Editorial

A e thellon korrupsioni hendekun ekonomik, mes Lindjes e Perëndimit?

Shkruar nga Liberale
A e thellon korrupsioni hendekun ekonomik, mes Lindjes e Perëndimit?

Nga Anders Aslund

Historiani i madh francez Fernand Braudel, na mësoi dikur që të gjejmë valët e gjata të nënvlerësuara (longue durée) në histori. Dhe në kontekstin e 30 viteve të kaluara, një valë e tillë është zgjerimi i hendekut ekonomik midis vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, që iu bashkuan Bashkimin Evropian dhe atyre që nuk janë anëtarësuar ende.

Të parët po arrijnë gradualisht vendet e tjera anëtare të BE-së, me norma rritjeje gati 2 herë më të larta se fqinjët e tyre lindorë, që kanë mbetur në “tokën e askujt” midis BE-së dhe Rusisë. Një shembull tipik është divergjenca midis Polonisë dhe Ukrainës.

Sipas statistikave sovjetike, Ukraina ishte pak më e pasur në termat e të ardhurave për frymë sesa Rusia dhe Polonia në vitin 1989, pak para revolucioneve që e përmbysën komunizmin në të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore. Në atë kohë, të dyja vendet kishin kultura dhe struktura industriale të ngjashme.

Megjithatë, sot, PBB-ja për frymë (në dollarë) është thuajse 5 herë më e lartë në Poloni sesa në Ukrainë. (Edhe në vitin 2013, një vit para se Rusia të niste luftën e saj kundër Ukrainës, PBB-ja e Polonisë për frymë ishte 3.4 herë më e lartë). Dhe Ukraina nuk është rasti i vetëm.

Edhe ekonomitë bjelloruse dhe ruse kanë qenë në krizë, respektivisht në vitet 2012 dhe 2014. Dhe shpjegimi i gjendjes së ekonomisë ruse me rënien e çmimeve të naftës, nuk sqaron arsyen pse Ukraina dhe Bjellorusia kanë ndjekur një model të ngjashëm.

Natyrisht Rusia, po përjeton goditjet e sanksioneve perëndimore, pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë në vitin 2014. Po ashtu, edhe Ukraina e humbi 17 për qind të PBB-së së saj si rezultat i agresionit ushtarak të Rusisë, edhe pse arriti të regjistronte një rritje modeste vjetore prej 3 për qind midis viteve 2016-2019.

Ndërkohë, vendet e BE-së në Evropën Lindore dhe Qendrore, kanë ecur përpara në mbështetjen e sipërmarrjes së brendshme dhe investimeve të huaja direkte (IHD). Gjatë bumit të viteve 2014-19, ekonomitë e tyre u rritën mesatarisht me 4-5 për qind në vit, ndërsa PBB-ja e Rusisë për frymë ra nën atë të Rumanisë, dhe madje nën edhe atë të Turqisë që nuk është anëtare e BE-së.

Midis 27 vendeve anëtare të BE, vetëm Bullgaria është ende më e varfër sesa Rusia në aspektin e PBB-së për frymë, pavarësisht nëse matet në dollarë apo në fuqinë blerëse. Një nga arsyet pse shtetet ish-sovjetike po ecin kaq dobët ndërsa ato evropiano-qendrore dhe lindore po ecin aq mirë, është se këto të fundit nënshkruan me sukses marrëveshjet e asociimit me BE-në që në fillimin e viteve 1990.

Duke depërtuar në tregun e BE që nga ajo kohë, ato zhvendosën mbi dy të tretat e tregtisë së tyre nga ish-Bashkimi Sovjetik në vendet e unionit. Dhe duke shfrytëzuar zinxhirët evropianë të furnizimit, ato ishin në gjendje të dilnin në krye si prodhuesit kryesorë evropianë të makinave.

Por faktori kryesor në suksesin e këtyre vendeve, ka qenë përmirësimi i cilësisë së qeverisjes ekonomike. Për t’u kualifikuar për anëtarësim në BE, vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore u detyruan që të miratonin ligjet e BE-së, dhe kjo ndodhi pas një procesi të gjatë burokratik.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparencës Ndërkombëtare (TIA), Polonia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Hungaria renditen përkatësisht në vendin e 45-të, 49-të, 60-të dhe 69-të, ndërsa Ukraina dhe Rusia renditen përkatësisht ne vendet 117-të dhe 129-të. Megjithëse kjo renditje nuk është e shkëlqyer, ajo ka rezultuar e mjaftueshme për të tërhequr investimet e huaja. Investitorët e dinë që nëse ndodh diçka e keqe, ata mund të ankohen në BE dhe përfundimisht në Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.

Ndryshe nga ish-Bashkimi Sovjetik, të drejtat e pronës në Evropën Qendrore dhe Lindore janë të sigurta. Sidoqoftë sekreti është se 3-4 për qind e PBB-së vjetore të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, vjen nga grantet e BE-së, të cilat janë një thikë me dy presa.

Nga njëra anë, fondet strukturore të BE janë arsyeja pse të gjitha kryeqytetet e vendeve më të reja anëtare kanë aeroporte dhe autostrada të reja të bukura. Nga ana tjetër, projekte të tilla janë zakonisht më të prekshme ndaj korrupsionit.

Pra janë arsye të pasurimit në mënyrë të dyshimtë e shumë biznesmenëve hungarezë që janë afër kryeministrit hungarez Victor Orban. Në këto kushte, pyetja është nëse ekonomitë e Evropës Qendrore dhe Lindore, mund të pritet ta ruajnë apo jo progresin e tyre ekonomik. Përpara pranimit të tyre, drejtuesit e BE-së mendonin se këto vende do ta përmirësonin qeverisjen e tyre vetëm derisa sa të bashkoheshin me BE; por realiteti është më i ndërlikuar sesa kaq.

Në fakt të gjithë anëtarët e rinj të BE-së, vazhduan ta forcojnë qeverisjen e tyre edhe për shumë vite të tjera, duke tërhequr gjithnjë e më shumë investime të huaja. Dhe disa vende janë ende në përmirësim e sipër. Kështu Estonia dhe Lituania, janë tani vendet ish-komuniste më pak të korruptuara.

Por sipas Transparencës Ndërkombëtare, disa nga vendet kryesore në tranzicion, po përjetojnë tani një përkeqësim të mprehtë të qeverisjes. Polonia arriti kulmin e renditjes në vitin 2015, pasuar një vit më vonë nga Sllovakia, dhe nga Republika Çeke në vitin 2018.

Hungaria e arriti kulmin në vitin 2012, dhe ka rënë në mënyrë të qëndrueshme që atëherë.

Sot renditet në një nivel me Rumaninë dhe Bullgarinë, vende që më parë konsideroheshin si më të korruptuarat e BE-së.

Investitorët e huaj dhe vendas, po i kushtojnë tani shumë vëmendje faktit se Hungaria nuk po i respekton ligjet ndërkombëtare, të drejtat e pronës janë gjithnjë e më të rrezikuara, ndërsa taksimi përherë e më diskriminues.

Për BE-në, kjo tërheqje nga qeverisja e mirë mund të bëhet një çështje ekzistenciale, për shkak se demokracia dhe sundimi i ligjit shkojnë krah për krah njëri-tjetrit. Edhe pse Hungaria dhe Polonia, u janë nënshtruar kritereve thelbësore demokratike të BE-së, ato mbeten përfituesit e fondeve të mëdha nga BE-ja.

Dhe ndërsa Bashkimi Evropian vendosi kushte të veçanta ndaj Rumanisë dhe Bullgarisë, këto masa nuk dhanë efektin e pritshëm. Sipas Freedom House, demokracia ka rënë në të gjithë botën që nga viti 2005. Tani më shumë se kurrë më parë, BE nuk duhet që të lërë pas dore çështjen e sundimit të ligjit.

Fatmirësisht, blloku është bërë më i vendosur në vendosjen e kushteve më të forta, kryesisht përmes Planit të Rimëkëmbjes së BE-së të Gjeneratës Tjetër për Evropën prej 750 miliardë eurosh. Trajektorja e ish-shteteve satelite sovjetike, është një kujtesë e trishtë se pse BE-ja duhet të mbrojë demokracinë dhe shtetin e së drejtës, si brenda ashtu edhe jashtë saj.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH