Globi

SHIFRA E DITËS: 77- vjet pas kapitullimit, a do të rikthehen fashistët në Itali?

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 77- vjet pas kapitullimit, a do të rikthehen

Aranit Muraçi

Kanë kaluar 77 vite nga kapitullimi fashist, ndërsa rreziku i rikthimit të ekstremistëve duket gjithmonë e më i madh në Europë. Ashtu siç lulëzoi fashizmi kur përfitoi nga kriza ekonomike mes dy luftërave botërore, i njëjti rrezik po i paraqitet aktualisht kontinentit tonë.

Italianët do të votojnë të dielën në ato që po konsiderohen si zgjedhje vendimtare, ndërsa Evropa vuan pasojat e rënda ekonomike të luftës së Rusisë në Ukrainë. Për herë të parë në Itali, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, zgjedhjet mund të rikthejnë një udhëheqës të ekstremit të djathtë në krye të qeverisë.

Rritja e kostove të energjisë dhe rritja e shpejtë e çmimeve për produktet ushqimore pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia kanë goditur shumë familje dhe biznese italiane. Mbi këtë sfond të zymtë, Giorgia Meloni me partinë e saj - me rrënjë neofashiste – shihet si ndër kandidatët kryesorë për të fituar zgjedhjet parlamentare të Italisë.

Zgjedhjet mund të jenë një rast prove, nëse ndjenjat e së djathtës ekstreme do të fitojnë më shumë terren në Bashkimin Evropian me 27-vende anëtare, apo do të zbehen siç ndodhi në Francë. Kohët e fundit, edhe një parti e krahut të djathtë në Suedi ka rritur popullaritetin e saj, duke shfrytëzuar frikën e njerëzve, për krimin dhe pasiguritë në rritje gjatë viteve të fundit.

Në Itali partneri kryesor i Melonit është kreu i partisë së krahut të djathtë Matteo Salvini, i cili po ashtu fajëson emigrantët për nivelin në rritje të krimit. Salvini ka qenë prej kohësh një nxitës dhe përkrahës i vendosur ideologjik i qeverive të krahut të djathtë, edhe në Hungari e Poloni.

Salvini, i cili bazën e tij të votuesve e ka kryesisht te pronarët e bizneseve në veri të Italisë, ka shfaqur adhurim dhe ka mbajtur veshur bluza pro-Putinit edhe në të kaluarën, sikurse gjithashtu ka vënë në pikëpyetje vendimin për sanksionet ekonomike perëndimore kundër Rusisë, duke thënë se ato mund të dëmtojnë shumë interesat ekonomike të Italisë.

Nathalie Tocci, drejtore e Institutit të Çështjeve Ndërkombëtare thotë se Presidenti rus Vladimir Putin, i cili urdhëroi pushtimin e Ukrainës nga Moska më 24 shkurt, po luan 'kumar' dhe beson se "Evropa do të thyhet" nën peshën e problemeve ekonomike dhe energjetike të shkaktuara nga lufta.

Publikimi i sondazheve u ndërpre 15 ditë përpara votimit të së dielës, por para kësaj date ato treguan se partia e Melonit do të votohej si parti e parë, me një diferencë të lehtë karshi Partisë Demokratike të qendrës së majtë, e kryesuar nga ish-kryeministri Enrico Letta.

Aleanca e fushatës së zgjedhjeve në Itali që lidh Melonin me aleatët konservatorë Salvini dhe ish-kryeministrin Silvio Berlusconi i jep një avantazh të qartë atyre ndaj Lettës, nën sistemin kompleks elektoral të Italisë, për ndarjen e vendeve në Parlament.

Letta nuk ia doli të krijonte një aleancë me lëvizjen populiste të majtë “5 Yjet”, partia më e madhe në legjislaturën në largim dhe kjo përçarje shihet si një tjetër arsye e rritjes dhe mundësisë për të fituar më tepër vota ekstremi i djathtë. Nga ana tjetër, partia e vogël e të Gjelbërve të Italisë, një partnere e fushatës së Letta-s, parashikohet të marrë pak vende në Parlament.

Ndërsa konsiderohet një moment i vështirë për Evropën, zgjedhjet e së dielës mund të kenë pjesëmarrjen më të ulët të regjistruar ndonjëherë nga Italia moderne. Zgjedhjet e fundit, në vitin 2018, patën një pjesëmarrje prej 73%. Anketuesi Lorenzo Pregliasco thotë se këtë herë përqindja mund të bjerë deri në 66%, dhe të lëkundurit apo indiferentët dihet që nuk janë përkrahës të zakonshëm të ekstremeve politike, çka shihet si një tjetër favor për zgjimin e tyre.

Analistët thonë po ashtu se tre koalicionet e fundit dhe të ndryshme qeverisëse të Italisë, duke përfshirë edhe zgjedhjet e kaluara i kanë lënë italianët “të pakënaqur e të zhgënjyer. Ata nuk e shohin aktualisht votën e tyre si diçka që ka rëndësi.”

Kritikët e Melonit janë të shqetësuar se ajo nuk ka bërë ende një distancim të qartë nga rrënjët e partisë së saj, një lëvizje neofashiste e themeluar nga nostalgjikët e diktatorit Benito Musolini pas katastrofës së regjimit të tij në Luftën e Dytë Botërore. Megjithëse gjatë fushatës, ajo deklaroi se “kjo nuk përbën rrezik për demokracinë”.

Një kandidat i partisë së Melonit në Siçili u pezullua pasi postoi fraza në mediat sociale që tregonin vlerësime për Hitlerin, kurse një prej bashkëthemeluesve të Melonit u kap duke bërë përshëndetje fashiste, në funeralin e një të afërmi të tij. Ashtu si në Itali, edhe në Francë ekstremin e djathtë e udhëhoqi një grua, e cila, megjithatë i humbi për herë të dytë zgjedhjet. Por ajo që vërehet aktualisht është se ekstremistët po zgjohen dhe po “maskohen” me lidershipin e grave, me qëllimin për t’iu dhënë turmave imazhin e “butësisë” së tyre.

Për vite të tëra, krahu i djathtë ka luftuar kundër imigracionit të shfrenuar, pasi qindra mijëra emigrantë mbërrijnë në brigjet e Italisë me varka apo anije kontrabandë. Si Meloni ashtu edhe Salvini kanë qenë kategorikisht kundër asaj që ata e shohin si një pushtim i të huajve, duke cënuar sipas tyre karakterin “e krishterë” të Italisë.

Disa analistë politikë thonë se shqetësimet për çështjen fashiste nuk janë shqetësimi i tyre kryesor. Meloni shërbeu si ministër i Rinisë në qeverinë e fundit të Berlusconit, ndërsa ata i druhen më tepër partnerit të saj kryesor në koalicionin e krahut të djathtë, Salvinit.

Përpara zgjedhjeve parlamentare të Italisë, kudo në kontinentin tonë forca dhe liderë me prirje autoritare presin një fitore të së djathtës ekstreme italiane. Edhe në Shqipëri ish-kryeministri Sali Berisha njoftoi se pati një telekonferencë me koordinatorin kombëtar të Forza Italia, ku edhe fitoi përkrahësit shqiptarë në vendin fqinj që të votojnë ekstremin e djathtë, duke argumentuar se me ta është në koalicion ish-kryeministri dhe miku i tij, Silvio Berlusconi. Mirëpo koalicioni i ekstremit të djathtë ka dalë hapur kundër emigrantëve, fakt ky që injorohet përballë interesit që kanë të gjithë ata politikanë, lidershipi i të cilëve udhëhiqet nga një stil autoritar, interesi politik personal i të cilëve dominon mbi gjithçka tjetër.

Me siguri larg Perëndimit, diku në lindje, Vladimir Putin është përkrahës i politikës së tyre dhe mezi pret fitoren e ekstremit të djathtë për të realizuar edhe ai objektivin e tij. Sidoqoftë, Italia vështirë se mund të luajë ndonjë rol dhe të tërheqë pas vetes demokracitë e tjera të konsoliduara perëndimore që nuk kanë problemet e saj ekonomike, si në SHBA, Gjermani, Britani dhe Francë.  /Liberale.al/   

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH