Aranit Muraçi
Për shkak të krizës energjetike, Europa në mënyrë të papritur, për të shpëtuar nga dimri i ftohtë dhe kriza e çmimeve duhet të shkojë deri në Norvegji, kufiri i saj verior. Shembulli më i mirëfilltë është ai i vitit 1870, kur dy ushtarë francezë u përpoqën t’i shmangeshin një rrethimi mujor prusian të Parisit, duke përdorur një balonë me ajër të nxehtë dhe duke ofruar planin e tyre luftarak për trupat jashtë qytetit. Por plani i tyre nuk shkoi mirë. Ajo që ishte menduar si një shëtitje e shkurtër në fshat u bë një odise 19-orëshe pas erërave të forta mbi tokë dhe det. Ata përfundimisht u përplasën dhe u ndalë në një mal të akullt në perëndim të Oslos moderne, rreth 1,400 km nga destinacioni i synuar prej tyre.
Vendasit të mahnitur nga mjetet fluturuese nxituan dhe mirëpritën francezët në kryeqytet, të cilët kishin ngrirë nga i ftohti, aq sa u rrezikohej jeta. U organizuan festa për nder të tyre, u shkruan poezi, u konsumua shumë shampanjë, madje norvegjezët shpallën simpati edhe për Francën. Ushtarët pasi e morën veten u larguan një javë më vonë me 23,800 franga donacione publike, një shumë e konsiderueshme. Incidenti, sipas Paal Frisvold, një analist politik, tregoi se populli i Norvegjisë kishte “një dëshirë të madhe për të treguar simpati dhe mbështetje për të zgjidhur konfliktet në Evropë”.
A ngjallin luftërat akoma pasionin e dikurshëm në zemrat norvegjeze? Për muaj të tërë, ndërsa ukrainasit kanë luftuar dhe evropianët po dridhen nga çmimet e ushqimeve dhe faturat e tyre të energjisë, vendi më i pasur i kontinentit (para tyre të ardhurat për frymë i ka vetëm Luksemburgu) edhe pse po vuan nga inflacioni si çdo vend tjetër, ndodhet në një situatë më komode. Furnizimi me energji në Evropë ka qenë gjithmonë fitimprurës për Norvegjinë, eksportuesin e katërt më të madh në botë të gazit natyror. Që kur Rusia, dikur rivalja e saj në mbajtjen e ngrohtë të Evropës, teksa i ktheu tubacionet në armë, Norvegjia po sheh përfitime të mëdha. Ndërsa lufta dhe kriza që pasoi aktualisht po zvarriten, shumat që derdhen në veri për shkak të situatës po shoqërohen me akuza, pasi një vend i prirur për imazhin e tij si një forcë që lufton për të mirën në botë duhet të shmangë përfitime nga lufta.
Të ardhurat mesatare të qytetarëve norvegjezë llogariten aktualisht në 4.600 euro, tetë herë më të larta se ato në Shqipëri. Inflacioni i muajve të fundit për një vend si Norvegjia mund të mos jetë aspak shqetësues, nisur edhe nga fakti që ky vend pret që të shtojë përfitimet nga shitja e gazit në Europë, mund të ketë një perspektivë ekonomike shumë herë më të mirë se tani.
Një vend i vogël, historikisht një vend i varfër, pa ndonjë perspektivë ekonomike, dhe pa asnjë rol në gjeopolitikë, me gjysmën e popullsisë së saj pranë varfërisë ekstreme, nuk mund të krahasohet me vendet më të pasura në Europë, ndonëse mund të ketë një normë të njëjtë inflacioni me Norvegjinë dhe Finlandën.
Politikisht mund të krahasohemi me çdo vend të pasur. Me sipërfaqe dhe popullsi, si shembull, jemi më mirë se Luksemburgu. Fuqia blerëse dhe GDP konsiderohen matësit kryesorë të mirëqenies së qytetarëve dhe rritjes ekonomike të një vendi. Sipas Instat, nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Gusht, Shqipëria ndodhet në një situatë komode, poshtë mesatares së vendeve të BE-së, mes Norvegjisë dhe Finlandës.
Ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Gusht 2022 është 7,7 %. Rritja më e madhe e çmimeve prej 14,4 % vërehet në grupin “Transporti”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 13,3 %. Më pas vijnë “Pije alkoolike dhe duhan” me 5,5 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 4,9 %, si dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 4,7 % secili. “Veshje dhe këpucë” me 2,8 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,7 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2,4 %, “Shëndeti” me 1,3 %, “Shërbimi arsimor” me 1,2 % dhe “Komunikimi” me 0,8 %.
Në muajin Gusht 2022, sipas Instat, ka pasur sërish rritje të lehtë të çmimeve. Ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,7 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Argëtim dhe kulturë” me 4,4 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,3 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,6 %, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje”, me 0,4 % secili, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,3 %, “Komunikimi” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,2 % secili. Vetëm çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,2 %.
Fakti që janë rritur më tepër ushqimet dhe transporti, ato që zënë peshën kryesore në konsumin e shqiptarëve, nuk është një e dhënë pozitive për xhepat e shumicës dërrmuese të qytetarëve. /Liberale.al/