Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 83 për qind e shqiptarëve duan të largohen! Cilët janë ‘arkitektët e projektit të shkatërrimit’

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 83 për qind e shqiptarëve duan të largohen!

Aranit Muraçi

Javën e kaluar, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama hodhi poshtë me zemërim përkufizimin e shqiptarëve nga Sekretarja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar Suella Braverman, si emigrantë të paligjshëm dhe kriminelë, gjatë vizitës së tij në Londër. Shqiptarët ikin dhe e braktisin vendlindjen e tyre, sepse kërkojnë një jetë më të mirë dhe në këtë drejtim nuk kanë asgjë për të humbur.

Autoritet britanike gjatë vitit të fundit kanë ngritur shqetësimin se ka pasur një fluks vazhdimisht në rritje dhe të shpejtë të numrit të emigrantëve shqiptarë që kalojnë detin për t’u futur ilegalisht në Britaninë e Madhe. Shqiptarët sipas vlerësimeve zyrtare përfaqësojnë rreth një të tretën e emigrantëve të paligjshëm, që kërkojnë strehim në Mbretërinë e Bashkuar.

Në vitin 2020, vetëm 50 shqiptarë mbërritën me varka të vogla. Në vitin 2021, kaluan 800. Në vitin 2022, mbërritën 12,301. Shumë prej tyre janë të rinj beqarë. Sipas Eurostat, shifrat përfaqësojnë rreth një për qind të meshkujve shqiptarë, në moshë pune.

Hulumtimi i “Balkan Barometer” tregon se 83 për qind e qytetarëve shqiptarë duan të largohen nga Shqipëria. Ndërsa disa largohen me çdo mjet të mundshëm, rreth 50 për qind të tjerë zgjedhin të largohen përmes rrugëve ligjore dhe aplikojnë për punë.

Në fakt, profesionistët e sektorit shëndetësor, mjekë dhe infermierë, përbëjnë sektorin më të madh të shqiptarëve që kërkojnë ta nisin karrierën jashtë vendit. Një studente e mjekësisë tha se u largua nga Shqipëria pasi nuk kishte fonde, për të paguar qëndrimin e saj. Ajo shpjegoi se është thjesht e pamundur të kalosh tetë vjet pa të ardhura, duke paguar edhe gjatë specializimit në Shqipëri (pa llogaritur problematikat e tjera).

Ndërsa autokracitë u shembën në Evropën Lindore në fillim të viteve 1990, shqiptarët kishin pritshmëri të mëdha, se demokracia dhe ekonomia e lirë e tregut do të sillte një jetë më të mirë për ta. Por tranzicioni i tejzgjatur i Shqipërisë nga diktatura në demokraci, nga mënyra sesi rrodhën ngjarjet, i ka zhgënjyer shumicën dërrmuese të shqiptarëve.

Ekonomia e Shqipërisë u shpërbë në vitin 1996 kur skemat piramidale u shembën, duke marrë me vete kursimet personale të qindra mijëra qytetarëve, brenda natës, para të fituara me djersë prej tyre kryesisht në emigracion. Mijëra shqiptarë u nisën nga sytë këmbët, shumë drejt drejt maleve të Greqisë, të tjerë për në Itali; nuk ishin pak ata që humbën jetën në det. Shembja e skemës piramidale shkatërroi shpresat e tyre, që në vitet e para. Autorët e skemave jo vetëm që nuk mbajtën asgjë përgjegjësi, por i gjen sot në politikë, në universitete apo në banka, si me të njëjtin “projekt” për ta çuar atē deri në fund, duke shkatërruar mundin dhe djersën e të rinjve të punës, më të talentuarve, duke i demoralizuar dhe duke i larguar ata çdo vit nga Shqipëria.

Ekonomia e Shqipërisë në dukje edhe pse është rimëkëmbur me kalimin e viteve, në këndvështrimin e të huajve, nuk jep shpresë sepse nuk ka garë. Tirana, kryeqyteti i vendit, është mbushur me kulla prej xhami. Pavarësisht nga një bollëk opsionesh të ngrënies në hotele dhe restorante me pesë yje, varfëria është ende endemike. Restorantet e bukura janë të paarritshme për shumicën e shqiptarëve  të mbetur që rraskapiten në sektorin e bujqësisë.

Shumë banorë të zonave rurale kultivojnë kanabisin, si një kulturë parash më fitimprurëse se frutat dhe parimet, apo shalqini. Bandat kriminale janë të pranishme kudo, duke eksportuar drogë në Evropën Perëndimore. Janë ato që lehtësojnë edhe udhëtimin e shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe. Pas mbërritjes në Britani, emigrantët e paligjshëm shpesh të mashtruar përfshihen në botën kriminale. Paratë që fitohen shpejt, nga trafiku i drogës, armëve dhe njerëzve, kanë gërryer vlerën e punës së palodhur dhe integritetit moral, me të cilët është identifikuar ndër shekuj karakteri i shqiptarëve.

Nuk ka asgjë më demoralizuese për popullin shqiptar se fakti që, edhe pse rreth gjysma e popullsisë punon sot në emigracion, nga ana tjetër në vendin që kanë lënë pas vijon prapambetja historike. PS ka një dekadë në pushtet dhe është atrofizuar prej kaq shumë vitesh por mund të mos kishte qëndruar gjatë në detyrë, nëse do të kishte përballë një opozitë dhe alternativë tjetër.

Shqipëria është një anëtare e NATO-s, një vend kandidat për në BE dhe e rreshtuar me vendet e tjera perëndimore, në përpjekjet e saj, që synojnë të luftojnë ekstremizmin e dhunshëm. Perëndimi mund ta ndihmojë Shqipërinë të ketë sukses, që qytetarët dhe kryesisht të rinjtë ta shohin të ardhmen e tyre në Shqipëri, duke e ndihmuar atë në adresimin e shkaqeve rrënjësore të dëshpërimit të shqiptarëve. Bashkëpunimi ekonomik është pikënisja, e ndjekur nga masat për forcimin e institucioneve demokratike dhe funksionimit të pluralizimit në Shqipëri.

Perëndimi mund dhe duhet ta ndihmojë vendin tonë për të dalë nga kjo situatë, por nga ana tjetër Shqipërisë i duhet të mbajë drejtimin e saj, për të ndihmuar veten.

E përshtatur nga një artikull i marrë në web-in që trajton politikat e Bashkimit Europian; https://euobserver.com/opinion/156877

/Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH