Sport

INTERVISTA/ Suksesi i Kombëtares sjell miliona Euro, Armand Duka: Skuadra që fiton shet, synojmë dyfishin e të ardhurave në Europian

Shkruar nga Liberale

Kombëtarja e Shqipërisë siguroi kualifikimin e dytë historik në finalet e Europianit Gjermani 2024.

Sipas (UEFA), pagesa fikse e pjesëmarrjes për secilën nga federatat pjesëmarrëse në Euro 2024 do të jetë 9.25 milionë euro. Me kualifikimin për në Europian, kjo shumë është një e ardhur e siguruar nga FSHF.

Të ardhurat e tjera do të jenë në varësi të rezultateve sportive që do të sigurojë Kombëtarja.

Për çdo ndeshje të fituar në fazën e grupeve, ekipet do të përfitojnë 1 milion euro, ndërsa për çdo barazim do të marrin nga 500 mijë euro.

Në këtë mënyrë, e ardhura shtesë mund të arrijë deri në 3 milionë euro, në rast se Kombëtarja do të arrinte t’i fitonte të gjitha ndeshjet. Kjo do ta çonte të ardhurën maksimale të mundshme nga faza e parë, në grupe, në 12.25 milionë euro.

Më tej, kualifikimi për fazën e ardhshme, atë të të gjashtëmbëdhjetave, do të shoqërohej me një bonus shtesë prej 1.5 milionë eurosh.

Në rast se Kombëtarja kalon fazën e grupeve, FSHF do të përfitonte 10.75 milionë euro, plus të ardhurat nga fitoret ose barazimet e mundshme. Në rastin më të mirë, pra, të arritjes së tre fitoreve, e ardhura nga faza në grupe do të arrinte në 13.75 milionë euro.

Fushata e suksesshme eliminatore dhe kualifikimi për në Kampionatin Europian të vitit 2024 e ka bërë Kombëtaren Shqiptare më tërheqëse në këndvështrimin komercial.

Armand Duka, President i Federatës Shqiptare të Futbollit, thotë në një intervistë për “Monitor”, se objektivi është që këto të ardhura të dyfishohen në periudhën në vijim.

Megjithatë, Duka nënvizon se edhe shpenzimet e pjesëmarrjes në aktivitete të këtij lloji janë shumë të mëdha dhe një pjesë e madhe e shpërblimeve që do të përfitohen, do të shkojnë për mbulimin e këtyre shpenzimeve.

Sipas tij, FSHF po investon te shtimi dhe ndërtimi i fushave të reja në të gjithë territorin e Shqipërisë, duke filluar që nga lançimi i projektit “100 Fushat”.

Z.Duka thotë se qëllimi i kësaj nisme është përmirësimi dhe zhvillimi i infrastrukturës sportive në vend, me fokus përmirësimin dhe zhvillimin e futbollit si sport, duke filluar që nga akademitë dhe klubet.

Si e vlerësoni ndikimin e fushatës pozitive të eliminatoreve dhe kualifikimin në Kampionatin Europian në rritjen e atraktivitetit të Kombëtares shqiptare nga pikëpamja komerciale?

Ndikimi është në maksimumin pozitiv. Është një ligj i vjetër (i pashkruar) në marketingun sportiv, siç na ka mësuar më tej edhe përvoja e Europianit 2016: Skuadra që fiton, shet, madje dhe me lehtësi.

Ajo që ka qenë e veçantë kësaj radhe është që Kombëtarja u rrit dukshëm, në performancë dhe rezultate, ndeshje pas ndeshjeje.

Kualifikimi erdhi bindshëm, si një rezultat i ndërtuar me eksperiencë, pjekuri e duke punuar fort çdo ditë. Erdhi edhe falë vizionit që kemi pasur dhe objektivave strategjikë që kemi vendosur prej kohësh, të shoqëruara me investime të rëndësishme dhe infrastrukturë moderne.

Gjithashtu, fitorja me kundërshtarë të fortë edhe në fushën e tyre nuk ishte më një habi, kështu që tifozeria u gjallërua dhe entuziazmua ndjeshëm hap pas hapi.

Në këto kushte është e natyrshme që njerëzit të duan të vijnë në stadium, të blejnë bluza apo të ndjekin Kombëtaren dhe lojtarët në televizor, por edhe në mediat sociale.

Nëse mund të bëhet një llogaritje e përafërt, sa mund të përfitojë Kombëtarja Shqiptare nga kualifikimi në Kampionatin Europian të vitit 2024, duke përfshirë të ardhurat direkte dhe indirekte (sponsorizime, të ardhura nga marketingu, etj.)?

Sigurisht, që ne presim të mësojmë zyrtarisht shpërblimin që UEFA do të na caktojë për kualifikimin në finalet e Euro 2024, në një kohë që UEFA jep shpërblim edhe për fitoret në vazhdim.

Ndërkaq, të ardhurat e tjera, që janë direkte edhe ato, por nga të tjera burime janë për t’u llogaritur në potencial në këtë moment, pasi duhet parë si do të reagojë tregu në numra.

Mund të bëjmë ama parashikime mbi këtë dhe të flasim për objektiva. Federata gjeneron mesatarisht çdo sezon të ardhura të caktuara, siç janë edhe kontratat sipas sezoneve kualifikuese. Objektivi ynë është që këto të ardhura të dyfishohen në periudhën që na paraprin.

Ajo që duhet të kemi parasysh këtu është që në një kompeticion të madh siç është Euro 2024, edhe shpenzimet janë të konsiderueshme, të paimagjinueshme për tregun tonë.

Mund t’ju them se një pjesë e mirë e shpërblimeve që marrim nga kualifikimi për në finalet e Kampionatit Europian do të përdoren pikërisht për të mbuluar shpenzimet e pjesëmarrjes në këtë turne madhor.

Sa “shet” sot marka e Kombëtares shqiptare dhe sa arrin të përfitojë afërsisht FSHF nga sponsorë dhe marketingu?

Një pjesë e vlerave janë ato më lart, por të ardhura të tjera do të vijnë nga përqindjet që do të fitohen nga bluzat që do të shesë kompania Macron, si dhe nga kontrata të reja që do të lidhen, nga rritja e biletave të shitura.

Por tani nuk mund të parashikohen saktësisht. Nisma të tjera do të organizohen për të pasur një shërbim më të mirë për tifozët dhe publikun.

Sa ka arritur t’i shfrytëzojë deri tani FSHF të ardhurat nga produktet e lidhura me imazhin e Kombëtares (p.sh. uniformat, materialet sportive, produktet e përbashkëta të ofruara me sponsorët, etj.)?

Në vite të ndryshme ka të ardhura të ndryshme. Bluzat, për shembull, përfshirë edhe veshjet e tjera të Kombëtares, që janë produkti më i natyrshëm dhe i preferuar i tifozëve, arrijnë nivele të larta, edhe mbi 50.000 bluza në 2016-n në vetëm pak muaj, por mund të jenë edhe vetëm disa mijë të tilla, duke lëvizur po aq edhe në vlera për përqindjet e përfituara.

Për këtë Europian, shpresojmë të dyfishojmë shitjet dhe të bëjmë Kuqezi çdo stadium të Gjermanisë.

Çfarë efekti ka sjellë stadiumi i ri “Air Albania” në marketimin e Kombëtares dhe në përgjithësi, në të ardhurat e FSHF-së?

Gati-gati e pamatshme. Një stadium për një vend, për një vend të tërë është një aset shumë i rëndësishëm kombëtar. Është një lloj kartëvizite për çdo takim ndërkombëtar, ku ne vetë, pra edhe publiku, përveç lojtarëve, janë edhe ambasadorë.

Kjo pikëpamje është shumë e rëndësishme nga ana e imazhit ndërkombëtar dhe kombëtar. Imazhi, në fund të fundit, është parësor për çdo ekip dhe federatë.

Nga ana monetare, mjafton të mendojmë që ky stadium ka 6.000 vende më shumë se “Qemal Stafa” i mëparshëm, që nuk janë pak, por edhe shumë mundësi të tjera për të krijuar përveç të ardhurave, edhe disa shërbime të rëndësishme për sponsorët dhe partnerët tanë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, si dhe për klientelën VIP. Flasim për shërbime që më parë mungonin.

Sa investon afërsisht FSHF çdo vit, për të zhvilluar futbollin në vend dhe cilat mund të rendisni si projektet tuaja më të rëndësishme? Sa do t’u shërbejnë projekteve të këtij lloji përfitimet nga pjesëmarrja në Europian?

Fokusi vjetor për Federatën e Futbollit, duke filluar që nga prezantimi i projektit “100 Fushat”, ka qenë shtimi dhe ndërtimi i fushave të reja në të gjithë territorin e Shqipërisë, qofshin këto natyrale apo artificiale.

Qëllimi i kësaj nisme është përmirësimi dhe zhvillimi i infrastrukturës sportive në vend, me fokus përmirësimin dhe zhvillimin e futbollit si sport, duke nisur që nga akademitë dhe klubet.

Mund të përmendim këtu fushën e ndërtuar së fundmi në Ahmetaq, Vorë, Kamëz apo në kompleksin e Dinamos, që përdoren nga ekipet e moshave, por edhe nga ekipet e të rriturve.

Këto investime me patjetër që janë të vlefshme, qoftë edhe për Kampionatin Europian 2025 për moshën U-17, që do të zhvillohet në Shqipëri, sepse përveç 4 stadiumeve që janë kryesore në mikpritjen e këtij kompeticioni, një pikë tjetër e rëndësishme janë dhe terrenet stërvitore, pra fushat që kemi ndërtuar deri më tani, në kuadër të projektit “100 Fushat”.

Mund t’ju them se fatura financiare për këto investime është e konsiderueshme, por ne jemi të vendosur të përmirësojmë infrastrukturën dhe të shtojmë inventarin e fushave me çdo kusht.

Besoni se pjesëmarrja e Kombëtares në kompeticione të këtyre përmasave mund të sjellë efekte pozitive edhe në vëmendjen ndaj Kampionatit Shqiptar dhe në atraktivitetin e tij në aspekte të ndryshme komerciale?

Besoj se po. Kualifikimi në Europian sjell një rritje të imazhit dhe të pëlqyeshmërisë së futbollit në përgjithësi.

Një klimë pozitive rreth futbollit dhe Kombëtares sjell rritjen e vëmendjes ndaj asaj që bëjmë. Këtu bën patjetër pjesë edhe futbolli vendas, kampionatet që organizojmë dhe Kupa e Shqipërisë.

Por ajo që besojmë më shumë dhe ku po punojmë me intensitet, është futbolli i moshave të vogla, duke filluar nga shkollat.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH