Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 7.5 inflacioni aktualisht, kush po e vuan më tepër rritjen e çmimeve dhe pse

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 7.5 inflacioni aktualisht, kush po e vuan më

Aranit Muraçi

Prodhuesit janë të parët që humbasin, veçanërisht kur rritja e inflacionit, si tani, varet nga faktorë si  ato të energjisë dhe lëndët e para. Faturat në rritje bëjnë që kostot e prodhimit të rriten. Përgjithësisht nuk është e mundur që rritja e tyre të transferohet automatikisht dhe menjëherë në listat e çmimeve. Fillimisht efekti i inflacionit ndihet në fitime për kompanitë, ose në kursime për qytetarët, por nëse ai zgjat apo rritja nuk ndalet, pasojat janë të rënda për të gjithë shoqërinë dhe ekonominë.

Për të luftuar inflacionin, arma më efektive mbetet në duart e bankave qendrore: siç është rritja e kostos së parasë, në mënyrë që të nxisë sistemin të shpenzojë më me mençuri. Rritja e normave të interesit sjell padyshim dëm për ata që kanë marrë para me norma të ndryshueshme: kompanitë për investimet e tyre, qytetarët për të blerë mallra ose prona. Është një dëm edhe për arkën e shtetit, e cila do të duhet të paguajë norma më të larta interesi për obligacionet e qeverisë (vendi ynë ka marrë një obligacion rreth 700 milion euro pak muaj para krizës).

Inflacioni në nivelet aktuale u bën dëm të gjithëve. Sidomos dëmton qytetarin e thjeshtë, i cili duhet të përballet në një treg të pazakontë me ‘çmime të çmendura’. Por edhe kompanitë vuajnë, sidomos në situata si kjo që po përjetojmë, ku rritjet e çmimeve vijnë kryesisht nga energjia dhe lëndët e para. Përfitojnë si zakonisht për pak kohë “dinakët”- disa tregtarë që abuzojnë me çmimet – por edhe ata në këtë situatë që po kalon Europa kanë pak për t’u gëzuar. Galopimi i inflacionit me normat aktuale, INSTAT e vlerëson + 7.5% në korrik, nuk është i mirë për askënd. EUROSTAT e vlerëson inflacionin në vendet e BE-së për muajin e fundit në +8.9 (më i larti në 3-4 dekadat e fundit). Rreziku është që gjithçka të ndalet dhe sistemi ekonomik të shkojë në recesion. Qeveritë europiane kanë nisur prej kohësh që t’iu vijnë në ndihmë shtresave më të goditura nga rritja e papritur e çmimeve. Për shembull pensionistëve në Itali, me pensionet më të ulëta, u është kompensuar rritja e çmimeve 100 për qind nga qeveria. Të tjerëve me pensione më të larta deri në 75 për qind. Gjithashtu janë kompensuar nga rritja e çmimeve edhe ata që kanë mbetur të papunë, apo mbahen me ndihma sociale, si dhe shtresa të tjera në nevojë.

Ata që rrezikojnë të pësojnë më shumë dëm nga të gjithë prej inflacionit të muajve të fundit janë punonjësit, si në administratën publike ashtu edhe në sektorin privat, të cilët me pagën e tyre fikse dhe gjithmonë të njëjtë duhet t’i bëjnë më mirë llogaritë, duke hequr disa shpenzime për të ruajtur të njëjtin standard jetese. Ata që kanë lënë disa kursime mënjanë, mund t’ia dalin duke përdorur “thesarin” e tyre, derisa gjërat të kthehen në normalitet (nëse kthehen). Edhe bizneset, fillimisht ato të vogla e të mesme, po humbasin nga rritja e çmimeve. Dikur thuhej se ishin ata që fitonin sepse me rritjen e inflacionit, falë edhe ndonjë rregullimi në “etiketë”, rritja e çmimit ishte gjithmonë më e lartë se inflacioni. Por në realitet, kjo krizë i paralajmëron edhe ata se nuk është ky rasti i mirë për të abuzuar. “Rregullimet” e çmimeve përtej inflacionit real dekurajojnë blerjet dhe çojnë në humbjen e klientëve. Kështu shumë biznese që konkurrojnë në treg të lirë janë duke e përballuar me faturën e rritjes së çmimeve për të mos humbur klientelën (shembull baret në Tiranë)

Inflacioni megjithatë nuk është gjithmonë i keq. Për të zhvilluar dhe rritur ekonominë, nevojitet një normë inflacioni prej rreth 2%. Nëse inflacioni zbret poshtë këtij niveli do të thotë se sistemi ekonomik ndodhet sërish në vështirësi, sepse fabrikat reduktojnë prodhimin prej rënies së kërkesës për produktet e tyre (ndodh ngopja e tregut nga prodhimi i tepërt me kosto të ulët). Nga rënia e shitjeve dhe më tej e prodhimit, punëtorët humbasin vendet e punës. Inflacioni në një nivel shumë të ulët, me çmime të qëndrueshme apo edhe në rënie, në dukje sjell përfitime afatshkurtra në llogaritë familjare, por në realitet është një simptomë e vështirësive të një sistemi ekonomik, që ecën mbrapsht. Rënia e ndjeshme e çmimeve krijon një efekt zinxhir, që është i dëmshëm për sistemin ekonomik: shumë kompani nga rënia e çmimeve nuk përballojnë mbijetesën dhe mbyllen; kështu humbasin vendet e punës, dhe nëse përfitimi i rënies së çmimeve nën 2 për qind shijohet në periudha afatshkurtra, në një kohë më të gjatë zvogëlohen të ardhurat e përgjithshme familjare dhe konsumohet më pak. Kompanitë e mbijetuara nga rënia e çmimeve, janë të detyruara të ulin kostot (përfshirë koston e punës) dhe zinxhiri vazhdon, ndërkohë vendi nis dhe varfërohet gjithnjë e më shumë, aq sa mund të shkojë në depresion, siç ndodhi me SHBA-të (Depresioni i Madh). Kur ekonomia lulëzon, njerëzit shpenzojnë, kompanitë punësojnë më shumë dhe të rinjtë gjejnë punë më lehtë. Inflacioni nuk duhet të jetë as më i lartë dhe as më i ulët nga ç’duhet të jetë, ndryshe në të dyja rastet nëse anormaliteti nuk ndalet, ekonomitë rrezikojnë të bien në recesion, siç po kërcënohen aktualisht ekonomitë e të gjitha vendeve të Europës.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH