Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi dënimin për ish-drejtorin e Radio Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllçit. Ai u dënua nga Gjykata më 2 qershor të këtij viti me 2 vjet heqje lirie për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsion në tendera.
Gëllçit iu zbrit 1/3 i dënimit duke u dënuar përfundimisht me 1 vit dhe 4 muaj burgim. Në gusht, GJKKO pranoi kërkesën e avokatit Dorian Matlia për lirimin e tij për shkak se i kanë mbaruar afatet e dënimit. Gëllçi tani vuan vetëm heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një afat kohor 5-vjeçar.
Së bashku me Gëllçin ranë në pranga edhe 3 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Ervin Muraj, Alban Malaveci dhe Julian Tapia. Apeli i Posaçëm konfirmoi vendimin edhe për këto shtetas, që u dënuan përfundimisht me 1 vit e gjashtë muaj.
Të arrestuarit dyshohen se kanë shkelur ligjin, kur në garën me dy kompanive kanë skualifikuar njërën dhe kanë shpallur fituese tjetrën, në një kohë që sipas dokumentacionit, asnjëra prej tyre nuk duhet të kualifikohej.