Kurti është për privatin, shtetin, apo komunitetin? Nuk ka rëndësi.
Klementin Mile
Ka disa elementë në ideologjinë dhe programin e Lëvizjes Vetëvendosje që duken shqetësuese, madje të rrezikshme, për rendin kapitalist në Kosovë. Këto shqetësime nuk janë fashitur as nga fakti që Albin Kurti, si kryeministër i ardhshëm, do ta ketë pushtetin të kufizuar nga partneri i tij në koalicion, partia tradicionalisht e djathtë e Kosovës, LDK-ja. Kjo ndoshta ngaqë Kurti, përgjatë këtyre viteve të aktivizmit politik të tij, i ka bindur të gjithë se nuk bën kompromis me parimet për hir të pushtetit.
Idhtarët e kapitalizmit nisin të shqetësohen qëkurse shohin sloganin e Vetëvendosjes, “barazi, drejtësi, zhvillim”. Mungesa e “lirisë” është e dukshme në atë slogan. Më tej, në platformën e Vetëvendosjes, shihet se “barazia”, nga tri mundësitë teorike për ta konceptuar, si barazi formale, barazi shansesh dhe barazi rezultatesh, është konceptuar në versionin më socialist ose komunist të sajin: si barazi rezultatesh. Edhe idetë për shtetëzime të Albin Kurtit kanë ngritur mjaft shqetësim te ekspertët e ekonomisë, të cilët, nëse kjo zbatohet nga qeveria Kurti, parashikojnë një të ardhme të zymtë për Kosovën. Por a e rrezikon vërtet Albin Kurti kapitalizmin?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje nevojitet një udhëtim konceptual që kalon nga antihumanizmi, ekonomia dhe kapitalizmi të konceptuara minimalisht dhe, prandaj, esencialisht, si dhe kreditet e komunizmit në imponimin si alternativë ndaj kapitalizmit.
Vetëm antihumanizmi i merr njerëzit seriozisht
Tezat e Kurtit janë humaniste. Jo në kuptimin se e duan njeriun më shumë se të tjerët, por në një sens metodologjik. Ideja është se tezat humaniste të Kurtit nuk mund të gjykohen dhe vlerësohen si duhet nga e njëjta perspektivë që i ka formuluar. Ato kanë nevojë të gjykohen dhe vlerësohen nga një perspektivë e ndryshme: antihumanizmi.
Veçse antihumanizëm nuk do të thotë mungesë respekti për njerëzit – për trupin, ndjenjat, të drejtat dhe vlerat e tyre. Antihumanizmi është, pra, koncept metodologjik. Njeriu është shumë kompleks për t’u kuptuar si duhet me një koncept të vetëm: “njeri”. Antihumanizmi nuk e mohon përvojën njerëzore, por evidenton diversitetin e saj. Në këtë mënyrë reflektimi filozofik kalon nga subjekti kartezian që është i ndarë midis mendjes dhe trupit, te projekti “humanist” i iluminizmit që e unifikon mendjen dhe trupin te njeriu, por pa arritur të shquajë gjë në këtë unifikim, për të arritur te antihumanizmi që e koncepton subjektin si kombinim të tri sistemeve autonome: mendje, trup dhe komunikim. Antihumanizmi i vendos njerëzit (si mendje dhe trup) jashtë shoqërisë (si komunikim).
Kjo sjell një përmirësim teorik të rëndësishëm: nga perspektiva antihumaniste mund të shohim se si përfshihen njerëzit në shoqëri, mund të shohim efektet e organizimit shoqëror mbi njerëzit (çka e detajoi me forcë të jashtëzakonshme Marksi), por edhe kapacitetin e njerëzve për të ndryshuar shoqërinë. Antihumanizmi e zhvendos fokusin nga njeriu te shoqëria dhe nga substanca e fenomeneve sociale te kushtet e mundësisë së tyre. Referuar ekonomisë, antihumanizmi vendos si prioritare dy pyetje: Si mund të konceptohet ekonomia si fenomen social? Çfarë e mundëson ekzistencën e ekonomisë?
Ekonomi dhe kapitalizëm minimalist
Ekonomia duhet konceptuar minimalisht. Konceptimi minimalist sjell qartësi konceptuale, duke na mundësuar ta dallojmë aktivitetin ekonomik nga aktivitete sociale të tjera. Konceptimi minimalist ka gjithashtu avantazhin e universalitetit: ai na mundëson studimin e cilësdo ekonomie të zhvilluar ndonjëherë, në cilindo vend të botës. Ky konceptim është i ndjeshëm empirikisht, pasi, duke marrë vendimin teorik për t’i atribuar disa cilësi konstante ekonomisë, mundësohet studimi i tipareve variable të saj në kohë dhe hapësirë.
Përveçse minimalisht, ekonomia duhet konceptuar në dimensionin kohor. Kjo për dy arsye: e para, kështu fokusi vendoset te problemi ekzistencial i ekonomisë. Kuptimi i ekonomisë në dimensionin kohor i referohet kushteve të mundësisë për vazhdimin e saj si aktivitet social, pra mbijetesës së ekonomisë në shoqëri. Arsyeja e dytë është se në këtë mënyrë vëzhgimi i ekonomisë nuk e shkatërron objektin e vet. Ky konceptim nuk e përjashton kuptimin e ekonomisë edhe në dimensionin social – atë të raporteve që krijohen ndërmjet operatorëve ekonomikë, ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve, kapitalistëve dhe punëtorëve – por pohon që dimensioni kohor i ekzistencës së ekonomisë ka prioritet ndaj dimensionit social, pasi vetëm prej të parit mundësohet i dyti. Pa ekonomi nuk ka as shfrytëzim ekonomik.
Kështu, konceptimi minimalist i ekonomisë në dimensionin kohor përfshin si vijon: ekonomia është integrimi i tri proceseve: prodhimit, shpërndarjes dhe konsumit. Kusht i domosdoshëm për të patur ekonomi është pamjaftueshmëria – duhet, pra, që produktet të jenë në sasi të kufizuar. Problemi ekzistencial i ekonomisë është rigjenerimi i aksesit te produktet (në ekonominë paramonetare) dhe i aftësisë paguese (në ekonominë monetare).
Prej këtu mund të shtrojmë pyetjen: Cila formë organizimi i siguron ekonomisë ekzistencën në kohë? Në kërkim të përgjigjes le t’i drejtohemi një mendimtari ekonomik të shquar si Karl Poulenji. Ai dallon tri forma organizimi të ekonomisë. “Shteti i mirëqenies sociale” ka si parim shtetin dhe organizohet në bazë të prodhimit, rishpërndarjes dhe konsumit. “Komunizmi” ka si parim familjen dhe organizohet në bazë të prodhimit, reciprocitetit dhe konsumit. “Kapitalizmi” ka si parim tregun dhe organizohet në bazë të prodhimit, shkëmbimit, konsumit dhe fitimit.
Vepra e Poulenjit na ndihmon për të arritur te konceptimi minimalist i kapitalizmit. Kapitalizmi, pra, është sistemi ku prodhimi nuk konsumohet i gjithi: një pjesë akumulohet (imperativi kapitalist) për të rigjeneruar aksesin te produktet (në ekonominë paramonetare) ose aftësinë paguese (në ekonominë monetare) në kushtet e pasigurisë për të ardhmen. Mënyra se si ndodh shpërndarja e produkteve – nëpërmjet tregut, rishpërndarjes, apo reciprocitetit – nuk e cenon konceptin minimal të kapitalizmit. Po ashtu është e parëndësishme për këtë koncept se kush i zotëron mjetet e prodhimit.
Ky konceptim i kapitalizmit, duke qenë minimalist, ndryshon nga konceptimi i kapitalizmit që gjejmë rëndom në përdorim, si bie fjala ai i Fjalorit të Oksfordit, ku kapitalizmi është “një sistem ekonomik në të cilin bizneset dhe industria e një vendi kontrollohen dhe përdoren për fitim nga pronarë privatë dhe jo nga qeveria”. Për humanizmin, kur trajton kapitalizmin, ka rëndësi dimensioni social, kush fiton dhe kush humb në kapitalizëm. Për antihumanizmin ka rëndësi dimensioni kohor, siguria e vazhdimit të ekonomisë si sistem social i pazëvendësueshëm i shoqërisë. Në terma metaforikë, ndërsa humanistët shqetësohen se kush merr më shumë prej tortës dhe kush më pak, antihumanistët shqetësohen në radhë të parë për ekzistencën e tortës dhe madhësinë e saj.
Komunizmi si variant i kapitalizmit
Kapitalizmi është forma e vetme e organizimit që siguron ekzistencën e ekonomisë. Mund të thuhet madje që kapitalizmi fillon me Jozefin, personazhin biblik që i interpretoi faraonit të Egjiptit ëndrrën që kish parë ky i fundit, duke i thënë se Egjipti do të kishte 7 vite bollëku, të cilat do të pasoheshin nga 7 vite zi buke. Prandaj, e këshilloi Jozefi faraonin, për të përballuar 7 vitet e zisë së bukës, nuk duhej konsumuar i gjithë prodhimi i 7 viteve të bollëkut, por një pjesë e tij duhej akumuluar si kapital për të ardhmen.
Komunizmi, edhe pse mëton të jetë alternativë ndaj kapitalizmit, mund të shihet si variant i tij. Kjo sepse kapitalizmi nuk presupozon patjetër ekzistencën e pronës private. Kapitalizmi nuk lidhet domosdo me tregun e lirë, mund të zhvillohet edhe nëpërmjet planifikimit, siç tregon rasti i Kinës. Dhe kapitalizmi nuk kërkon patjetër një regjim demokratik. Strategjia e rëndomtë për t’ia atribuar kapitalizmit fenomenet negative të varfërisë, pabarazisë, shfrytëzimit dhe krizave, i pamundëson zgjidhjet dhe mundëson iluzionet.
Albin Kurti, pra, nuk mund ta rrezikojë kapitalizmin me tezat e tij sot dhe me politikat e tij nesër. Shkatërrimi i kapitalizmit do të thotë ekonomi që nuk jep garanci për t’u përballur me nevojat e së ardhmes, e cila nuk dihet asnjëherë çfarë rezervon për ne. Debati qëndron te forma e kapitalizmit që do të vendosë Kurti. Ai mund të provojë të vendosë si formë dominante kapitalizmin shtetëror, siç ishte dikur Jugosllavia dhe Shqipëria “komuniste”, ose kapitalizmin komunitar të idealizuar nga lëvizjet hipi (ku mjetet e prodhimit nuk i zotëron shteti, po komuniteti). Çfarëdo që të bëjë Albin Kurti, debati duhet të jetë për efektivitetin e kapitalizmit të tij. Para se të debatohet nëse po sjell më shumë apo më pak barazi, duhet të shihet nëse po e fuqizon apo po e dobëson imperativin kapitalist të shoqërisë për të akumuluar. Është çështje dytësore se kush po akumulon: privati, shteti, apo komuniteti./Gazeta Liberale