Aktualitet

A i shërbyen Edi Ramës që votuam për hapjen e dosjeve? Shpjegohet Gjekmarkaj

Shkruar nga Liberale
A i shërbyen Edi Ramës që votuam për hapjen e dosjeve?

Deputeti i Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj ka shpjeguar vendimin e tij për të votuar në favor të ndryshimeve në ligj që mundësojnë hapjen e plotë të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Gjekmarkaj thotë se s’ka votuar kurrë për “gjueti shtrigash”, siç Sali Berisha e quajti këtë ligj, duke thënë se shënjestron ish-presidentin Ilir Meta.

“Nuk kam votuar asnjë gjueti shtrigash dhe asnjë kurth ndaj askujt, nuk do ta bëja kurrë se nuk më komandon askush, as Sali Berisha, as Lulzim Basha, as Edi Rama as Ilir Meta por vetëm besimi tek një parim i shenjtë që thirret e vërteta si i vetmi koncept që e shpëton shoqërinë  dhe individin nga mëkati i shpifjes, abuzimit dhe përdorimit”, shkruan Gjekmarkaj.

“Nuk e ndamë kurrë kriminelin nga viktima, krimin nga pafajësia, përdoruesin nga i përdoruari, xhelatin nga martiri, të ndershmin nga gënjeshtari por i bëmë bashkë të gjithë që gjithçka të relativizohet,të zvogëlohet,të humbasë me kohen”.

“Ky është amaneti që duket sikur ka lënë Enver Hoxha dhe që me forcë e mban shkolla e tij politike”.

“I paskemi shërbyer ne Edi Ramës që votuam për hapjen e dosjeve???”

“E paskan luftuar atë madje mposhtur e bërë copash ata që nuk e votuan këtë ligj?”

“Edhe shakaja duhet të ketë seriozitetin e duhur që të shkaktojë të qeshura”, shkruan mes të tjerash Gjekmarkaj.

Reagimi i plotë i Agron Gjenmarkaj:

Të votosh një ligj që hap dosjet e diktaturës pa asnjë pengesë është detyrim moral e politik për çdo ligjëvënes.

Për forcat e djathta që burimin ideologjik e gjejnë tek antikomunizmi historik shumë më tepër. Turp është të justifikohesh, të mbysësh parimin për rrethanat e çastit.

Sot komunistë e “antikomunistë” bijtë e tyre po artikulojnë pa dridhje qerpiku po tentojnë të bëjnë “pis” shtresën e ish të persekutuarve politikë duke pohuar pa dridhje qerpiku se ata na qënkeshin rekrutuar në shumicë. Sikur po thonëja do shihni ata janë spiunët.

Pra ata që bënë rezistencën dhe disidencën, ata që janë krenaria dhe ndërgjegja e lirisë së këtij vëndi,na paskeshin qënë shërbëtorët e komunizmit ndërsa komunistët shërbëtorët e demokracisë. Komunistet dhe “antikomunistët”, sejmenet e tyre fanatik  që tek bindja kanë patur fitimin duan që tu lënë edhe faturën morale të diktatures viktimave. Do të pergenjeshtrohen!Por falje nuk do të kerkojnë.

Ndaj duhet të hapen dosjet ku sekush të mbajë peshën e vet,nderin dhe krimin, turpin dhe dinjitetin. E vërteta na bën të lirë na pat mësuar Jezu Krishti.

Nuk kam votuar asnjë gjueti shtrigash dhe asnjë kurth ndaj askujt, nuk do ta bëja kurrë se nuk më komandon askush, as Sali Berisha, as Lulzim Basha, as Edi Rama as Ilir Meta por vetëm besimi tek një parim i shënjtë që thirret e vërteta si i vetmi koncept që e shpëton shoqërinë  dhe individin nga mëkati i shpifjes, abuzimit dhe përdorimit. Ajo që Adam Miçnik pati paralajmëruar se diktaturës së proletariatit do ja zërë vendin ajo e banalitetit në Shqipëri ka ndodhur më shumë se kudo. Nuk e ndamë kurrë kriminelin nga viktima, krimin nga pafajësia, përdoruesin nga i përdoruari, xhelatin nga martiri, të ndershmin nga gënjeshtari por i bëmë bashkë të gjithë që gjithçka të relativizohet,të zvogëlohet,të humbasë me kohen.

Ky është amaneti që duket sikur ka lënë Enver Hoxha dhe që me forcë e mban shkolla e tij politike.

I paskemi shërbyer ne Edi Ramës që votuam për hapjen e dosjeve???

E paskan luftuar atë madje mposhtur e bërë copash ata që nuk e votuan këtë ligj?

Edhe shakaja duhet të ketë seriozitetin e duhur që të shkaktojë të qeshura.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH