Aktualitet

A është vërtetë e llahtarëshme kjo botë?

Shkruar nga Liberale
A është vërtetë e llahtarëshme kjo botë?

Nga Danilo Taino

Është i përhapur mendimi se bota është një vend i keq, ku gjithshka shkon mbrapsht, aq sa e ardhmja do të jetë tepër e keqe. Tashmë: problemet janë të shumtë dhe të rëndësishëm por nëse shihen statistikat – që natyrisht janë treguese vetëm e së shkuarës – nuk duket se rrugëtimi i njerëzimit është kaq katastrofik. Ourwrldindata.org, një organizatë e lidhur me universitetin e Oksfordit, ka vënë së bashku 12 sistemet e matjes  që i quan më domethënës për të kuptuar evolucionin e gjëndjes së botës. Varfëria skajore, ajo nën 1,9 dollarë në ditë, është ulur  nga 42,12 % e popullsisë botërore më 1981 në 9,94 % më 2015. Prodhimi për frymë është ngritur nga 1.263 dollarë më 1870 në 14.574 më 2016. Popullsia është rritur nga 72 milionë në 2000 para Krishtit në më shumë se 7,5 miliardë sot.

Vdekshmëria foshnjore (fëmijët e lindur e të vdekur para vitit të pestë të moshës) ka zbritur nga 9,32 % në 1990 në 3,91 % më 2017. Treguesi i lindshmërisë ishte 5,4 fëmijë për grua më 1963, sot është 2,44. Pritshmëria e jetës nga lindja ishte 29,7 vite më 1870, është rritur në 45,7 më 1950 dhe ka prekur 71,7 vite më 2015. Njerëzit e paushqyer ishin 14,8 % e popullsisë më 2000, sot janë 10,9 %. Ata që dijnë shkrim e këndim ishin 12 % më 1820 dhe 85 % më 2010. Që nga 1990 deri në 2015, ata që kishin ujë të pijshëm kanë kaluar nga 76,08 % në 90, 95 % dhe ata që kishin shërbimet higjenike nga 52,9 në 67,53 %. Në të njëjtën periudhë, familjet me energji elektrike në shtëpi janë shtuar  nga 71,39 në 87,36 %. Konsumi i energjisë për frymë është rritur nga 15.540 kilowatorë vjetore më 1970 në 22.336 më 2014. Janë përqindje edhe më të jashtzakonëshme po të mbahet parasysh që gjatë kohës popullsia botërore është rritur mjaft. Mbetet i dymbëdhjeti sistem i matjes, që është i vetmi negativ e ka të bëjë me lëshimin e gazit karbonik që quhet përgjegjës për ngrohjen e planetit. Më 1850, rreth fillimit të industrializimit të madh të Perëndimit ishte i barabartë me 0,12 ton për frymë. Ishte ngritur deri në më të lartën shifër të 4,90 tonëve për banor më 2012, për të zbritur më pas në 4,79 ton më 2017: problemi është se lëshimi është rritur edhe në krahasim me 4,05 ton për frymë më 1997, kur u firmos Protokolli i Kyoto-s për t’a kufizuar e në krahasim me 4,47 ton të 2005, kur Protokolli ka hyrë në fuqi.

“Corriere della Sera”, 23 tetor 2019       

E përktheu Eugjen Merlika

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH