Editorial

A mund të na e sigurojë dot jetën shteti?

Shkruar nga Liberale
A mund të na e sigurojë dot jetën shteti?

Ervis Iljazaj

Tërmeti i 26 nëntorit tregoi një të vërtetë shqetësuese për shoqërinë shqiptare, se ajo është shumë e ekspozuar ndaj reziqeve të natyrës dhe sigurisë së jetëve të njërzve në përgjithësi. Shteti , i cili duhet ti sigurojë  jetën  qytetarëve si arsyeja kryesore e ekzistencës së tij, u gjend totalisht i papërgatitur. Jo vetëm në momentin e emergjencës, ku ndërhyrjet dhe operacionet e shpëtim kërkimit nga strukturat e shtetit shqiptar ishin pothujase në mënyrë primitive, ku falenderimi i vetëm  i shkon gatishmërisë së punojsve të atyre strukturave që nuk u kursyen në snjë cast duke rrezikur në ndonjë rast dhe jetën e tyre,   por sidomos përpara fatkeqësisë, shteti shqiptar nuk e justifikoi ekzistencën e tij, atë të mbrojtjes së jetës së qytetarëve.

Nuk ka asnjë shqiptar që nuk e di se ndërtimet në Shqipëri, sidomos në ato zona që  u prekën nga tërmeti, zona e kënetës dhe plazhit të Durrësit janë bërë pa asnjë kriter , madje janë zona ku nuk mund të ndërtohej në asnjë mënyrë. Ndërtimet në këto zona janë bërë me lejen e plotë të shtetit shqiptar, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve të tij, ashtu sikurse fatkeqësisht ndodhi.

Sigurisht, që fatkeqësive dhe forcës së natyrës nuk ka shtet në botë që ti bëjë ballë plotësisht, por një shtet serioz dhe që ka si synim kryesor mbrojtjen e jetës së qytetarëve të tij merr të gjitha masat për të evitur dhe reduktuar rreziqet nga fatkeqësitë natyrore.

Shtet-kombet janë një koncept shumë i vonshëm që justifikojnë ekzistencën e një shteti , ku elementë bazë të tij janë një etni e përbashkët, kulturë e përbashkët dhe një territor i përbashkët, të cilat shprehen nëpërmjet simboleve të përbashkëta si flamuri apo zakoneve te perbashketa. Në fakt, filozofikisht, antropologjikisht dhe historikisht ekzistenca dhe krijimi i shteteve ka të bëjë me mbrojtjen dhe sigurimin e jetës së njërzve. Njerzit dolën nga gjendja natyore e tyre dhe kaluan në një shoqëri civile duke krijuar një mbistrukturë që quhet shtet, pikërisht për faktin se në atë gjendje nuk kishte siguri për jetën.

Në këtë kuptim, i deleguan pushtetin e tyre shtetit për ti siguruar jetën, por edhe për të siguruar drejtësi. Këto janë dy arsyet kryesore se përse njërzit kaluan nga gjendja natyrore në një shoqëri civile.

Prandaj gjykatat, policia, ushtria, shëndetësia, dhe cdo strukturë dhe mekanizëm që ka të bëjë me mbrojtjen e jetëve të njërzve janë prioritet kryesore në cdo shtet. Prioritete të cilat në shtetin shqiptar nuk janë aspak të tilla.

E njëjta situatë po ndodh edhe tani me rastin e pandemisë. Shteti shqiptar ka marrë përsipër të kufizojë liritë e njërzve me idenë për të ushtruar detyrën kryesore të tij, atë të sigurisë së jetës. Mirëpo, e gjithë cështja është nëse këtë funksion e kryen dot apo jo ? A është vërtet në gjendje shteti shqiptar të kontrollojë sic duhet të gjitha masat dhe kufizimet që ka vënë? A është në gjendje të sigurojë që të gjitha këto shtrëngime të jenë të barabarta për të gjithë. ? A është në gjendje shteti shqiptar të sigurojë anën ekonomike si pasojë e kësaj mbyllje?

Të gjitha këto pikëpyetje sigurisht që marrin përgjigje jo pozitive. Sepse të gjithë jetojmë këtu, dhe e dimë shumë mirë kapacitetet e shtetit shqiptar, me gjithë dëshirën dhe përpjekjet e mira që bën dhe mund të ketë bërë. Jo vetëm kaq, por askush nuk mund të pretendojë që shteti e do më shumë jetën tonë se sa vetë ne. Në këtë kuptim, të gjitha shtrëngimet në këktë situatë janë pa kuptim. Jeta duhet të lihet përgjegjësi e gjithsecilit. E vetmja gjë që duhet të bëjë shteti është ti garantojë atyre kushtet për ta siguruar atë, asgjë më shumë. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH