Globi

SHIFRA E DITËS: 84 për qind e bizneseve kanë nevojë për fuqi punëtore, Holanda vuan pasojat ‘e rritjes ekonomike’

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 84 për qind e bizneseve kanë nevojë për

Rritja e tepërt ekonomike dhe nga ana tjetër mungesa e personelit të nevojshëm që t’i përgjigjet rritjes janë krhyer aktualisht në një problem global, por ato janë veçanërisht të mprehta në një vend si Holanda. Vendit të njohur për biçikletat dhe mullinjtë e erës i ka mbetur pak hapësirë për ndërtime të tjera me qëllim që të strehojë më tepër personel. Sigurisht, një recesion mund të lirojë përkohësisht tregun e punës, por problemi ishte akut para pandemisë dhe do të rishfaqet sa herë që rritja ekonomike të rifillojë.

Holanda është ndoshta vendi i parë që ka prekur kufijtë e rritjes së mundshme ekonomike. Vende të tjera të mbizhvilluara si Zona e Gjirit, Nju Jorku dhe Singapori mund ta pasojnë, duke mos pasur edhe ato më shumë hapësira për të thithur më tepër punëtorë apo dhe për të ngritur biznese të reja. Kjo dukuri shtron pyetjen e thjeshtë: a mund të jetë i begatë një vend i pasur, nëse ekonomia e atij vendi ndalon së rrituri?

Holanda ishte shumë e përshtatshme për epokën e globalizimit. Vendi tregtar me portin më të madh të Evropës përjetoi 26 vjet rritje të pandërprerë ekonomike deri në vitin 2008, madje asokohe ishte një rekord botëror. Aktualisht, Holanda kryeson Indeksin e Globalizimit KOF të ETH Cyrihut si vendi më i globalizuar në botë.

Popullsia holandeze u rrit si “kërpudhat”. Kur numri i popullsisë arriti në 14 milionë në vitin 1979, mbretëresha Juliana tha: “Vendi ynë është mbushur plot”. Në vitin 2010, Statistikat zyrtare të Holandës tregojnë se popullsia ndoshta nuk do të arrinte kurrë 18 milionë. Sot popullsia e Holandës është 17.7 milionë dhe po vijon të rritet. Vendi i tulipanëve ka 507 njerëz për km katror, gati pesë herë sa mesatarja e BE-së. Edhe më keq akoma, sasia e tokës së banueshme po tkurret për shkak të zgjerimit të detit dhe pamundësisë për të ndërtuar në zona të caktuara.

Por kërkesa e ekonomisë holandeze për punëtorë të rinj duket se nuk ka të ngopur. Tetëdhjetë e katër për qind e punëdhënësve raportojnë për mungesë të fuqisë punëtore, sipas një studimi të qeverisë. Metodat e rekrutimit janë pothuajse standarde. Punëdhënësit madje u ofrojnë punonjësve të rinj pushime të paguara.

Një pengesë për rritjen është se holandezët gëzojnë javën mesatare më të shkurtër të punës në krahasim me botën tjetër të zhvilluar, vetëm 30.3 orë. Gjashtë punëtorë në 10 – kryesisht gra – punojnë ose me kohë të pjesshme ose të përkohshme. Qeveria po planifikon një bonus për këdo që shkon me kohë të plotë në punë, por shumë njerëz preferojnë kapuçino gjatë ditës, në kafenetë.

Importimi i më shumë punëtorëve migrantë nuk është një ide e preferuar. Në qershor, e djathta ekstreme kritikoi ministrin që kërkoi të rekrutoheshin të rinj nga periferitë e varfra franceze. Studentët e huaj që vërshojnë nëpër universitetet holandeze nuk mund të gjejnë dot as strehim. Mes një krize energjetike, holandezët po mbyllin rezervën më të madhe të gazit natyror në Evropë, sepse, në një vend të mbushur me njerëz, shkaktohen “tërmete” nga shpimet.

ASML është lider global në pajisjet e prodhimit të çipave. Me bazë në një qytet të vogël në juglindjen relativisht të qetë holandeze, kompania punëson qindra punonjës të rinj çdo muaj, por u kërkon atyre që thjesht të përpiqen të gjejnë shtëpi dhe kujdestarë të fëmijëve.

Fermat produktive holandeze e kanë bërë këtë vend të vogël eksportuesin e dytë më të madh bujqësor në botë. Por shumë nga 15 milionë derrat dhe lopët e Holandës jetojnë pranë zonave të mbrojtura natyrore, kështu që emetimet e tyre të azotit shkelin ligjet e BE-së. Qeveria po zemëron fermerët duke mbyllur disa ferma. Në teori, kjo liron hapësirë për shtëpi të reja, por kush do t'i ndërtojë ato dhe ku do të qëndrojnë ndërtuesit? Me pak fjalë, për të përdorur gjuhën e Liz Truss, realiteti holandez është krijuar si një koalicion kundër rritjes ekonomike.

Edhe automatizimi nuk do të rregullonte sektorë si kujdesi për të moshuarit dhe ndërtimi. Përfundimisht, vendit mund t'i duhet të synojë "stabilizimin e madhësisë së popullsisë" duke kufizuar migrimin për motive punësimi, këshilloi kreu i inspektoratit holandez të punës.

A ka nevojë një vend i pasur për më shumë rritje dhe që po ashtu emeton karbon? “Sandra Phlippen, kryeekonomistja e ABN Amro Bank vëren se, “kemi parë vitet e fundit se si njerëzit në ekonomitë e ndenjura “bëhen të zemëruar dhe të pakënaqur”.

/a.m/ Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH