Politikë

Adriatik Llalla, si një libër i hapur për të lexuar Sali Berishën

Shkruar nga Liberale
Adriatik Llalla, si një libër i hapur për të lexuar Sali

Alfred Peza

Vetëm tani pas dënimit me burg të ish Prokurorit të Përgjithshëm, mund të kuptohet më qartë nga të gjithë, sjellja e opozitës shqiptare gjatë viteve të fundit. Lufta e saj kundër sistemit politik të vendit, qasja ekstreme përballë mazhorancës socialiste dhe konflikti i hapur me SHBA dhe BE. E gjitha çfarë kulmoi këtë javë kundër Adriatik Llallës, është tashmë një libër i hapur të cilin kushdo që dëshiron, mund ta lexojë për të kuptuar në mënyrë shteruese sjelljen e lidershipit të opozitës shqiptare gjatë 4 viteve të fundit.

Sa ishte në pushtet, Sali Berisha hyri në konflikt të hapur me ish Kryeprokuroren e Republikës që kishte zgjedhur vetë, akt që kulmoi publikisht pas 21 janarit 2011. I gjendur përballë filmimeve që tregonin vrasjen e 4 protuestuesve të pafajshëm jashtë rrethimit të Kryeministrisë, e vetmja rrugë për ti shpëtuar ndëshkimit nga drejtësia, i mbeti prishja e provave filmike të institucionit, moszbatimi nga policia i urdhër arresteve të zinxhirit komanues të Gardës së Republikës dhe hyrja në luftë me Ina Ramën dhe Presidentin Bamir Topi.

Ilir Meta që ishte bashkryetar i koalicionit qeverisës me PD, ishte kapur më parë me “bllokun e korrupsionit” në dorë me zë dhe figurë, duke nxitur një reagim popullor që çoi në dorëheqjen e tij. Qëndrimi refraktar i mazhorancës së atëhershme, çuan në protestën e madhe popullore në bulevard, e cila përfundoi tragjikisht. Në vend që ti hapte rrugën hetimeve dhe një procesi të paanshëm, për të dhënë drejtësi për viktima, Sali Berisha e Ilir Meta zgjodhën rrugën e konflikit me sistemin e drejtësisë.

Ky ishte momenti kur koha thirri në skenë Adriatik Lallën, i cili ishte i zgjedhuri i kreut të PD e LSI, për të mbyllur më pas praktikisht çdo aferë që kishte lidhje me ta dhe me rrethin e bashkëpunëtorëve të tyre më të afërt. Pas kësaj brenda vitit 2012 Bujar Nishani u zgjodh President i Republikës dhe në krye të Shërbimit Sekret Shqiptar (SHISH) Visho Ajazi. Rrethi i kontrollit mbi të gjitha institucionet e drejtësisë e sigurisë, që mund të rrezikonin karrierën politike të Sali Berishës dhe Ilir Metës, sapo ishte mbyllur. Por kjo nuk zgjati shumë, sepse në 23 qershor 2013, opozita u rikthye në pushtet.

Mazhoranca e udhëhequr nga PS, e caktoi si kryeprioritetin e programit të saj qeverisës, Reformën në Drejtësi. Ajo u mbështet fuqimisht nga SHBA dhe BE, të cilët kërkonin që ti jepej fund edhe në Shqipëri, kulturës së pandëshkueshmërisë. Garanti për paprekshmërinë e lidershipit të vjetër të korruptuar e të kriminalizuar të opozitës, mbetej Prokurori i Përgjithshëm, i cili u bë edhe flamurmbajtësi i rezistencës për mosshembjen e sistemit të vjetër të drejtësisë.

Me këtë mund të shpjegohet edhe rezitenca e PD e LSI, kur sulmuan me flakadanë godinën jashtë dhe sallën brenda të Parlamentit, në momentin e shkarkimit të Adriatik Llallës. Pak javë më pas, ai u shpall “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për akte madhore korrupsioni gjatë kohës së ushtrimit të funksioneve të larta publike. Më shumë sesa ish Kryeprokurori, ishte Sali Berisha dhe Ilir Meta sëbashku me propogandën e tyre, ata që nisën ta mbronin atë përmes teorive konspirative. Vetëm tani kuptohet, se duke mbrojtur Adriatik Llallën, ata thjeshtë po kërkonin që të mbronin veten.

Të mbetur pa “imunitetin” e dikurshëm të garantuar nga Kryeprokurori, sa më shumë që avanconte projekti i ndërtimit të institucioneve të reja të drejtësisë, aq më shumë përshkallëzohej lufta politike e lidershipit të opozitës. Gjë që çoi në djegien e mandateve të deputetëve, nisjen e “revolucionit të molotovëve”, çdekretimin e zgjedhjeve lokale dhe bojkotin e tyre. Qëllimi ishte që të nxisnin një krizë artificiale nga lart përmes tensionimit dhe destabilizimit të sistemit politik të vendit, në mënyrë që ta detyronin mazhorancën dhe faktorin ndërkombëtar, që të ulej në tavolinë për një pazar.

Vijimi i punës së Parlamentit, zhvillimi i zgjedhjeve lokale të 2019 dhe ngritja e funksionimi i të gjitha institucioneve të reja të drejtësisë, i dha fund këtij skenari. Qytetarët ia vendosën notën sjelljes politike të opozitës, me votë në kutitë e votimit, në zgjedhjet e 25 prillit. Shqiptarët e kishin kuptuar se prapa asaj që ndodhi, qëndronte Sali Berisha dhe Ilir Meta, ndaj nuk ia dhanë mundësinë PD e LSI që të riktheheshin në pushtet.

Tani që është shpallur “non grata” si dikur Adriatik Llalla, i bën qytetarët të shohin tek ish Kryeprokurori, edhe fatin e ardhshëm të Sali Berishës. E pas tij, edhe të Ilir Metës, që është shkarkuar nga Parlamenti si President, në pritje të vendimit final për këtë nga Gjykata Kushtetuese. Nuk do shumë mend për ta parë fundin e tyre, mjafton që të lexojmë librin e hapur që sapo na dhuroi publikisht të gjithëve, Adriatik Llalla këtë javë!

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH