Kryesore

A mundet që sistemin e Kosovës ta marrin akoma si shembull pozitiv?

               Publikuar në : 09:24 - 03/07/20 Ervis Iljazaj

Ervis Iljazaj

Propozimi për të ndaluar koalicionet me kushtetutë,  është një ide absurde dhe e padëgjuar ndonjëherë në teoritë politike dhe kushtetutese. Në rastin më të mirë  ky propozim vjen nga padituria, ndërsa në rastin më të keq vjen nga keqpërdorimi i disa njërzve që rastësisht janë deputetë, të cilët as nuk e kuptojnë se cfarë po propozojnë.

E drejta e partive të ndryshme për të zgjedhur aleatët në garën për pushtet është një e drejtë natyrore e politikës që nga koha kur ka lindur për herë të parë demokracia përfaqësuese. Koalicionet jo vetëm që janë një e drejtë e çdo force politike, por mbi të gjitha,  një instrument demokratik.

A ka  akt më demokratik se sa kur forcat politike  bëjnë të qartë për qytetarët se si do të jetë qeveria pas zgjedhjeve?!

E kundërta është e dëmshme për demokracinë. Ndalimi i koalicioneve parazgejdhore do ta kthente formimin e qeverisë në një pazar të pastër, pasi vështirë se një forcë e vetme në zgjedhjet e ardhshme do të mund të marrë shumicën e vëndeve në parlament. Në këtë kuptim, formimi i qeverisë do të kthehet në një ankand postesh dhe pushtetesh  të pa legjitimuara nga vota e qytetarëve.

Paradoksi i këtyre propozimeve është fakti se, ato ndonjëherë mbështen edhe nga zëra publik, të cilët kritikojnë Lulzim Bashën dhe Edi Ramën për një marrëveshje të mundshme midis tyre. Ndërkohë që, me ndalimin e koalicioneve i japin në dorë atyre pikërisht instrumentin e një marrëveshje të mundshme pas zgjedhore për të formuar qeverinë së bashku. Megjitahtë, kjo është vetëm një hipotezë, por jo e pamundur.

Më interesant është fakti se këto propozime, ashtu sikurse shprehen ata që i kanë bërë , janë frymëzuar nga shembulli i Kosovës. Në fakt, nëse ka një shembull që tregon që mungesa e koalicioneve në një sistem politik multipartiak është i dëmshëm për demokracinë, është pikërisht ai i Kosovës. Mungesa e koalicioneve para zgjedhore në Kosovë  bëri të mundur që qeveria të formohej pas dy muajsh negociata midis Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, dhe në të njëjtën kohë, që ajo qeveri të zgjaste vetëm tre muaj, duke krijuar kështu një paqëndrueshmëri qeverisje në dëm të qytetarëve të Kosovës. Se si shëmbulli i Kosovës mund të merret në Shqipëri akoma si shembull suksesi, kur faktet tregojnë totalisht të kundërtën, kjo është një gjë e pakuptueshme.

Të gjitha këto propozimë absurde, përfshi këtu dhe propozime të disa sistemeve zgjedhore që fragmentizojnë në mënyrë të skajshme politikën shqiptare, vjen si pasojë e mendimit se demokracia është vetëm përfaqësim. Mirëpo, pertëj përfaqësimit, demokracia është edhe vendimarrje, e cila përkthet në llogaridhënie dhe gjykim i qartë nga ana e qytetarëve. Sistemet zgjedhore, apo formula të garës politike që kanë të bëjnë me të kanë dy funksione. E para të garantojnë sa më shumë të jetë e mundur përfaqësimin e rrymave të ndryshme shoqërore. Dhe e dyta, të garantojnë një qeveri të qëndrueshme. Prandaj, vende të rëndësishme dhe demokratike kanë sisteme zgjedhore që kombinojnë këto dy aspekte. Nëse garantohet vetëm njëra prejt tyre, atëherë mekanizmat e përfaqësimit dhe qeverisjes nuk do të funksionojnë sic duhet.

Propozimet që bëhen sot në debatet publike për sistemet zgjedhore, janë propozime të cilat e kalojnë situatën nga një ekstrem në ekstremin tjetër, sic është natyrë e shoqërisë shqiptare për fat të keq.   Është e vërtetë që me sistemin që kemi sot ka një kryetarokraci të theksuar, por duhet të tregohemi të kujdesshmë që ndryshimi i sistemit nuk do të sjellë një deputetokraci. Si kryetarokracia si deputetokracia janë njësoj të dëmshme për politikën dhe demokracinë shqiptare. Shqipëria nuk ka nevojë për një sistem, si ai proporcionalit kombëtar pa prag, i cili mund të sjellë në parlament 30 parti , dhe ku tre apo katër deputetë mund të rrëzojnë dhe formojnë qeveri  të reja sa herë të duan at,a si një një pazar i hapur kostant.

Shqipëria ka nevojë për një rrugë të ndërmjetme, sepse ekstremet janë gjithmonë të dëmshme. Një sistem i cili të kombinojë qëndrueshmërinë e qeverisë dhe përfaqësimin, apo të kombinojë pushtetin e kryetarit, pra vendmarrjes, me preferencat e qytetarëve. Një sistem i cili garanton këto elementë mund të jetë ky që kemi, por me lista të hapura. Por kjo është vetëm një ide, si shumë të tjera të mundshme. /Gazeta Liberale

 

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back