, refuzimi i Zotit në hapësirën publike nuk sjell domosdoshmërisht refuzimin e kuptimeve për të gjithë. Kjo pasi, siç u dëshmua në trajtimin e tezës së dytë të Zekthit, për t’i dhënë kuptim ngjarjeve madhore që i tejkalojnë forcat njerëzore, të tilla si tërmeti, nuk është patjetër i nevojshëm nocioni i Zotit. Filozofia na ka pajisur me mjete alternative për t’i dhënë kuptim realitetit, pa u dashur të shkojmë te linja që përmend Zotin dhe problemin e së keqes në botë.

Teza 4: Individi dhe shoqëria heqin dorë kollaj nga kuptimet, mjaft që kjo dorëheqje të jetë eksituese. Kjo ka qenë gjithmonë e vërtetë për individin, tashmë po dëshmohet e vërtetë edhe për shoqërinë. Kjo tezë është e saktë. Ajo konfirmohet edhe nga preferenca e sotme për shijen kundrejt arsyes; pasi, ne (jo vetëm si individë, por edhe si shoqëri) kemi zbuluar një avantazh të madh të shijes: ajo gjykon më shpejt se arsyeja.

Teza 5: Prej refuzimit të Zotit rrezikojmë ta rishpikim tërmetin, në mënyrë që të ruajmë eksitimin, si të vetmen gjë që na mban gjallë. Është e vërtetë që ne rrezikojmë ta rishpikim tërmetin. Është gjithashtu e vërtetë që eksitimi, edhe pse jo e vetmja gjë që na mban gjallë, mbizotëron ndaj përdorimit të arsyes dhe kuptimdhënies. Por nuk është e vërtetë që ky rrezik na kanoset prej refuzimit të Zotit. Ne kemi gjetur mënyra të tjera për të besuar dhe për t’i dhënë kuptim realitetit. Shprehja e Niçes se “Zoti ka vdekur”, edhe pse në themel të laikes, nuk themelon domosdo laicizëm, sipas motos “meqë Zoti ka vdekur, gjithçka lejohet”. Kjo shprehje mund të vendoset po aq mirë në bazë të agnosticizmit.  “Tani që Zoti ka vdekur, asnjë nuk lejohet”./Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH