Aktualitet

A do zbardhë “nata” e Preç Zogajt? Shënime mbi romanin e fundit të shkrimtarit, botim i UET Press

Shkruar nga Liberale
A do zbardhë “nata” e Preç Zogajt? Shënime mbi

Nga Namir Lapardhaja

Përpjekja e individit për të mbijetuar, e familjes për të mbajtur frymën gjallë, e periferisë për të shkuar drejt qendrës, pa e humbur identitetin, janë sfida të vazhdueshme të qenies me të cilat përballet çdo ditë.

Dallimi mes asaj që duhet dhe asaj që është, kuptohet kur e bukura nuk merr vlerë dhe rëndësi për atë që përfaqëson, por për atë që të tjerët duan të “përfaqësojë”, duke abuzuar dhe nëpërkëmbur, pa e vlerësuar si duhet.

E megjithatë, a ekziston një forcë brenda njeriut për t’i kapërcyer vështirësitë? A duhet të jetojë ai me pengjet e së shkuarës dhe a duhet ta formësojë identitetin duke u zvargur mes tymnajës së trillit dhe të thashethemit?

Mbi ç’parime dhe vlera duhet ndërtuar jeta? A shërben e bukura, e mira, e madhërishmja, për të shpëtuar shpirtërisht, apo thjesht do shërbejë për të ngopur epshet shtazarake të dikujt që është gjithmonë “aty” për të abuzuar?

A është njeriu i aftë për ta përballur vështirësinë e jetës, me të mirat dhe të këqijat e tij, apo ai është një qenie e dobët, shpeshherë viktimë e vetes, realitetit dhe rrethanave, dhe e ka të humbur që në nisje davanë për të ngadhënjyer mbi fatalitetin?

A është familja baza e ekzistencës shoqërore dhe, në momentin që ajo vihet në rrezik, a ngelet diçka tjetër ku njeriu të “nderë” arsyet e ekzistencës?

Mbi këto pyetje, sendërtohet materia përmbajtësore e romanit “Nata”.

Nëse do ta interpretojmë subjektin thjesht si një histori rozë apo një kronikë të zezë të një familje nga provinca, do ta ngushtonim shumë rëndësinë e asaj për të cilën Zogaj ka marrë përsipër të rrëfejë.

Ajo është më shumë se një kronikë, është më tepër se një histori, është më e rëndësishme për pyetjet që ngre dhe për dilemat që shtron, është tekst i ngritur mbi një shumësi leximesh dhe interpretimesh, dilemash të pazgjidhshme të brishtësisë, viktimizimit, pamundësisë për të kuptuar jetën, realitetin dhe të tjerët, të familjes së tranzicionit të vështirë shqiptar.

Simbolika e natës që del në titull, na fton për të lexuar tekstin në thellësinë e tij dhe jo në sipërfaqe.

Është nata ajo që mbizotëron të tërë jetën e familjes së protagonistit të romanit, Afrim Malajt, të vajzave të tij, madje edhe të bashkëshortes, e cila, si për ironi të fatit, emrin e ka Lumturi, ndonëse nuk ka asnjë grimcë lumturie në jetën e saj.

Është natë kur Afrimi shkon në punë, duke e ndryshuar turnin vetëm për të shmangur përballjen gjatë qëndrimit në shtëpi ditën me të bijat.

Është natë kur ai vret vajzën e tij, Marjanën, njëzetvjeçare, ashtu sikurse është natë fundi i romanit, kur babai-vrasës jepet duke kryer dënimin në burgun e Peqinit dhe i shqetësuar përherë nga një ëndërr që e ndjek dhe nuk e lë të qetë.

Si një autor i sprovuar me të fshehtat dhe mjeshtëritë e rrëfimit, Preç Zogaj është treguar i matur, për ta dhënë gjithçka me masë, edhe kur përshkruan, edhe kur rrëfen, edhe kur i duhet të gatuajë trillin me realitetin e ashpër.

Personazhet e romanit “Nata” në tërësinë e tyre shfaqin një mori kompleksitetesh. Ata janë edhe protagonist edhe viktima, njëkohësisht, ashtu sikurse është dhe babai që kryen aktin e rëndë të bijë-vrasjes.

Ndonëse që në prologun e faqes së parë na jepet me detaje ajo për të cilën do flitet në roman: “Javën e dytë të shtatorit të vitit dy mijë e tetëmbëdhjetë, rreth gjashtë muaj përpara se të vritej nga i ati, njëzetvjeçarja Marjana Malaj nisi punë për herë të parë në një zyrë kontakti në Kapraj...”, më pas nëpërmjet retrospektivës, kthimit prapa në kohë, një metodë e njohur kjo që në zanafillën e letërsisë së përbotshme, faqe pas faqeje, kapitull pas kapitulli, pjesë pas pjese, na jepet pazëlli i plotë i rrëfimit, si një mozaik i shpërndarë, por duke ruajtur boshtin dhe kohezionin e brendshëm strukturor dhe stilistik.

Romani “Nata” është në vazhdën e paraardhësit, “Anjeza nuk u zgjua”, sepse në të dy këto vepra të Preç Zogajt mbizotëron ideja se si mjedisi ushtron dhunë të gjithanshme mbi të bukurën, të hijshmen, të brishtën, femëroren.

Nëse te “Anjeza” ky mjedis dhe këto personazhe portretizohen me realizëm në diktaturë dhe në pamundësitë e saj, te “Nata” është “demokracia”, tranzicioni i tejzgjatur, ai që dhunon individualen, tashmë në mënyra të tjera, duke e tkurrur dhe duke bërë të humbasë identitetin në turmën e mjegullt.

Me romanin “Nata” shkrimtari Preç Zogaj na tregoi edhe një herë se, përveçse një poet dhe lirik i mrekullueshëm, që e kërkon, e mbron dhe e promovon të bukurën, të mirën, të magjishmen dhe sublimen, me të gjitha mënyrat, madje duke i kërkuar njerëzve të mos shkelin fort në tokën e shkurtit, ai është i aftë të na mbajë mbërthyer edhe pas një vepre voluminoze, nga faqja e parë deri në rreshtin e fundit, ku mbizotërojnë një shumësi përshkrimesh të hollësishme dhe detajesh të panumërta, me kureshtjen dhe me ndjenjën e katharsisit ndezur, ngjashëm si në tragjeditë antike, se drama që po ndodh përpara syve tanë, fatmirësisht, është larg nesh, ndaj duhet ta përfundojmë rreshtin e fundit për të shpëtuar dhe për t’u çliruar shpirtërisht./Liberale.al

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH