Kryesore

A e zgjidh Venecia krizën politike shqiptare?

               Publikuar në : 10:01 - 11/09/19 Ervis Iljazaj

Ervis Iljazaj

Kriza politiko-kushtetuese ku është futur Shqipëria, kërkon një seri aktesh dhe veprimesh, të cilat mund ti kthejnë asaj normalitetin e një shteti funksional. Kjo krizë është aq e thellë, sa që asnjë vendim apo mendim, qoftë ky i Komisionit të Venecias nuk do të mund ta zgjidhë atë.

Ne jemi në një moment  ku po ndërtohet nga e para i gjithë rendi kushtetues në Shqipëri, pasi aktulisht jemi pa një të tillë. Në një shtet ku mungon Gjykata Kushtetuese apo gjykata të tjera të pushteti gjyqsor , nuk mund të flitet për rend kushtetues, kur nuk ka kush ta mbrojë atë. Pikërisht për këtë arsye, arbitrariteti i vendimeve të mazhorancës është në nivele alarmante, sepse asnjë institucion nuk mund të kufizojë për momentin.

Sigurisht mendimet e një Komisioni të nderuar dhe specializuar në fushën e të drejtës kushtetuese  janë mëse të mirëpritura, por ato nuk e zgjidhin problemin e thellë që ka Shipëria në këto momente.  Komisioni i Venecias ka një kontribut të jashtëzakonshmë në rrugëtimin 25 vjecar të tranzicionit shqiptar, dhe disa praktika apo sjellje institucionale kanë patur sukses pikërisht nga ky kontribut.

Mirëpo, ajo që  i duhet Shqipërisë në këto momente është pikërisht ndërtimi sa më shpejt i organeve të pushtetit gjyqsor, sidomos të Gjykatës Kushtetuese, dhe  jo një mendim për një cështje të caktuar, edhe nëse bëhet fjalë për një konflikt midis dy organeve kushtetuese si parlamenti dhe presidenca.

Shteti i së drejtës është shteti që ka në themel të tij forcën e pushtetit gjyqsor dhe të arbitrit për të kufizuar pushtetin dhe tiraninë e mazhorancës, forcë të cilën ne nuk e kemi aktualisht.

Ky është problemi i vërtetë, dhe në këtë drejtim organizatat dhe aleatët tanë ndërkombëtar duhet të ndihmojnë Shqipërinë.

Sigurisht Komisioni i Venecias do ta japë një mendim për konfliktin presidencë-parlament sepse i është kërkuar. Por, kësaj herë kam përshtypjen që nuk do të jetë një mendim i qartë dhe i prerë, në favor të njërit apo tjetrit instucion. Kjo për arsye se zgjidhja e këtij konflitki mund të vijë vetëm nga organet shqiptare të drejtësisë, sidmos të Gjykatës Kushtetuese. Ai është organi që ruan rendin kushtetues dhe garanton te drejtat dhe liritë themelore të shqiptarëve. Pa u formuar Gjykata Kushtetuese, konfliktet institucionale do të vashdojnë të jenë prezent dhe do të vashdojnë të ndikojnë negativisht në shoqërinë dhe ekonominë shqiptare.

Edhe për faktin se, problemi i Shqipërisë nuk është aspak forcimi i pushtetit të mazhorancës, sic pretendohet nga kjo e fundit në konfliktin me presidencën. Problemi i Shqipërisë është pikërisht kufizimi i pushtetit të qeverisë, e cila në këto momente nuk ka asnjë pengesë për të ushtruar pushtetin e saj në cfarëdo mënyre.

Duhet të bëjmë dallimin mirë midis demokracisë dhe kostitucionalizmit. Demokracia funksionon me parimin e mazhorancës , ndërsa kostitucionalizmi ka lindur pikërisht për të kufizuar pushtetin e saj dhe për të garantuar të drejtat e minorancës. Nëse nuk kuptojmë këtë mision të kositucionalizmit , nuk kemi  për të kuptuar asnjëherë se cfarë është shteti i së drejtës. Për këtë arsye, demokracitë e sotme quhen demokraci kushtetuese.

Prandaj, zgjidhja e krizës politiko-kushtetuese shqiptare, me gjithë respektin nuk do të vijë nga Komisionin i Venecias, por nga përgjegjëshmëria e klasës politike dhe shoqërisë tonë për të ndërtuar një demokraci kushtetuese funksionale, e cila ka mekanizmat e saj të rregullimit dhe vetrregullimit të pushtetit politik. /Gazeta Liberale

(Visited 58 times, 1 visits today)

Etiketa: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *