Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 724 shqiptarë dorëzuan shtetësinë për vitin 2021, më pak të huaj e morën atë

Shkruar nga Liberale

Nga Aranit Muraçi

Si të mos mjaftonte numri më i lartë i vdekjeve sesa ai i lindjeve për vitin që shkoi, emigracionin masiv vit pas viti, edhe një tregues ngre alarmin për shpopullim e popullsisë.

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, në vitin 2021 janë regjistruar  27,284 lindje dhe 30,580 vdekje. Për herë të parë që kur ka nisur regjistrimi i popullsisë, shtesa natyrore ka rezultuar negative, me 3,296 të vdekur më tepër sesa numri i të lindurve në një vit.

Ndoshta shifra është e papërfillshme, por më shqetësues është trendi negativ. Për vitin 2021, e kanë lënë shtetësinë shqiptare 13 persona më shumë se numri i atyre që e kanë fituar shtetësinë tonë për të njëjtin vit, ndërsa shqiptarët kërkojnë azil në vendet e BE-së, azilkërkuesit që kanë fituar statusin në vendin tonë janë kryesisht nga Afganistani dhe Siria.

Vitin e fundit 711 persona kanë fituar shtetësi shqiptare, sipas INSTAT, duke pësuar rritje me 68,1%, krahasuar me vitin 2020, nga të cilët 443 persona që kanë fituar shtetësinë Shqiptare janë meshkuj dhe 268 femra. Vihet re një dominim i meshkujve me 62,3%.

Në vitin 2021, rezultojnë 724 persona të cilët kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare, duke pësuar rritje me 41,1%, krahasuar me vitin 2020. Po të analizojmë të dhënat sipas gjinisë, vëmë re se 403 persona që kanë lënë shtetësinë Shqiptare janë femra dhe 321 meshkuj.

Gjatë vitit 2021 grup-mosha që dominon është 30-39 vjeç me 31,5% të personave që kanë fituar shtetësinë Shqiptare e ndjekur me grup-moshën 20-29 vjeç dhe 40-49 vjeç me 22,9% dhe 19,3% respektivisht.

Për personat që kanë lënë shtetësinë Shqiptare grup-mosha që dominon është 30-39 vjeç me 38,8% e ndjekur me grup-moshën 40-49 vjeç dhe 20-29 vjeç, me 23,9% dhe 18,6%, respektivisht.

Po sipas të dhënave të INSTAT, numri i azilkërkuesve në Shqipëri arriti në 2533 azilkërkues, duke pësuar rritje me 13,5% krahasuar me 2020.

Sipas përllogaritjeve të INSTAT, azilkërkuesit me origjinë nga Afganistani zënë 98,6 % të azilkërkuesve gjithsej në 2021 dhe rezultojnë 2.498 persona. Duke analizuar vendin e origjinës së azilkërkuesve në 2021 kuptojmë se, shumicën e rasteve e përbëjnë ato me origjinë nga Afganistani me 2.498 azilkërkues, duke vijuar me 19 azilkërkues nga Siria.

Duke parë kërkesat për azil sipas muajve, piku i aplikimeve kanë qenë në muajt Shtator, nëntor, të cilët përbëjnë 76,4% të azilkërkuesve gjithsej. Kjo si pasojë e situatës politike në Afganistan.

Gjatë 2021 rezultojnë 7 vendime pozitive për dhënie të statusit të mbrojtjes plotësuese për azilkërkuesit, nga këto raste 4 i përkasin shtetasve nga Afganistani dhe 3 Siria./Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH