Kryesore

A është Presidenti i Republikës “armik i popullit”?

               Publikuar në : 10:07 - 11/07/19 Klementin Mile

Klementin Mile

 Të hënën, në fjalimin e mbajtur në Parlamentin e një vendi të NATO-s dhe kandidat për anëtar në Bashkimin Europian, Kryeministri e shpalli Presidentin “armik të popullit”.

Kryeministri tha: “Ilir Meta nuk është më kundërshtari i qeverisë, ai sot është armiku i hapur i vetë Kushtetutës së Shqipërisë. Nuk është më thjesht frymëzuesi i ofensivës destruktive të zgjedhjeve të drejtësisë, por është armiku i deklaruar i vetë Parlamentit të Shqipërisë…”

Ta cilësosh Presidentin armik të Kushtetutës dhe të Parlamentit do të thotë, saktësisht, ta cilësosh armik të vullnetit të popullit të shprehur në Parlament dhe në Kushtetutë. Në gjykimin e Kryeministrit, me votat e partisë së të cilit Ilir Meta u zgjodh President dhe tani po kërcënohet të shkarkohet, metamorfoza e Presidentit është e plotë. Fillimisht Presidenti ishte “përfaqësues i unitetit të popullit”, pastaj u bë “kundërshtar i qeverisë” dhe në fund “armik i popullit”.

Brenda një kohe shumë të shkurtër, në vetëm dy vjet, kemi një transformim të madh, nga njëri ekstrem në tjetrin. Por a është transformuar realiteti, ose gjykimi për të? Me fjalë të tjera, a është kjo një metamorfozë e Presidentit apo e gjykimit të Kryeministrit?

Për Presidentin nuk mund të themi gjë; të drejtën për t’i gjykuar veprimet e tij e ka Gjykata Kushtetuese. Pra, ne nuk e kemi tagrin për të gjykuar nëse ka ndodhur apo jo në realitet metamorfoza e Presidentit nga “përfaqësues” në “kundërshtar” dhe pastaj në “armik”. Por jemi përballë faktit që Kryeministri ia jep të drejtën vetes për ta gjykuar Presidentin. Sigurisht, ky është gjykim politik, jo juridik, dhe si i tillë duhet analizuar.

Po të supozojmë se gjykimi i tanishëm i Kryeministrit për Presidentin është i saktë, pra se Presidenti sot është “armik i popullit”, kjo lë disa alternativa interpretimi: 1) ose Presidenti, në momentin kur u zgjodh, ishte “përfaqësues” dhe u transformua në “armik” përgjatë kohës me anë të veprimeve të tij; 2) ose Presidenti, edhe në momentin kur u zgjodh, ishte “armik” dhe i tillë ka mbetur deri më tani; 3) ose Presidenti, në momentin kur u zgjodh, ishte “kundërshtar”, me potencialin për t’u transformuar përgjatë kohës dhe sipas rrethanave në “përfaqësues” ose në “armik”.

Interpretimi i parë e ekspozon Kryeministrin si të ndershëm, por të paaftë në gjykim. Të ndershëm, sepse deshi t’i japë popullit atë që i premtoi, një President “përfaqësues”. Të paaftë, sepse nuk arriti të dallojë “armikun” pas maskës së “përfaqësuesit”.

Interpretimi i dytë e ekspozon Kryeministrin si të aftë në gjykim, por të pandershëm. Të aftë, sepse e kuptoi që Presidenti ishte “armik”. Të pandershëm, sepse i shiti popullit për “përfaqësues” një President që e dinte se ishte “armik”.

Interpretimi i tretë e ekspozon Kryeministrin edhe si të pandershëm edhe si të paaftë në gjykim. Të pandershëm, sepse i dha popullit një President “kundërshtar” duke e paraqitur si “përfaqësues”. Të paaftë, sepse nuk arriti ta shquajë dhe ta vlerësojë potencialin e “kundërshtarit” për t’u transformuar në “armik”.

Përfundimisht, nëse gjykimi i tanishëm i Kryeministrit të vendit për Presidentin e Republikës është i saktë, në rastin më të mirë, Kryeministri ka qenë ose i pandershëm ose i paaftë në gjykim, kur vendosi t’i japë popullit një President si Meta. Në rastin më të keq, ai ka qenë edhe i pandershëm edhe i paaftë. Për këtë vendos logjika, jo Gjykata Kushtetuese./Gazeta Liberale

 

(Visited 92 times, 1 visits today)

Etiketa: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *