Aktualitet

A është i pakthyeshëm integrimi europian?

Shkruar nga Liberale

Klementin Mile

Dështimi i radhës për të hapur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian u interpretua nga kryeministri ynë si dështim i Bashkimit Europian për të mbajtur premtimet e veta. Sipas Ramës “Bashkimi Europian mund të caktojë detyra për integrimin, mund të caktojë afate për këto detyra, data, por BE nuk cakton dot as vendndodhjen tonë në mes të Europës, as kulturën dhe identitetin tonë europian dhe as të ardhmen e popujve tanë në familjen europiane me standarde politike europiane”.

Kjo deklaratë e kryeministrit Rama, e cila padyshim shpreh zhgënjim të thellë, nuk duket të sinjalizojë pafuqinë e një vendi të vogël si yni sesa kërkimin për alternativa ndaj Bashkimit Europian. Edhe pse kryeministri thotë që “progresi do të vazhdojë me të gjitha forcat sepse nuk është i imponuar nga jashtë por nga brenda nesh”, theksi bie te refuzimi për të pranuar imponime nga jashtë, pra nga Bashkimi Europian, në formën e detyrave të shtëpisë.

Problemi themelor që ekspozohet nga këto reagime të kryeministrit shqiptar, problemi që struket pas zhgënjimit të thellë, është se i ashtuquajturi proces i integrimit europian, në fakt, nuk ka qenë kurrë proces dhe nuk është trajtuar si i tillë as nga shteti shqiptar as nga Bashkimi Europian.

Procesi është një sekuencë ngjarjesh që ndodhin në kohë, por me kushtin që sa më shumë kohë kalon aq më e lehtë është të parashikosh ngjarjet që do të ndodhin. Pra, në një proces ngrihen pritshmëri të cilat gjithmonë e më tepër realizohen, jo e kundërta.

Kjo, qartësisht, nuk ka ndodhur në rastin e integrimit europian të vendit tonë. Progresi i Shqipërisë nuk ka qenë i qëndrueshëm drejt përmbushjes së standardeve europiane. Ka patur progres, siç ka patur stanjacion dhe siç ka patur, në sektorë dhe periudha specifike, edhe regres.

Nga ana tjetër as Bashkimi Europian nuk ka qenë një pasqyrë e saktë e zhvillimeve të Shqipërisë, nuk e ka përdorur gjithmonë në mënyrë konsistente shkopin dhe karotën.

Prandaj, “procesi” i integrimit europian, në fakt, është katandisur në një sekuencë ngjarjesh kaotike, në bazë të të cilave nuk mund të ngresh dot pritshmëri. Në këto kushte, raporti BE – Shqipëri ka pësuar një krizë të thellë besimi dhe shpresa për të ardhmen është zbehur nga të dyja palët.

Natyrisht, mund të përpiqemi t’i vëmë fajin BE-së, siç priret mazhoranca, ose qeverisë shqiptare, siç priret opozita. Problemi, megjithatë, është më i thellë. Ai, siç e përvijuam më lart, lidhet me faktin që palët janë angazhuar në një “proces” që nuk është i tillë.

Që integrimi europian të ishte proces, kjo do të kërkonte përjashtimin e konsideratave politike si në Shqipëri ashtu dhe në vendet e Bashkimit Europian. Por, të teknikalizosh raportin ndërmjet një shteti dhe një organizate ndërkombëtare, duke e purifikuar këtë raport tërësisht nga politika, është naive. Kjo nuk mund të ndodhë në realitet.

Në këtë mënyrë, të gjitha pyetjet e shtypura të integrimit, të llojit, “a ka rëndësi feja për t’u anëtarësuar në BE?”, riaktualizohen dhe bëhen urgjente për të marrë përgjigje. Por, mbi të gjitha, tashmë mund të shtrohet pyetja “a është vërtet i pakthyeshëm integrimi europian?”

Njëra nga tezat e padyshimta ka qenë për disa dekada pakthyeshmëria e procesit të integrimit; pra, po hyre në këtë proces, fundi i tij do të jetë patjetër anëtarësimi në BE.

Kjo tezë, megjithatë, tashmë vihet në dyshim nga të paktën dy gjëra. E para, integrimi europian i vendit tonë nuk mund të konsiderohet proces dhe prandaj nuk ka pse të presim të ketë elementin e pakthyeshmërisë. E dyta, edhe po ta pranojmë si proces, kjo nuk do të thotë se do të na shpjerë në destinacion. Në mënyrë të ngjashme, tranzicioni i pafund shqiptar është nga ata procese që nuk u gjendet fundi.

Prandaj, 30 vjet pas rënies së regjimit komunist, vendi ynë është përsëri në udhëkryq – gjeografikisht dhe kulturalisht në Europë, por politikisht dhe ekonomikisht jashtë saj. Shqipërisë i duhet të rivendosë referencat, në BE apo diku tjetër, por mbi të gjitha i duhet të përfshihet në një proces real.

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH