Editorial

A duhet vetëm t’i bindemi apo ta kundërshtojmë gjithnjë shtetin?!

Shkruar nga Liberale
A duhet vetëm t’i bindemi apo ta kundërshtojmë

Nga Ben Andoni

Përballja e ditëve të fundit të protestuesve, në masë të rinj, ka rizbuluar për publikun tonë një nga temat më të rëndësishme të viteve të demokracisë, sa i përket respektimit të shtetit tonë. A mundemi t’i japim hapësirë pa fund mosbindjes civile, për më tepër në këtë kohë penalizimi prej pandemisë?! A duhet ta marrim të mirëqenë dhe ta respektojmë pa kushte legjitimitetin e shtetit tonë?! Ata që realisht i japin përparësi dhe e respektojnë apriori legjitimitetin e shtetit kanë gjithnjë një fushëpamje të ngushtë të mosbindjes civile; ata që vënë në pikëpyetje shpesh funksionalizimin e shtetit përshfaqin një pamje më të gjerë, citojmë Brian Martin në artikullin Protest in a liberal democracy”, botuar në “Philosophy and Social Action”. Dhe, po në të njëjtën artikull argumentohet e pyetet: nëse është moralisht e ligjshme të shkelësh ligje të drejta për të protestuar kundër veprimeve dhe ligjeve që konsiderohen si të padrejta? Për shembull, a mund të llogaritet si e drejtë dhe e ligjshme të preket prona publike; të dëmtohet ajo private; të bllokohet trafiku nëse vërtetë turma e respekton kodin e trafikut; të dëshirojnë qytetarët të protestojnë kundër veprimeve të policisë, akte që i përligjen kësaj të fundit me rregulloret dhe ligjet përkatëse? Në logjikën e mësipërme, kur flitet për të ashtuquajturën perspektivën e afërt, e cila kërkon mosbindje civile për të sfiduar dhe kështu minuar respektin për ligjet e duhura, përgjigjja është një e vetme ‘Jo’. Një perspektivë e gjerë shikimi, e cila e sheh mosbindjen civile si pjesë e një lufte më të gjerë për drejtësi sociale, përgjigjen e ka ‘Po’, sipas idesë të Martin.

Dhe, në kushtet tona, kur pandemia realisht po ndërhyn pa mëshirë dhe në të drejtat e liritë e individit, atëherë kërkesat për të drejtat civile, normalisht po kalojnë caqe. Problemi është pse një segment i gjerë i politikës do t’i futet dhe aty për ta manipuluar edhe më shumë si edhe shfrytëzuar në emër të kujtimit të djalit të vrarë, siç po ndodh në orët e fundit në vend.

Kthehemi pak në protestën tonë, kur prej ditësh, ishte shumë e vështirë të përballje de jure, organizatorët e padukshëm, që indirekt po identifikohen me njerëzit e Opozitës, të cilët po shfaqen gati hapur përditë e më shumë përmes veprimeve të ndryshme sesa aktivë janë. A është normale të përballesh para vendimeve të drejta dhe para Mea Culpës, që ndërmori policia apo duhet që protesta t’i japë mësim vetëm policisë së vendit dhe sidomos ta dëmtojë pa asnjë shkak pronën publike dhe atë private?!

A duhet që mosbindja civile ta pranojë nga ana tjetër edhe dënimin ligjor si të drejtë që mund t’u jepet protestuesve për shkeljen e tyre të ligjit? Një perspektivë jo e largët, e cila vendos pranimin e ligjit dhe shtetit si një përparësi të padiskutueshme, përgjigjet ‘Po’. Një perspektivë e gjerë, e cila vendos përballjen e drejtësisë mbi domosdoshmërinë e pranimit të ligjit dhe shtetit dhe që vë në pikëpyetje dënimin, si dhe ligjin e padrejtë, përgjigjet ‘Jo’. Kjo lloj logjike, që citohet prej artikullit të sipërpërmendur jep një lloj përgjigje edhe për amalgamën e përbërjes së protestës së fundit, që nuk diti të ndalet por më shumë se kaq nuk u ravijëzua qartë në kërkesat e saj, që dora-dorës dukeshin se ishin thjesht zërat e opozitës, që zgjodhi të rrinte pas skene për të përfituar me investimin më të pakët dhe që kështu e bëri edhe vetë protestën të bjerret nga dita në ditë.

Veçse kjo lloj proteste ka penalizuar masën e madhe të njerëzve që realisht duan të protestojnë, për kushtet ekonomike, të drejtat civile, mungesën e të ardhmes, e kështu me radhë. "Heshtja bëhet frikëri kur rasti e kërkon të flasësh të gjithë të vërtetën dhe të veprosh në përputhje me rrethanat",citojmë Mahatma Gandhi, rezistenca e të cilit ishte e një lloji krejt tjetër, megjithë i pati pasojat e jashtëzakonshme pozitive për historinë e vendit të tij.

Dhe, pikërisht dilema e madhe mes heshtjes së detyruar prej dhunës së ashpër dhe mospërfshirjen në një protestë, duket se është dhimbja më e madhe sot e shumë qytetarëve. Nuk ka qytetar të Tiranës, ose të themi pjesa më e madhe syresh por edhe qyteteve të tjera, që nuk do të donte të ishte në protestë dhe madje të përballej me të gjithë forcën e vet të vullnetit si pjesëmarrës i protestës qytetare për vdekjen e djalit të pafajshëm. Por realisht, protesta e ditëve të fundit, eliminoi pjesëmarrjen e gjerë dhe kushtëzoi kërkesat direkte, duke na e përshfaqur vetëm një aspekt të protestës, atë me motiv për vrasjen e djalit dhe dorëheqjet e zinxhirit komandues të policisë. E megjithatë ishte Opozita që kujtoi se përfitoi dhe jo të rinjtë. Këta të fundit fare të paqartë veç protestës krejt logjike të shfrytëzimit të së ardhmes së tyre. Ndërkohë, si presioni për të liruar të arrestuarit prej tyre dhe justifikimi i dhunës e mbart një të metë, sepse njeriu që arrestohet për një kauzë është i vetëdijshëm dhe nuk e kërkon lirimin, madje edhe pasojat mbi njerëzit e saj.  Ndërkohë e ka thënë më mirë lideri i popullsisë afro-amerikane, Martin Luther King Jr.:"Një individ që shkel një ligj që ndërgjegjja i thotë se është i padrejtë dhe i cili pranon me dëshirë dënimin me burg në mënyrë që të zgjojë ndërgjegjen e komunitetit për padrejtësinë e tij, në të vërtetë shpreh respektin më të lartë për ligjin". Kjo mungon tek ne, sepse ne i duam të gjitha sipas projeksionit të momentit, ku vuajtjen duhet ta kemi sa më të pakët.

A duhet që mosbindja civile të jetë jo e dhunshme? Problemi nuk mbaron pikërisht këtu, pasi shumë personazhe të jetës civile dhe politike, qoftë të pavarur por më së shumti të kanalizuar, po argumentojnë rreth mosbindjes civile, e kjo teorikisht po na përball faktin se e gjitha është pjesë e një lufte më të gjerë në të cilën autoriteti dhe shteti janë në rrezik prej vetë tyre.

“Por duket se ekzistenca e luftës më të gjerë zakonisht sjell probleme, kryesisht nga ata që mbrojnë shtetin. Duke i kritikuar protestuesit si përçarës, të dhunshëm dhe të paligjshëm, kritikët po përfshihen në një luftë politike kundër qëllimeve të protestuesve; duke mbështetur argumentet e tyre në premisën e padiskutueshme të legjitimitetit të pushtetit shtetëror, e kështu ata po fshehin angazhimet e tyre de facto ndaj partive të veçanta të përfshira në konflikt”, shprehet sërish Martin. Ndaj, çfarëdo ecurie që do ketë protesta nuk është se do përbëjë ndonjë kërcënim të madh për fuqinë e shtetit për sa kohë që protesta sfidon vetëm në përgjithësi politikat dhe jo specifikisht institucionet e vetë shtetit. Për fat të keq, organizimi i pasaktë, por edhe mungesat e shumtë të përmbajtjes, që i shtohet përballja cinike e shtetit, po e shtyjnë edhe këtë protestë shumë shpejt në kujtimet e protestave të nisura me kauza idilike dhe të përfunduara me politikë të pastër. Ndaj, familja e të ndjerit, pak orë më parë, bëri një apel aq publik kundër dhunës së protestës, që e harroi kujtimin e të shtrenjtit të tyre. Tek e fundit dilema mbetet: t’i bindemi apo ta kundërshtojmë gjithnjë shtetin. (Homo Albanicus)

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH