Politikë

80 mijë dollarë për foto me Obamën, PD: Rama të hetohet

Shkruar nga Liberale
80 mijë dollarë për foto me Obamën, PD: Rama të hetohet

Kërkesa e opozitës vjen pasi një gjykatë në Shtetet e Bashkuara dënoi me 4 muaj burg 61-vjeçarin William Argeros për kontribut të paligjshëm nga një i huaj në një komitet të përbashkët për mbledhjen e fondeve për presidentin Barack Obama në vitin 2012

 Partia Demokratike i  ka kërkuar prokurorisë të nisë hetimet për financimin e paligjshëm të 80 mijë dollarëve, të paguar nga Edi Rama për foton me Presidentin e SHBA, Barack Obama në vitin 2012. Kërkesa e PD-së i është dërguar prokurorisë pas vendimit të gjykatës amerikane për të dënuar me burg William Argeros, shtetas amerikan, që ka paguar 80 mijë USD për llogari të Edi Ramës. Këtë e pohoi në gjyq avokati i William Argeros, të cilin Zëri i Amerikës dhe media të tjera ndërkombëtare e citojnë të ketë thënë se “klienti i tij ka vepruar në emër të një kandidati për postin e kryeministrit në Shqipëri, i cili dëshironte një foto të realizuar me zotin Obama.

“Avokati Azzarello tha se kandidati ishte Edi Rama, i cili aktualisht është kryeministër i Shqipërisë. “Shuma prej 80 mijë USD vjen nga një burim i paligjshëm dhe nuk është deklaruar as nga Edi Rama dhe as nga Partia Socialiste e Shqipërisë. Prokuroria shqiptare, bazuar në këtë rrethanë të re, të bërë publike nga “Zëri i Amerikës”, ka detyrimin që të nisë menjëherë procedimin penal, për t’i dhënë përgjigje pyetjeve për burimin e financimit prej 80 mijë USD që Edi Rama ka paguar dhe nuk i ka deklaruar.”-thuhet në kërkesën e PD. Për këtë arsye, selia blu i drejton i drejton nëntë pyetje për financimin e paligjshëm të Edi Ramës për foton me Obamën dhe 3 veprat penale për të cilat duhet të hetohet Edi Rama.

Kërkesa e Partisë Demokratike vjen pasi një gjykatë në Shtetet e Bashkuara dënoi me 4 muaj burg 61-vjeçarin William Argeros për kontribut të paligjshëm nga një i huaj në një komitet të përbashkët për mbledhjen e fondeve për presidentin Barack Obama në vitin 2012. Në kohën kur shpërtheu ky debat, në verën e vitit 2016, zyra e shtypit e kryeministrit, deklaroi se as nuk ka marrë pjesë në ndonjë organizim elektoral të Presidentit Obama dhe as nuk ka kryer ndonjë pagesë, për të marrë pjesë në një organizim të kësaj natyre. Ndërsa lidhur me njohjet e tij me Bilal Shehun, u shpjegua se ai “është pjesëtar i komunitetit shqiptar në New York dhe është takuar me delegacionin shqiptar në SHBA në vitin 2012. Por në mënyrë kategorike nuk ka patur asnjë lloj veprimi financiar nga ana e Edi Ramës për të realizuar fotografinë e takimit me Presidentin Obama”.

 9 pyetjet e PD për Ramën dhe 3 shkeljet e evidentuara

  1. Ku i gjeti Edi Rama 80 mijë dollarë në një kohë kur, sipas deklarimit të tij të pasurisë, ai nuk zotëron një pasuri të tillë në vitin 2012?
  2. A janë këto para të përfituara nga korrupsioni apo janë financim nga një burim i paligjshëm dhe i padeklaruar?
  3. Cili është burimi i këtyre parave?
  4. Çfarë kanë marrë sponsorizuesit në këmbim të këtyre parave? 5. Çfarë përfitoi në këmbim të këtij veprimi Edi Rama?
  5. Pse nuk është deklaruar si shpenzim kjo shumë e konsiderueshme prej 80 mijë dollarë?
  6. A është deklaruar ligjërisht disponimi i shumës prej 80 mijë dollar nga shtetasi Edi Rama, në kuadër të detyrimit të tij për deklarimin e pasurisë për vitin 2011, si Kryetar i Bashkisë Tiranë dhe a janë paguar taksat dhe detyrimet e tjera financiare ndaj shtetit shqiptar, për këtë shumë?
  7. Si është siguruar shuma prej 80 mijë dollarë nga shtetasi Edi Rama dhe a është ajo ligjërisht e justifikuar?
  8. Nëse shuma prej 80 mijë dollarë nuk është deklaruar dhe nuk është ligjërisht e justifikuar, a është kjo shumë produkt i një vepre penale a veprimtarie kriminale të kryer nga shtetasi Edi Rama apo financuesi i tij?.

Tre veprat penale

  1. “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar në nenin 245/1 të Kodit Penal;
  2. “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal;
  3. dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

/Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH