Koment

A po bëhet Amerika fashiste?

               Publikuar në : 10:30 - 18/01/20 Daron Acemoglu

Daron Acemoglu

Nacionalizmi i bardhë është në rritje në Shtetet e Bashkuara. Sipas Ligës Anti-Shpifje, në SHBA në vitin 2018 dhe 2019 pati 6,768 incidente ekstremizmi dhe antisemitizmi (kryesisht nga e djathta). Kjo shifër është dukshëm më e lartë sesa në vitet e kaluara, duke bërë që shumë të arrijnë në përfundimin se presidenti Donald Trump është fajtor për rritjen në ekstremizmin e brendshëm.

Që nga fillimi i fushatës së tij presidenciale në vitin 2015, Trump ka inkurajuar hapur dhe fshehtas dhunën nga mbështetësit e tij. Pasi një supremacist i bardhë, James Alex Fields Jr., e drejtoi makinën e tij drejt kundërprotestuesve në Charlottesville, Virxhinia, duke vrarë një dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë, Trump tha se kishte “në të dyja palët kishte disa njerëz shumë të mirë”. Dhe ai nuk i është larguar retorikës raciste kur përshkruan vendet afrikane dhe madje edhe anëtarët jo të bardhë të Kongresit.
Fjalët e Trump kanë pasoja.

Përveç vrasësit të Charlottesville, disa nacionalistë të tjerë të bardhë të profilit të lartë, të cilët kanë kryer akte dhune ose terrorizmi, kanë thënë se ata janë frymëzuar nga presidenti. Këta përfshijnë Cesar Sayoc Jr, i cili u dërgoi bomba demokratëve të shquar, përfshirë ish-presidentit Barack Obama dhe kundërshtares së Trump në vitin 2016, Hillary Clinton; Robert Bowers, i cili vrau 11 njerëz në një sinagogë të Pittsburgh; dhe Patrick Crusius, i cili vrau 22 persona në El Paso. Hulumtimi i ri nga ekonomistët Karsten Müller nga Universiteti Prinston dhe Carlo Schëarz nga Universiteti Uaruik bën një lidhje të drejtpërdrejtë shkakore midis postimeve të ndryshme anti-myslimane nga ana e Trump dhe krimeve të urrejtjes anti-myslimane.

Për shkak të prirjes së Trump për të nxitur dhunë dhe për të shtrembëruar të vërtetën, shumë kanë arritur në përfundimin se ai është një fashist. Më keq akoma, Trump kërkon të deligjitimizojë institucionet demokratike dhe procedurat burokratike të paanshme, jo vetëm për të izoluar marrëdhëniet e dyshimta të biznesit të tij dhe të familjes së tij, por si një strategji për të rritur fuqinë dhe autoritetin e tij personal. Fashistët italianë dhe nazistët përdorën vazhdimisht strategji të ngjashme nga vitet 1920 e në vazhdim.
Por do të ishte gabim t’i ekzagjerojmë këto ngjashmëri. Si fillim, fashizmi midis dy luftërave nuk mund të kuptohet pa “një shtresë komunizmi”, të cilin shumë gjermanë dhe italianë të klasës së mesme e konsideruan një kërcënim ekzistencial. Sot nuk ka asnjë kërcënim të tillë. Zgjedhja e Obamës si presidenti i parë me ngjyrë i Amerikës përforcoi frikën e ekstremistëve se popullata e bardhë e Amerikës po “zëvendësohet”. Por teori të tilla komploti nuk mund të krahasohen me kërcënimin real që përbënte komunizmi pas revolucionit bolshevik të Rusisë në vitin 1917.

Së dyti, në epokën e pas Luftës së Parë Botërore, të rinjtë e traumatizuar, të zhgënjyer dhe të lodhur nga lufta përbënin një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së shumë vendeve. Ndërsa shumë veteranë të Irakut dhe Afganistanit kanë pësuar trauma të ngjashme (dhe disa janë mbështetës të fuqishëm të Trump), ata nuk kryesojnë as shifrat dhe as nuk kanë ndikimin politik që kishin homologët e tyre midis luftërave.
Së treti, pavarësisht retorikës dhe përpjekjeve të tij për të kërkuar ndihmën e vendeve të tjera në fushatën e tij për t’u rizgjedhur si president, Trump ende nuk është përpjekur ta konsolidojë pushtetin e tij me mjete jo zgjedhore. Kjo mund të ndryshojë nëse ai humbet përballë sfiduesit demokrat në nëntor.
Së fundmi, ndërsa mbështetja e pakushtëzuar e Partisë Republikane për Trump është jashtëzakonisht e ngjashme me sjelljen e politikanëve të qendrës së djathtë, të cilët mbështetën Benito Mussolinin dhe Adolf Hitlerin, nuk ka asgjë fashiste te politikanët pa parime që sillen në mënyrë të pandershme.

Kjo është e rëndësishme, sepse ka vërtet rëndësi nëse dikush e quan Trumpin fashist, në krahasim me përdorimin e një etiketimi tjetër. Një mandat i dytë për Trump do të përbënte një krizë ekzistenciale për institucionet amerikane. Forcat që kanë penguar axhendën e tij – në mënyrë më kritike, qytetarët e mobilizuar – do të bëheshin më pak të fuqishëm ndërsa sundimi i tij normalizohet akoma më tej. Konventat politike do të dëmtoheshin akoma më tej sesa në mandatin e parë të Trump. Sistemi politik, përfshirë ai gjyqësor, mund të polarizohet në mënyrë të pariparueshme.

Por polarizimi partiak dhe shkatërrimi i çdo baze të mesme për kompromis janë armë kryesore në luftën e vetë Trump kundër institucioneve që kanë për qëllim ta mbajnë atë nën kontroll. Ata që e etiketojnë atë dhe mbështetësit e tij si fashistë thjesht po e thellojnë përçarjen. Dhe po deligjitimizojnë ankesat (shpesh të vlefshme) të miliona amerikanëve, shumica e të cilëve nuk kanë asnjë lidhje me nacionalizmin apo ekstremizmin e bardhë.
Strategjitë më premtuese për t’i rezistuar dhe mposhtur Donald Trump nuk i ngjajnë atyre që kërkohen për të luftuar lëvizjet fashiste të shekullit XX. Pasi Mussolini dhe Hitleri morën pushtetin, nuk kishte asnjë mënyrë për t’i ndalur ata duke punuar brenda sistemit. Ndryshe nga kjo, mënyra më efikase për të luftuar Trump është përmes kutisë së votimit.

Atëherë, mënyra më e mirë është me një strategji të dyanshme. Së pari, demokratët (dhe të gjitha palët e tjera të interesuara) duhet të gjejnë një mënyrë më të mirë për të komunikuar me miliona njerëz që votuan për Trump sepse ata u ndjenë – dhe, në shumë raste, kjo ishte e vërtetë – të lënë pas ekonomikisht dhe të shpërfillur politikisht. Çdo lëvizje që i kthen shpinën këtyre amerikanëve, jo vetëm që zvogëlon shanset e veta për të fituar pushtetin politik, por edhe thellon polarizimin që i ka lejuar Trumpit të veprojë me pothuajse carte blanche. Po, shumica e mbështetësve të Trump nuk do të kalojnë lehtësisht në mbështetje të kandidatit demokrat në vitin 2020. Por megjithatë është e rëndësishme që kandidatët demokratë t’i njohin shqetësimet e këtyre zgjedhësve dhe të fillojnë të ndërtojnë ura për ta.

Së dyti, demokratët duhet të fitojnë me vendosmëri. Përndryshe, Trump dhe mbështetësit e tij do të pretendojnë se iu vodhën zgjedhjet. Një fitore dërrmuese demokratike është e nevojshme për t’i sinjalizuar vendit se shumica e amerikanëve kundërshtojnë axhendën shkatërruese të Trump, mosrespektimin e institucioneve politike amerikane dhe retorikën polarizuese.
Nuk është tepër vonë për të adresuar ankesat e amerikanëve dhe për të rindërtuar institucionet e vendit. Por kjo nuk do të jetë e mundur në një mjedis të polarizuar politikisht dhe akuzat për fashizëm do ta bëjnë këtë mjedis akoma më pak mikpritës për kundërshtarët e Trump.

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back