Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 7 deri në 15 për qind rritja e pagave, kush po përfiton nga kriza?!

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Këshilli i Ministrave miratoi disa vendime që lidhen me rritjen e pagave për disa kategori. Rritja parashikohet të jetë nga 7 deri në 15 për qind. Kjo rritje megjithatë, ndonëse e pjesshme nuk justifikon rritjen nga inflacioni i muajve të fundit dhe në gjuhën ekonomike “nuk konsiderohet e plotë si rritje” .

Kush kategori pritet të përfitojë?

- Policia e Shtetit, nivelet bazë, pra gjithë punonjësit e Policisë në nivel inspektorësh si dhe niveli i mesëm të kenë një shtesë page. Shtesa më e lartë është për nivelin bazë, shtesa në vijim është për nivelin e mesëm, respektivisht 15% dhe 7%. Po ashtu, e njëjta gjë vlen për Gardën e Republikës, kemi një shtesë page. E njëjta gjë vlen dhe për Policinë e Burgjeve, kemi një shtesë page. E njëjta gjë vlen për zjarrfikësit, kemi një shtesë page. E njëjta gjë vlen për administratën publike dhe jo vetëm për nëpunësit në shërbimin civil, por edhe për gjithë punonjësit mbështetës dhe të gjitha këto vendime hyjnë në fuqi menjëherë - tha kryeministri Edi Rama.

Kryeministri u shpreh se do të mbështeten edhe shtresat më në nevojë duke nisur nga pensionet që do të riindeksohen me rritje 9.5% në raport me vitin e shkuar, familjet në ndihmë ekonomike do të kenë një rritje me 10 %, gratë kryefamiljare me dy fëmijë dhe tre fëmijë do të kenë dyfishim të ndihmës ekonomike.

Fermerët dhe studentët mbeten më të penalizuarit, sepse nuk kanë fituar asgjë deri tani nga kriza.

Për të moshuarit mbi 65 vjeç që janë në kategorinë e ndihmës ekonomike bëhet dyfishim i ndihmës. Këto vendime të qeverisë vijnë në një kohë, kur vijon kriza energjetike dhe rritja e çmimeve prej luftës në Ukrainë. E tëra Europa i druhet një dimri më të vështirë për shkak të krizës energjetike. Më herët, gjatë krizës, si një tjetër vendim për të përballuar inflscionin në rritje është rritur edhe paga minimale duke shkuar në 32 mijë lekë (të rinj.)

Sipas vlerësimeve, kostoja e jetesës me rritjen e ndjeshme të çmimeve prej krizës është rritur (nga 60 deri në 80 mijë lekë të vjetra) që do të thotë se me të njëjtën sasi parash qytetarët blejnë më pak se një vit më parë. Ndërkohë paga minimale është rritur me vetëm 20 mijë lekë (të vjetra), ndërsa po aq është rritur edhe ajo mesatare duke shkuar sipas shifrave zyrtare në 600 mijë lekë (të vjetra).

[caption id="attachment_1279700" align="aligncenter" width="706"] Me ngjyrë portokalli paga minimale 2012, me blu si ka ndryshuar paga minimale 2022 (me jeshile paga mesatare)[/caption]

Sipas Eurostat, Shqipëria, pa ndonjë surprizë e ka pasur pagën minimale më të ulët krahasuar me vendet e BE-së (grafiku), edhe se Maqedonia e Veriut. Por në 2022 i është afruar Bulgarisë dhe Rumanisë, ndërsa ka tejkaluar disa disa vende të rajonit sa i përket pagës mesatare. Për të llogaritur fuqinë blerëse, niveli i çmimeve dhe rritja e tyre në vendin tonë nuk është për t’u lavdëruar, krahasuar me rajonin. Mjafton fakti që nafta në Shqipëri tregtohet me çmimin më të lartë në rajon, sikurse produktet ushqimore bazë kanë pësuar rritje dhe asnjëherë ulje (mielli, vaji, sheqeri, qumështi, mishi).

Sakaq, Parlamenti Evropian miratoi këtë muaj legjislacionin e ri për pagat minimale adekuate të BE-së. Vendimi përcakton, ndër të tjera, se vendet duhet të sigurojnë që pagat minimale që vendosin t'u lejojnë punëtorëve të kenë një jetesë të denjë, duke marrë parasysh koston e jetesës si dhe nivelin e përgjithshëm të pagave. Për të vlerësuar përshtatshmërinë e pagave të tyre minimale ligjore ekzistuese, shtetet anëtare mund të përdorin si referencë një shportë mallrash dhe shërbimesh me çmime reale, ose mund t'i vendosin ato në 60% të pagës mesatare bruto si dhe 50% të pagës mesatare bruto.

Shkalla e rrezikut të varfërisë të atyre që punojnë ishte 15.6% në Rumani në fund të vitit 2021, dyfishi i mesatares së BE-së, sipas Eurostat. Historikisht, shkalla e rrezikut të varfërisë për ata që janë  të angazhuar në punë në Rumani arriti një rekord të lartë prej 19.8% në dhjetor 2014, por ra  prej 14.9% në dhjetor 2020. Rumania dhe Bullgaria, dy vendet ballkanase në BE, konsiderohen edhe vendet me ekonominë më të dobët në eurozonë.

Pra, rritja si për kategoritë që do të përfitojnë, ashtu edhe për pagat, nuk është rritje reale, por lëvizje e një leve financiare, që krahas çmimeve, lëviz edhe pagat apo të ardhurat për xhepat e qytetarëve. Secili e bën më mirë llogarinë e xhepit të tij. /Liberale.al/ 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH