Analizë

A kemi ne shtet?

Shkruar nga Liberale
A kemi ne shtet?

Nga Silvana Begaj

Pyetje: Pse liderat e politikës shqiptarë nuk i ruajnë themelet e shtetit? Pse nxjerrin gjithmonë pretendimin se epoka e themelimit të shtetit fillon ekzaktësisht kur pushtetin e marrin ata?

E nëse çdo gjë qenka bërë kaq keq gjithmonë, ky nuk është më gabim, kthehet në faj e nga faj ka fajtorë. Jo fajtorë që akuzohen në media sa për show, por fajtorë që dënohen dhe nga dënimi mësohet si mos të gabohet.

Çdo eksperiencë ka fillim dhe vazhdim, por ky shteti jonë ngeli vetëm në një fazë : Fillim. Asnjë eksperiencë në organizim, metodë apo menaxhim nuk ka dhe kjo sjell që ne të jemi gjithmonë në përpjekje për të ndërtuar një shtet.

Çdo periudhë ka pasur problemet e saj, por kjo nuk do të thotë që të shkatërrojmë gjithçka të asaj periudhe. Ashtu si vendet e tjera që mësuan nga e shkuara dhe po zhvillohen.

Periudha e përmbysjes së sistemit komunist solli lirinë individuale të paktën në dukje. Por në të vërtetë ne shkatërruam çdo gjë që në mënyrë vullnetare dhe me shumë përpjekje e ndërtuam. Shkatërruam ekonominë duke prishur uzinat, fabrikat, bujqësinë, frutikulturën, organizimin shëndetësor, arsimorë etj., dhe ndërkohë duhet të shkatërronim ideologjinë komuniste dhe të shkulnim komunistët nga pushteti që kishin vënë rrënjë aq të thella duke i lënë në pushtet edhe sot. Pasi besuam në ardhjen e demokracisë e me demokracinë prisnim lirinë harruam që liria vjen nga ekonomia. Dhe ne nuk kishim më asgjë që prodhonte të ardhura.

Eksode njerëzish u drejtuan drejt vendeve më të zhvilluara, fshatrat u boshatisën, tokat u ndanë e shume u zunë. Të ardhurat e vetme që ngelën ishin pikërisht të ardhurat nga të ikurit. Për të mos të folur dhe se si me një skemë mashtruese ua morën dhe ato të ardhura.

Çdo gjë që po vjen nga e ardhmja na çon mbrapa. Dikur kishte mjek në çdo fshat. Nuk lejohej askush të ngelej analfabet. Kishte një sistem për t´u admiruar arsimor.

Kishte një organizim modern të bujqësisë krahasuar me sot në 2022. Mungon uji, mungon infrastruktura, logjistika.  Mungojnë linjat e transportit në fshatra. Mungojnë shkollat. Mungojnë qendrat shëndetësore e mbi të gjitha mjekët. Reforma territoriale e bëri akoma më keq situatën. Detyron një fshatar që të bëjë deri në 50 km rrugë për një vërtetim.

Dhe pyesin: Pse po boshatisen fshatrat?

Propagandojnë reformën në bujqësi dhe lënë prodhimet të kalben dhe të mos kenë treg. Subvencionet dhe fondet jepen në mënyrë preferenciale.

Na dixhitalizuan të dhënat dhe nuk arritën të na i mbronin dot duke na lënë më të rrezikuar se kurrë. Siguria kombëtare është detyrë kryesore e një shteti dhe duhet të mbrohet nga vetë shqiptarët.

Veprat me rëndësi të veçantë si objektet ushtarake, diga, ujësjellësja etj, janë të pasigurta. Mbrojtja është e papërfillshme për këdo që do të marrë informacione të klasifikuara si sekrete.

Flasin për marrëveshje, përqafime, dashuri me ndërkombëtarët dhe në fund bëjnë të kundërtën e vendeve të zhvilluara duke na lënë si han pa Zot.

Tani pyetja ime është: A kemi ne shtet? Se unë si atdhetare di që kam Atdhe, por shtet nuk shikoj gjëkundi.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH