Editorial

A mund të nxisë pandemia, futjen e të ardhurave themelore universale?

Shkruar nga Liberale
A mund të nxisë pandemia, futjen e të ardhurave themelore

The Economist

Kur Andrew Yang e nisi fushatën e tij për emërimin si kandidat për president në radhët e demokratëve, propozimi i tij për një “Dividend të Lirisë” – pagesa mujore prej 1.000 dollarësh për çdo amerikan – e dalloi atë nga kandidatët e tjerë në garë.

Gati 2 vjet më pas, ndërsa zoti Yang po garon për kreun e bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, plani i tij për të siguruar të ardhura për gjysmë milioni njujorkezë, duket shumë më pak radikal se më parë, dhe kjo jo vetëm sepse ky plan është shumë më modest sesa ideja e tij për Ardhurat Universitare Bazë në nivel kombëtar (UBI).

Megjithëse UBI po ndeshet ende skepticizëm në shumë qarqe, përvoja e pandemisë aktuale, dhe rritja e madhe e shpenzimeve sociale, e kanë ndryshuar tonin e diskutimeve rreth reformave rrënjësore në sistemin e mirëqenies sociale.

Transfertat e parave – si ato që zbatuan shumë qeveri gjatë pandemisë – janë dukur si një mënyrë efektive për të përmbushur shumë nevoja akute të shoqërisë. Shumë pak skema të ndihmës financiare gjatë pandemisë, ofruan pagesa të përsëritura për të gjithë.

Gjithsesi, ndonëse nuk ka perënduar ende epoka e UBI, kalvari i vuajtjeve që na ka imponuar Covid-19 mund ta ketë sjellë atë më afër. Argumentet në favor të të ardhurave universale për të gjithë, kanë lulëzuar ndër shekuj.

Kështu Thomas Paine argumentonte se Toka është një pronë e përbashkët, dhe të gjithë ata që shfrytëzojnë tokën dhe burimet e saj, i detyrohen shoqërisë një “qira të tokës”, e cila duhet të financojë pagimin e një “trashëgimie natyrore” për të gjithë të rriturit.

Planet për pagesa universale, dhe ideja shumë e ndryshme për një të ardhur minimale të garantuar, ishin një tipar i përsëritur i debateve mbi sistemet e mirëqenies sociale gjatë shekullit XX-të. Por nga fundi i shekullit, shqetësimet në lidhje me normat vazhdimisht të larta të papunësisë në pjesën më të madhe të Evropës, nxitën reforma që i bënë përfitimet më të vogla ose më të kushtëzuara nga puna.

Shqetësimet mbi pabarazinë dhe besimin – sidomos midis llojeve të teknologjisë – se robotët dhe inteligjenca artificiale mund të lërë pa punë shumë punëtorë, çuan në një interes të ri për të ardhurat themelore në vitet 2010. Megjithatë propozimet konkrete ishin të pakta, me gjithë ofertën presidenciale të zotit Yang.

Në vitin 2016, një referendum i zhvilluar në Zvicër mbi një plan për t’u paguar të gjithë të rriturve një të ardhur të pakushtëzuar prej rreth 2.500 dollarë në muaj u refuzua nga gati 80 për qind e votuesve. Pastaj erdhi Covid-19. Kufizimet e aktiviteteve vendosën grupe të mëdha të shoqërisë në një pozitë shumë të vështirë ekonomike.

Qeveritë reaguan duke shpërndarë sasi të mëdha parash. Nga mesi i marsit deri në mesin e qershorit 2020, më shumë se 1.1 miliard njerëz morën pagesa në para, shumë nga të cilat ndeshën shumë pak kundërshtime politike. Sipas Bankës Botërore, transfertat e parave të gatshme, përbënin rreth një të tretën e të gjitha politikave të mbrojtjes sociale të lidhura me pandeminë.

Kongresi Amerikan, miratoi marsin e vitit të shkuar një paketë financiare ndihme, ku të rriturit me një kufi të caktuar të ardhurash përfituan nga 1200 dollarë (një raund tjetër ndihme pasoi në fund të vitit të shkuar).

Banorët e Hong Kongut morën pagesa me vlerë gati 1.300 dollarë secili; ata në Japoni nga rreth 950 dollarë; ndërsa shumica e të rriturve në Singapor morën afërsisht nga 425 dollarë. Disa qeveri eksperimentuan me pagesa që mund të përdoren vetëm në një vend, përmes kuponave (si në Maltë),apo kartave të debitit (si në disa pjesë të Koresë së Jugut). Por shumica thjesht shpërndanë para në dorë.

Megjithëse pak nga këto skema ofronin një të Ardhur Universale Bazë të vërtetë. Në botën e pasur, shumica e programeve të ndihmës ishin transferime të njëhershme, që synonin stimulimin e konsumit dhe zbutjen e krizës nga rënia e të ardhurave.

Tani ndërsa gjendemi më pranë fundit të fazës më akute të pandemisë, dhe po rifillon ngadalë aktiviteti ekonomik normal,numri i programeve sociale po zvogëlohet. Vetëm 7 për qind e politikave të tilla janë zgjatur në kohë. Sipas Bankës Botërore, skema mesatare zgjati vetëm 3 muaj.

Në përgjigje të rritjes së interesit për UBI, studiuesit dhe qeveritë në të gjithë botën filluan një sërë eksperimentesh, dhe të paktën disa prej të cilave kishin filluar të jepnin rezultate edhe përpara mbërritjes së Covid-19. Për shembull, Finlanda, kreu një eksperiment në vitet 2017-2018, në të cilin 2.000 finlandezëve të papunë të zgjedhur në mënyrë rastësore iu paguan të ardhurat modeste çdo muaj, gati të barabarta për nga vlera me përfitimet e papunësisë, e cila ishte e garantuar për gjithë periudhën e provës.

Eksperimenti u sabotuan disi nga një ndryshim në një ligj në vitin 2018, që forcoi kushtëzimet për marrjen e përfitimeve të papunësisë. Por edhe në këtë formë, rezultatet janë intriguese. Ndër shqetësimet më të mëdha në lidhje me UBI, është frika se ai mund të dekurajojë përfituesit që të kërkojnë një punë të paguar.

Megjithatë, pjesëmarrësit që morën pagesa të pakushtëzuara punuan në fakt më shumë sesa ata që ishin në një gjendje financiare më të mirë. Mirëqenia e raportuar ishte dukshëm më e lartë në mesin e grupit eksperimental. Përfituesit raportuan nivele më të ulëta të depresionit dhe stresit, një shkallë më të lartë të besimit në aftësitë e tyre, dhe më shumë besim tek shoqëria sesa ata në grupin e kontrollit.

Rezultatet finlandeze janë përgjithësisht në përputhje me gjetjet nga eksperimentet e tjera. Rebecca Hasdell, atëherë e Laboratorit të të Ardhurave Themelore në Universitetin Stenford, kreu një përmbledhje të 16 studimeve me të ardhura themelore të botuara midis viteve 2009- 2019, që mbuluan vendet e pasura dhe të varfra. Hulumtimi ofron dëshmi të qëndrueshme të një efekti pozitiv në arritjet arsimore dhe në masat e shëndetit fizik dhe mendor, si dhe reduktimin e varfërisë.

Efektet e pjesëmarrjes në tregun e punës janë përgjithësisht të vogla; gjysma e studimeve që vlerësojnë ndikimin e saj nuk gjejnë një efekt statistikisht të rëndësishëm. Shumica e pjesës tjetër, gjejnë një efekt pozitiv tek kjo skemë, shkruan ajo

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH