Aranit Muraçi
Një protestë e pedagogëve për nivelin e pagave në Shqipëri dhe refuzimi i qeverisë për t’iu plotësuar kërkesat duket se shërbeu si një mundësi e mirë për të demoralizuar kategoritë e tjera, që të mos ngrihen në protestë dhe të kërkojnë rritje pagash. Në mungesë të sindikatave, teksa çmimet rriten dhe kostoja e jetesës për një pjesë të mirë të popullsisë është bërë e papërballueshme, largimi i shqiptarëve, sidomos i të rinjve dhe i krahut më aktiv të punës, shihet si ndoshta e vetmja zgjidhje.
Në vitin 2020, paga mesatare vlerësohej sipas të dhënave të ‘Open Data’ në 436 Euro për Shqipërinë, më e ulëta në rajon dhe shumë larg pagës mesatare të vendeve të BE-së. Me rritjen e çmimeve, ndonëse të dhënat e fundit me rënien e monedhës europiane tregojnë se paga mesatare është rritur në 540 euro (rreth 60 mijë lekë të rinj), të ardhurat e shqiptarëve për të përballuar krizën e fundit të çmimeve, pas dy krizave të tjera të njëpasnjëshme që kaluan, siç ishin tërmeti dhe pandemia, jo vetëm konsiderohen të pamjaftueshme, por ndonjëherë edhe të mjerueshme për një pjesë të mirë të popullatës.
Para krizës së fundit qytetarë shqiptarë vlerësoheshin me pagat më të ulëta në rajon, ndërsa një krizë e tillë po ndihet dhe po vë në vështirësi edhe qytetarët e vendeve më të zhvilluara në botë, sidomos kategoritë që paguhen nën pagën mesatare.
Inflacioni dhe një ngadalësim global i rritjes ekonomike për shkak të luftës në Ukrainë dhe krizës globale të energjisë po shkaktojnë një “rënie të vazhdueshme“ të pagave reale mujore në shumë vende, thuhet në raportin e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO). Kriza, thuhej në raport, po redukton gjithashtu fuqinë blerëse të shtresave të mesme dhe po godet veçanërisht familjet me të ardhura të ulëta.
Raporti Global i Pagave 2022-2023 mbi ndikimin e COVID-19 dhe inflacionit mbi pagat dhe fuqinë blerëse, i përgatitur nga ILO, u publikua në Gjenevë. Raporti zbulon se indeksi mesatar i pagave reale për Indinë, vend që klasifikohet në kategorinë e ekonomive në zhvillim të G20, pësoi një rënie të menjëhershme pas pandemisë. “Midis ekonomive në zhvillim të G20, Kina vazhdon të dominojë renditjen në rritjen e pagave reale, me vlerësime që tregojnë se pagat mujore në 2022 ishin rreth 2.6 herë më shumë se vlera e tyre reale në 2008. Përveç Meksikës, në 2022 të gjitha ekonomitë në zhvillim të G20 shfaqnin paga mesatare mujore që janë më të larta në terma realë se niveli bazë (2008)”, thuhet në raport.
Raporti shtoi se pavarësisht rritjes më të shpejtë të pagave midis ekonomive në zhvillim të G20, kishte ende një hendek të rëndësishëm midis nivelit mesatar të pagave dhe atij të ekonomive të përparuara të G20. “Konvertimi i pagave mesatare të të gjitha vendeve të G20 në dollarë amerikanë duke përdorur kurset e këmbimit bazuar në barazinë e fuqisë blerëse, jep një pagë mesatare të thjeshtë prej rreth 4000 dollarë në muaj në ekonomitë e përparuara dhe rreth 1800 dollarë në muaj në ekonomitë në zhvillim” thuhet në raport.
Paga mesatare në Shqipëri vlerësohet aktualisht 7 deri në 8 herë më e ulët se paga mesatare në vendet e zhvilluara. E ndërsa çmimet dhe kostoja e jetesës rritet, shtresat në nevoja dhe klasa e mesme shohin gjithnjë e më tepër pasiguri.
ILO vlerësoi se pagat mujore globale ranë në terma realë në minus 0,9% në gjysmën e parë të 2022. Organizata e Kombeve të Bashkuara vuri në dukje se për këtë vit, për herë të parë në këtë shekull, rritja reale e pagave globale ka qenë negative. “Midis vendeve të përparuara të G20, pagat reale në gjysmën e parë të 2022 vlerësohet të kenë rënë në minus 2.2%, ndërsa pagat reale në vendet në zhvillim të G20 u rritën me 0.8%, 2.6% më pak se në 2019, një vit para COVID-19”, shpjegon raporti.
Drejtori i Përgjithshëm i ILO-s, Gilbert F. Houngbo tha se krizat e shumta globale kishin çuar në një rënie të pagave reale. “Ka vendosur dhjetëra miliona punëtorë në një situatë të tmerrshme pasi ata përballen me pasiguri në rritje,” tha ai. “Pabarazia në të ardhura dhe varfëria do të rriten nëse nuk ruhet fuqia blerëse. Për më tepër, një rikuperim shumë i nevojshëm pas pandemisë mund të vihet në rrezik. Kjo mund të nxisë trazira të mëtejshme sociale në të gjithë botën dhe të minojë qëllimin e arritjes së prosperitetit dhe paqes për të gjithë,” shtoi ai.
Raporti tha se inflacioni ishte arsyeja kryesore për uljen e të ardhurave dhe ndikimi më i madh ishte tek grupet me të ardhura të ulëta. Rritja e inflacionit pati një ndikim më të madh të kostos së jetesës për punonjësit me të ardhura më të ulëta, tha ILO, duke shtuar se ata duhej të shpenzonin pjesën më të madhe të të ardhurave të tyre të disponueshme për mallra dhe shërbime thelbësore, të cilat përgjithësisht përjetojnë rritje më të mëdha të çmimeve sesa artikujt jo thelbësorë. “Inflacioni po prek gjithashtu fuqinë blerëse të pagave minimale”, thuhet në raport.
ILO gjithashtu vuri në dukje se erozioni i fundit i pagave reale po komplikonte humbjet që shumë punëtorë kishin pësuar gjatë pandemisë dhe stanjacionin afatgjatë, në standardet e jetesës në disa vende, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, një nga katër ekonomitë e G20 ku pagat janë ende më të ulëta në terma realë se sa ishin në vitin 2008, kur bota u godit nga kriza financiare.
Bankierët qendrorë kanë vëzhguar nga afër zhvillimet e pagave, sepse ata janë të shqetësuar se inflacioni i lartë do të rrënjoset nëse punëtorët kërkojnë rritje pagash për të përballuar rritjen e kostove të jetesës, duke nxitur kompanitë të vazhdojnë të rrisin çmimet dhe nga ana tjetër duke e llogaritur kosto rritjen e pagës, çka do të thotë se në realitet nuk kemi të bëjmë me rritje page.
Guvernatori i Bankës së Anglisë, Andrew Bailey, tha të martën se çmimet e pagave në Mbretërinë e Bashkuar, në rreth 6.5 për qind, ishin “shumë më lart se ku do të prisnit”. . . në çdo situatë normale”. Edhe pse ata nuk ishin jashtë përputhjes me parashikimet e BoE, duke pasur parasysh rrethanat aktuale, “kjo nuk do të thotë se më pëlqen”, tha ai, ndërsa shtoi se shlyerjet e pagave duhet të strukturohen në mënyra që t’i japin më shumë mbrojtje më të paguarve.
Philip Lane, kryeekonomist në Bankën Qendrore Evropiane, tha javën e kaluar se edhe nëse rritja e lartë e pagave do të bënte presion në rritjen e inflacionit gjatë dy ose tre viteve të ardhshme, kjo nuk do të çonte domosdoshmërisht në ndonjë ndryshim të qëndrueshëm në dinamikën e pagave pas një “faze të plotësimit” fillestar. Ai tha gjithashtu se rritja e pagave në eurozonë duhet të përshpejtohet, duke nënvizuar nevojën që BQE-ja ta kthejë inflacionin në objektiv, në mënyrë që njerëzit të mos e shohin inflacionin e lartë si normal dhe të sillen në përputhje me rrethanat.
Si përfundim, a janë mundësitë për rritje reale të pagave në Shqipëri dhe nëse janë pse nuk rriten ato? Do të ishte më mirë të investohej për rritje pagash dhe simulim të fuqisë blerëse sesa të disa prej investimeve që nuk kthehen kurrë pas, për të mos e bërë krahasimin me shpërdorimin e vazhdueshëm të fondeve dhe parave publike.
/Liberale.al/