Globi

A mundet që nëpërmjet zërit të diagnostikohen sëmundjet?

Shkruar nga Liberale
A mundet që nëpërmjet zërit të diagnostikohen

Ekspertët e kanë ditur prej kohësh se zëri i një personi mund të japë informacione të rëndësishme për shëndetin emocional, fizik dhe mendor. Tashmë, një projekt i financuar nga qeveria amerikane po mbledh dhe po analizon zërat e mijëra personave, si dhe po përdor inteligjencën artificiale për të diagnostikuar sëmundjet.

Mjekja Yael Bensoussan po ekzaminon kordat zanore të një pacienti.

Në Qendrën Mjekësore për Zërin në Universitetin e Floridës Jugore, trajtohen pacientë me një gamë të gjerë çrregullimesh zanore, si p.sh. në pjesën e sipërme të rrugëve të frymëmarrjes, me çrregullime zëri apo edhe në gëlltitje.

Rishtazi, ajo po ndihmon në drejtimin e një projekti për të krijuar një bankë të dhënash me 30 mijë regjistrime zërash njerëzorë, dhe për t’i përgatitur kompjuterat që të pikasin sëmundjet nëpërmjet ndryshimeve në zërin e njeriut.

“Nuk është vetëm për mbledhjen e këtyre të dhënave, por edhe për të hartuar udhëzimet se si do të ndahen këto të dhëna, si duhet të mblidhen këto të dhëna, dhe si t’i përdorim ato në të ardhmen për punë kërkimore në fushën e inteligjencës artificiale”, thotë zonja Bensoussan.

Ajo punon me një ekip prej 45 hulumtuesish nga 12 vende të ndryshme në Amerikën e Veriut dhe me një kompani të re në Evropë.

Ata studiojnë mostrat e zërave për t’i ndihmuar të pikasin sëmundje, si Parkinsonin, kancerin, dhe çrregullime si ngrirja e kordave të zërit.

Ekipi studion gjithashtu çrregullimet emocionale, si depresionin dhe ankthin.

“Pra, kur dikush është në depresion, ka mërzitje dhe ankth, sigurisht që ndryshon edhe e folura”, thotë zonja Bensoussan.

Studimi është një ndër katër studimet për mbledhje të dhënash të financuara nga programi për inteligjencën artificiale të Institutit Kombëtar të Shëndetit, që synon të përdorë inteligjencën artificiale për të trajtuar sfida komplekse bio-mjekësore.

“Kuptuan se kemi një hendek të madh mes teknologjisë që kemi të disponueshme, njohurive klinike dhe mjeteve që përdorim për kujdesin klinik nëpër spitale”, thotë mjekja.

Gjatë studimit duhet ruajtur privatësia e pjesëmarrësve.

“Duhet të mendojmë për rregullat etike që shoqërojnë mbledhjen e zërave të njerëzve. Dhe se si do të ruajmë privatësinë”, thotë Grace Peng, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit.

Në studim do të regjistrohen pjesëmarrësit e parë gjatë vitit të ardhshëm.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH