Aranit Muraçi
Me qindra diplomatë shqiptarë në botë, me gjithë punën dhe rolin e ambasadave tona, në tërë këto vite, mund të mos kenë përcjellë ndoshta as çerekun e mesazhit diplomatik që përcolli Dua Lipa në një ditë. Dua Lipa përmbylli me sukses një mision diplomatik dhe njëkohësisht patriotik, në 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, duke reklamuar anët më pozitive të kombit shqiptar, siç nuk do të mund ta kishte realizuar dot askush tjetër.
Këngëtarja e lindur në Britani me siguri nuk e mori nënshtetësinë shqiptare, për të ardhur dhe për të jetuar në të ardhmen, në Shqipëri. Ajo pranoi nënshtetësinë e vendit të saj të origjinës para koncertit të madh që organizoi në kryeqytetin e Shqipërisë, në mënyrë simbolike, në një kohë kur Britania është duke e abuzuar politikisht me imazhin e shqiptarëve, për shkak të emigracionit të paligjshëm.
Talenti i Dua Lipës mund të jetë zhvilluar vërtet në një vend tjetër, ndërsa Shqipëria, ose më saktë kombi shqiptar, sepse Kosova është pjesë e pandarë e tij, ironikisht përmes saj i tha botës se “kriminelët” duhet t’i kërkoni diku tjetër, ndoshta në histori, në Konferencën e mbajtur një shekull më parë në Londër, Britani. Ajo i rikujtoi mes të tjerave botës se kombit të saj në 110 vjetorin e themelimit i është bërë jo vetëm një padrejtësi e madhe historike, por edhe një krim, pasojat e së cilës shkaktuan konflikte në rajon, viktima, plagë të shumta, prapambetje dhe persekutime ndaj popullit të saj. Dua Lipa është lindur nga prindër shqiptarë dhe është rritur në Britani, të cilët emigruan si pasojë e këtyre luftërave dhe persekutimeve.
CNN, BBC, Euronews, Daily Mail dhe pothuajse në të gjitha mediat e mëdha të botës, dhe jo vetëm, u bë lajm pasaporta e Shqipërisë në duart e Dua Lipa. Jo vetëm kaq! Mbi 87 milion ndjekësit e saj në Instagram (10 herë më tepër se numri i përgjithshëm i shqiptarëve) nga mbarë bota, u njohën me krenarinë e shprehur publikisht nga këngëtarja për vendin e saj të origjinës. Dhe rreth 5 milionë ndjekës, ose sa e gjithë popullsia e mbetur e Shqipërisë dhe e Kosovës bashkë, pëlqyen statusin e Dua Lipës, atë të marrjes së pasaportës shqiptare.
Mediat e huaja i kanë dedikuar një hapësirë dhe i kanë kushtuar rëndësi të veçantë Shqipërisë dhe Kosovës, vetëm për shkak të lajmit që prodhoi Dua Lipa. “Statusi i Kosovës nuk njihet botërisht dhe mohohet më së shumti nga Serbia, Rusia dhe Kina. Në vitin 2014, një banderolë e veçantë bëri që një ndeshje futbolli midis Serbisë dhe Shqipërisë të degradonte në dhunë kur një dron shpalosi Shqipërinë e Madhe mbi fushën e Beogradit”, shkruhet në radhët e mediave më prestigjoze të botës.
Lipa bashkëthemeloi Fondacionin Sunny Hill në vitin 2016 me babanë e saj, Dukagjin Lipa, i cili organizon koncerte vjetore në vendlindjen e saj, Kosovë. Fondacioni është i përfshirë edhe në aktivitete humanitare, duke ndihmuar njerëzit që kanë vështirësi financiare.
“Në vitin 2020, Lipa shkaktoi polemika pasi postoi një baner të “Shqipërisë së Madhe”, e cila përfshinte Kosovën, Shqipërinë dhe territore të tjera me shumicë shqiptare etnike në rajon. Ylli i muzikës e postoi imazhin në mediat sociale si përgjigje ndaj një peticioni që Apple Maps ta paraqiste Kosovën si një shtet i pavarur. Këngëtarja e mori pasaportën shqiptare të dielën në një ceremoni nga presidenti i vendit Bajram Begaj.
“Lipa, me origjinë etnike shqiptare, performoi në festimin e së hënës, për 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Ajo e pranoi pasaportën shqiptare, në një kohë kur qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka përjetuar kritika të ashpra për demonizimin e emigrantëve shqiptarë në vend. E lindur nga prindër kosovarë emigrantë në Londër, Lipa, 27 vjeçe, është fituese e çmimeve Grammy. Ajo u akuzua se ishte në favor të ekspansionizmit shqiptar; megjithatë, më vonë sqaroi se ishte kundër “separatizmit etnik””, thuhet në komentet e mediave të huaja.
“Ne të gjithë meritojmë të jemi krenarë për përkatësinë tonë etnike dhe prej nga jemi”, tha Lipa në atë kohë. “Unë thjesht dua që vendi im të përfaqësohet në hartë dhe të mund të flas me krenari dhe gëzim për rrënjët e mia shqiptare”. Edhe këngëtarja e muzikës pop, Rita Ora, po ashtu nga Kosova, është duke përkrahur vendin dhe kombin e saj, në arenën ndërkombëtare.
Çdo investim monetar sado i madh i madh që të jetë, pa talent, nuk e ka fuqinë për të përçuar një mesazh kaq të fortë të kombit shqiptar në botë. Prandaj modeli i suksesit të Dua Lipës, që vjen përmes talentit le të shërbejë edhe si një autokritikë e fortë për talentin që lind dhe rritet në Shqipëri dhe Kosovë. Sa më shumë të rritet, të zhvillohet dhe të promovohet një i tillë, aq më e ndritur do të jetë ardhmja e kombit tonë. Po aq i fortë do të jetë zëri i shqiptarëve në botë. /Liberale.al/