Aktualitet

Agjencia evropiane: Kultivimi i kanabisit në Shqipëri do të rritet

Shkruar nga Liberale
Agjencia evropiane: Kultivimi i kanabisit në Shqipëri do të

Qendra Evropiane për Monitorimin e Drogës, agjenci evropiane me qendër në Lisbonë parashikon se, kultivimi i kanabisit në Shqipëri për vitin 2020, do të rritet. Si shkak për këtë në raport thuhet se mund të jetë dhe rritja e çmimit pasi gjatë pandemisë tregjet e vendeve evropiane kanë pasur mungesë furnizimi.

“Pavarësisht se, prodhimi vijon, ekspertët raportojnë për mungesë dhe rritje të çmimit të kanabist në të gjitha nivelet e tregjeve. Rënia e pranisë së kanabisit në treg, mund të jetë një efekt i përkohshëm i masave ndaj COVID-19, ku përfshihen mbyllja e kufirit dhe distancimi social në vendet Evropiane. Në Shqipëri, që është një vend prodhues i kanabist për tregun Evropian, kultivimi pritet të rritet si rezultat i angazhimit të institucioneve ligjzbatuese në zbatimin e masave kundër COVID-19”, theksohet në raportin e EMCDDA, agjenci që shërben si “pikë reference” për përdorimin e drogës në vendet e BE-së.

Në një reagim mbi të dhënat e këtij raporti, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta u ka kërkuar Policisë së Shtetit, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Prokurorisë që të luftojnë fenomenin e kultivimit të kanabisit, duke e cilësuar si masë të domosdoshme.

“Raporti vjetor i Qendrës Europiane të Drogave i publikuar së fundmi, është një kambanë e fortë alarmi që duhet të zgjojë dhe t'i bashkojë të gjitha forcat e përpjekjet për të mos lejuar kurrë më përsëritjen e këtij fenomeni kanceroz për shoqërinë, që aq shumë e ka dëmtuar imazhin e Shqipërisë. Lufta kundër kanabisit është kusht për integrimin evropian dhe çdo neglizhencë në këtë drejtim do kishte pasoja tepër të rënda për të ardhmen e vendit”, shprehet presidenti Meta.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH