Editorial

A do vijë dita kur Amerikanët ta njohin të vërtetën nga Radio Tirana?

Shkruar nga Liberale
A do vijë dita kur Amerikanët ta njohin të vërtetën nga

Gentian Kaprata – Urbanism & Democracy

Prej vitesh nuk e ndiqja faqen e Zërit të Amerikës në facebook. Në fakt unë mbetem ndjekës formal i saj, por kisha vite që nuk i lexoja statuset e tyre me vëmendjen e dikurshme, dhe akoma më pak komentet që bënin njerëzit e tjerë në ato raportime e opinione. Hoqa dorë kur bezdisja nga komentet servile të ndjekësve të saj e tejkaloi masën e nevojës time për t’u njohur me qëndrimet e këtij institucini shumë të rëndësishëm për publikun shqiptar. Pa më të voglin dyshim, mënyra sesi radio ‘Zëri i Amerikës’ e pozicionon veten kundrejt ngjarjeve politike në Shqipëri, ka qenë grafia më e vlefshme për opininin publik në këto tre dekadat e fundit. Bile, për një grup shqiptarësh, të cilët nuk ishin të paktë, raportimet dhe opinionet e VOA përbënin të vetmen shpresë për ti mbijetuar komunizmit edhe përpara se ky të binte 30 vite më parë.

Në atë kohë unë mendoja se ishin vetëm të ‘rriturit’ e familjes time, por në fund të vitit 1990-të kuptova sa të shumtë ishin ata që dëgjonin 'Zërin e të Vërtetës'. E dëgjonin me frikën për jetën dhe nuk guxonin ta komentonin atë që kishin dëgjuar. Në të kundërt, në vitet e tranzicionit, shqiptarët më shumë e komentonin sesa e dëgjonin Zërin e Amerikës. Ndërsa komentet e tyre ngjanin më shumë si lutje e falenderime ndaj “Zotërve” që ju sollën dhe po ju mbronin demokracinë, sesa opinione racionale mbi shkrime redaksionale e gazetareske. Kalimi i masës gjithmon prodhon një mbingopje, dhe kjo solli që unë prej vitesh nuk e ndiqja më institucionin prej të cilit shqiptarët prej dekadash njiheshin me të vërtetën. Do të ishte kështu deri pak javë më parë kur ngjarje të jashtëzakonshme prekën Amerikën e madhe të demokracisë liberale.

Një oficer policie ushtroi dhunë vdekje prurëse mbi një qytetar amerikan, dhe kjo ngjarje u kthye në një shkëndijë për një zjarr që po përfshin gjithë vendin. Nuk kam ndërmend të harxhoj rreshta të këtij shkrimi të opininit mbi çfarë po ndodh në Atdheun e Lirisë, sepse megjithëse të çensuruara me kujdes të madh, ato ngjarje po vijnë në njohjen e çdo qytetari të botës perëndimore. Thelbi i gjithçkaje është një urrejtje e frikshme e një pjese, jo të anashkalueshme, të shoqërisë amerikane ndaj themeleve të Atdheut të tyre! Këta po sulmojnë të gjitha vlerat e demokracisë amerikane, nisur nga baballarët themelues që ndërtuan shtetin më demokratik që ka njohur historia moderne botërore, flamurin kombëtar si shprehje e unitetit kombëtar, dhe liritë e individit dhe pronën private mbi të cilin kanë ngritur rendin ekonomik dhe politik për 244 vite.

Ishin këto ngjarje që rikthyen vëmendjen time të përqëndruar ndaj asaj që unë e konsideroja; Institucionin e të ‘Vërtetës që vjen nga Liria’. Por ajo që përjetova ishte zhgënjyese. Megjithëse kushdo e ka parë dhunën e ushtruar në këto protesta apo zgjatime të tyre, radio Zëri i Amerikës na prezantoi me ‘protesta paqësore’ dhe ‘protestues paqësor’! Protestuesit i vënë zjarrin Brooklyn-it dhe gjithë Neë Yorkur; Minneapolis; Trenton-it të Neë Jersey-it, dëmtojnë e grabisin qindra dyqane firmato të Manhattan, por për Zërin e Amerikës po protestojnë kundër dhunës së policisë. Ata shtëngojnë me presion psikologjik e me forcë fizike qytetarë të tjerë të kërkojnë falje të ulur në gjunjë që ‘janë të privilegjuar se janë të bardhë’, apo të puthin këpucët e disa qytetarëve të tjerë afro-amerikan, por për Zërin Amerikës po protestojnë për barazi racore.

Nëse e vërteta nuk mbretëron në të thënin dhe të shkruajturin, atje ka probleme të mëdha me lirinë. Kjo është ajo që më shqetëson e më frikëson këto kohë të vështira. Sigurisht që ndryshe me Shqipërinë e 1945, Amerika e 2020 nuk do bjeri preh e ideologjive kriminale kolektiviste klasore apo racore. Dhe në këtë kuptim, ndryshe nga shqiptarët e gjysëm shekullit të kaluar që të vetmen shpresë për të mësuar të vërten e investuan te media e një vendi tjetër, amerikanët e sotëm nuk e kanë të nevojshme sepse të vërtetën e kanë pjesë të ADN-së së tyre kulturore. Ata do ta kuptojnë se ajo që ju duhet nuk është një revolucion marksist që “tranformon” rrënjësisht shoqërinë amerikane, por një evolucion që kërkon të përmirësoj përditë e nga pak individin, dhe do ti largohen këtij përshtjellimi shoqëror që e ka pushtuar prej disa javësh. Prandaj amerikanët do të vijojnë ta mësojnë të vërtetën nga Zëri i Amerikës dhe jo nga Radio Tirana, Radio Moska apo Radio Pekini, fat që nuk e patën shqiptarët, rusët e kinezët e para 30 viteve apo të sotëm.

gentiankaprata.blogspot.com /Gazeta Liberale

                                                                                             

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH