Ervis Iljazaj
Sa më shumë afrohet dita ku do të merret vendimi i Këshillit Europian për celjen ose jo të negociatave me Shqipërinë, aq më shumë rritet tensioni politik këtu, dhe sidomos shqetësimi i opinionit publik. Sepse është fare e qartë, se vendimi që do të merret në 15 tetor për Shqipërinë jo vetëm që do ketë ndikim politik të brendshëm, por është një vendim që do të ndikojë për të ardhmen e shiqiptarëve dhe Shqipërisë.
Pas aprovimit të një po-je nga Bundestagu gjerman për Shqipërinë, edhe pse me kushte të forta , kishte një lloj shpresë se procesi i integrimit nuk do të ndalej. Sigurisht që vendimi i Bundestagut ishte nje vendim për të mos ti ndëprerë ëndrën europiane shqiptarëve dhe jo politikanëve, të cilët sa më shumë kalon koha aq më shumë vihet në dyshim dëshira e tyre për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Mirëpo, qëndrimet e Holandës dhe skepticizmi i Francës kanë stepur disi optizmin për të marrë një po, qoftë edhe me kushte. Duke parë këtë qasje nga këto dy vende, është hapur një debat i madh nëse na e ka fajin Europa dhe politikat e brendshme të saj, të cilat kohët e fundit sigurisht nuk janë fort shpresë dhënese për sa i pëket zgjerimit të mëtejshëm të BE-së .
Po të shohësh deri më tani, vendet që janë mbrapa me procesin e integrimit si Shqipëria, Bosnja, Kosova, janë vende me popullsi ku shumica është e besimit mysliman.
Prandaj pyetja është legjitime në këtë rast. A ka vërtet Bashkimi Europian paragjykime ndaj Shqipërisë për shkak të besimit fetar, apo ne kemi disa problematika më shumë që s’i kemi zgjidhur ende, në raport më vendet e tjera?
Sigurisht që, nëse Shqipëria sot, do të kishte zbatuar Reformën në Drejtësi, do kishte luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet, apo do të kishte përmbushur standardet e tjera, do të kishim marrë hapjen e negociatave që në këtë moment. Kështu që, është e qartë se Shqipëria nuk i ka bërë të gjitha detyrat e shtëpisë që i kërkohen.
Por, kjo nuk do të thotë se në Europë nuk ka një paragjykim për vendet që janë me besim fetar mysliman.
Në vitin 2010 kur hyri në fuqi Traktati i Lisbonës, traktati i fundit ku bazohet qeverisja dhe e drejta e Bashkimit Europian, kishte një debat të madh për cështjen e identitetit fetar të Europës, që sigurisht është i krishterë. Madje, kishte shumë zëra dhe ide që të vendosej në traktat një nen ku të shkruhej qartë se identeti fetar i Europës është i krishterë, duke theksuar kështu rrënjët dhe të ardhmen e Bashkimit Euopian. Ky version fatmirësisht nuk fitoi, dhe në asnjë nen të Traktatit të BE-së nuk shkruhet për identitetin fetar të saj. Kjo për një arsye shumë të thjeshtë. Nëse kjo do të ndodhte, atëherë vëndeve me fe myslimane si Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe sidmos Turqia përfundimisht do ti ndëpritej mundësia e integrimit në qeverisjen e përbashkët të BE-së përgjithmonë, edhe pse rasti i Turqisë është një rast shumë dimensional.
Në kohën e sotme ku beteja politike është fokusuar shumë te identitet kulturore, atëherë kuptohet që elementi fetar ka një rol jo të vogël, që ndikon raportet e Bashkimit Europian me vëndet e Ballkanit Europian që janë në shumicën e popullsisë myslymane. Aq me tepër kur lufta politike zhvillohet midis globalizmit dhe nacionalizmit, nën frymën e disa liderëve të vëndeve të rëndësishme europiane, por edhe përtej saj, që i fryjnë këtij debati.
Në këtë kuptim, debatet nëse feja e shqiptarëve po penalizon ata për procesin e mëtejshëm, nuk është një debat pa peshë.
Por, thënë këtë, askush nuk duhet ta përdorë këtë skepticizëm të BE-së ndaj zgjerimit të mëtejshëm si justifikim për mos bërjen e detyrave të shtëpisë. Faji i vonesës së shqiptarëve në procesin e integrimit është më shumë i politikanëve se sa i përkatësisë së tyre fetare. /Gazeta Liberale