Aktualitet

A dëshiron vërtet Turqia të ndalojë anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO?

Shkruar nga Liberale
A dëshiron vërtet Turqia të ndalojë anëtarësimin e

Turqia të mërkurën vendosi të bllokojë hapin e parë që do i krijonte mundësinë Finlandës dhe Suedisë të bashkohen me NATO-n, aleancën kryesore ushtarake mes vendeve perëndimore.

Të dy shtetet kishin paraqitur kërkesën e tyre disa orë më parë, pas një debati të brendshëm që zgjati javë të tëra dhe që u shkaktua veçanërisht nga pushtimi rus i Ukrainës. Vendimi i Turqisë ishte paksa befasues, por ka shenja të ndryshme se ai nuk do të jetë përfundimtar. Shumë zyrtarë dhe analistë perëndimorë janë të bindur se qeveria turke po përpiqet të shfrytëzojë unanimitetin e të gjitha shteteve të NATO-s, të nevojshme për të pranuar anëtarë të rinj, për të arritur diçka.

Një zyrtar i qeverisë turke e konfirmoi këtë për Financial Times; “ne nuk po themi se Finlanda dhe Suedia nuk mund të jenë anëtare të NATO-s”, tha ai, “por ne duhet të jemi në të njëjtën gjatësi vale me kërcënimet me të cilat po përballemi”.

Arsyeja më e qartë pse Turqia kundërshtoi hyrjen e Finlandës dhe Suedisë në NATO ka të bëjë me mbështetjen e dhënë mbi të gjitha nga Suedia për kurdët e PKK-së, një organizatë që Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë terroriste. Përkufizimi i një grupi terrorist që i referohet PKK-së është shumë i diskutueshëm dhe i debatuar, edhe sepse popullsia kurde në Turqi ka qenë dhe është ende objekt i persekutimit.

Për këtë arsye, Suedia në disa raste i ka trajtuar anëtarët e PKK-së si refugjatë politikë, duke u siguruar atyre mbrojtje dhe duke refuzuar t’i ekstradojë në Turqi (në Suedi, ndër të tjera, jeton një nga diasporat më të rëndësishme kurde në Evropë). Kërkesa e parë turke është pra zhbllokimi i ekstradimeve.

PKK është një lëvizje politiko-ushtarake e ekstremit të majtë që ka luftuar qeverinë turke për dekada të tëra për një autonomi më të madhe për minoritetin kurd. Grupi ka kryer kryengritje të ndryshme të armatosura kundër Turqisë, duke përfshirë edhe sulmet terroriste kundër popullsisë civile. Turqia ka reaguar jashtëzakonisht ashpër në vitet e fundit, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka vënë në qendër të retorikës dhe veprimit të tij politik gjithnjë edhe më autoritar, rrezikun e supozuar që lëvizja autonomiste kurde përfaqëson për sigurinë e vendit, duke vendosur kështu të persekutojë jo vetëm PKK-në, por edhe në disa raste edhe popullatën civile kurde.

Gjithashtu, Turqia i kërkoi Suedisë që të ndërpresë marrëdhëniet me forcat ushtarake të Njësisë për Mbrojtjen e Popullit Kurd (YPG), e cila përgjatë viteve të fundit ka marrë ndihmë ushtarake, duke marrë edhe pjesë në programet e trajnimit të organizuara nga koalicioni ndërkombëtar që lufton ISIS-in ose Shtetin Islamik, në të cilin edhe Suedia mori pjesë. Turqia e sheh YPG-në si një aleat shumë të ngushtë të PKK-së. Në një intervistë të botuar të enjten në Financial Times, ambasadori turk në Suedi, Emre Yunt, tha se kërkesa për të ndërprerë marrëdhëniet e saj me YPG-në është më e rëndësishmja ndër ato që Turqia i ka bërë Suedisë.

Një tjetër kërkesë e rëndësishme që i është drejtuar kryesisht Suedisë është ajo e ekstradimit të eksponentëve të ndryshëm të organizatës politike të liderit fetar Fethullah Gylen, të cilin Erdogan e konsideron përgjegjës për tentativën për grusht shteti kundër tij, të ndodhur në vitin 2016.

Qeveria turke po kërkon gjithashtu nga të dyja vendet që të heqin embargon e pjesshme për shitjen e armëve Turqisë që Finlanda dhe Suedia kishin miratuar në vitin 2019 menjëherë pas fillimit të operacionit ushtarak turk kundër kurdëve sirianë që kontrollonin një pjesë të Sirisë verilindore.

Agresiviteti me të cilin Erdogan dhe qeveria turke po lufton kundër PKK-së dhe forcave autonomiste kurde në përgjithësi dihet prej vitesh, por sipas disa vëzhguesve ka arsye edhe më konkrete që shpjegojnë pse qeveria turke ka vendosur të vërë veton ndaj anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO në një moment kaq delikat për sigurinë e Perëndimit.

Pas një viti në Turqi do të mbahen si zgjedhjet parlamentare ashtu edhe ato presidenciale.

Erdogan nuk po ecën mirë në sondazhe dhe humbja e tij në zgjedhje mund të jetë një mundësi”, shpjegoi për Euronews Paul Levin, drejtor i institutit që merret me Turqinë në Universitetin e Stokholmit.

“Kjo histori mund ta vendosë atë në një pozicion të mirë përballë elektoratit turk. Ne nuk duhet ta nënvlerësojmë faktin se sa e zemëruar mund të jetë qeveria turke, por edhe popullsia turke që një organizatë e njohur nga Bashkimi Evropian si terroriste, d.m.th, PKK-ja, të gjejë strehim në Suedi dhe Finlandë”, tha Matthew Bryza për Euronews.

Ditë më parë, disa zyrtarë të NATO-s kishin parashikuar për Reuters se aplikimet për anëtarësim të Suedisë dhe Finlandës do të pranoheshin nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s pak para ose gjatë samitit të aleancës ushtarake të planifikuar në Madrid, Spanjë, nga data 28 deri më 30 qershor.

Për të ratifikuar pranimin e dy vendeve në NATO, nevojitet një periudhë rreth 1-vjeçare që nga momenti i pranimit zyrtar të kërkesës./Përgatiti: Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH