Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 59% e të arsimuarve ia dalin përmes pagës, në cilat vende të Europës njerëzit kanë njohuri më të mira ekonomike?

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi 

Një studim i ri zbulon se shumë prej të rriturve u mungojnë aftësitë e nevojshme për të kuptuar situata  të ndryshme financiare, me qëllim që të marrin vendimet e duhura. Vetëm 34% e të rriturve rezultuan se kishin një nivel minimal të njohurive financiare, sipas raportit të sapopublikuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Kjo do të thotë se shumica e njerëzve, të paktën nga 39 vendet e përfshira në studim, nuk arrijnë dot të menaxhojnë në mënyrë efektive paratë, një aftësi kjo që konsiderohet thelbësore për mirëqenien individuale dhe atë shoqërore.

Në raport, OECD thekson gjithashtu dëmin që u shkaktohet kryesisht atyre që u mungojnë njohuritë bazë financiare, veçanërisht në një kohë kur rritja e çmimeve po u zbraz kuletat njerëzve. "Inflacioni i lartë dhe rritja e normave të interesit kanë nxjerrë në pah rëndësinë e pajisjes së njerëzve me njohuri dhe aftësi ekonomike, për të përballuar më mirë situatat e vështira financiare," i tha Chiara Monticone, analiste e lartë e politikave në OECD, Euronews Business: “Rezultatet nga sondazhi ynë tregojnë se, ndërsa shumica e të rriturve i kuptojnë konceptet bazë financiare, njohuritë dhe aftësitë e përgjithshme financiare mund të përmirësohen ndjeshëm, përfshirë shërbimet financiare dixhitale."

Kush kryeson tabelën e liderëve në Evropë?

OECD analizoi 39 vende të ndryshme në Europë. Vetëm Irlanda dhe Gjermania arritën pragun minimal të njohurive financiare prej 70 nga 100 pikë të mundshme. Gjermania doli në krye të studimit të hollësishëm të OECD. Përveç shqyrtimit të pabarazive ndërkombëtare, raporti vuri në dukje ndryshime midis grupeve të ndryshme të popullsisë, në nivelet kombëtare.

Individët që kishin një nivel më të lartë arsimi prireshin të ishin më të mirë në menaxhimin e parave. Faktorë të tjerë kontribues përfshijnë gjininë dhe moshën. Në të gjitha vendet e studiuara nga OECD, njerëzit midis moshës 30 dhe 59 vjeç ishin përgjithësisht në një nivel më të lartë të edukimit financiar sesa ata që ishin në grupin 18 deri në 29 vjeç. Mesatarisht, burrat kshin më shumë njohuri financiare se gratë.

Për sa i përket parimeve kryesore financiare, OECD thotë se 84% e të rriturve e kuptojnë përkufizimin e inflacionit, por vetëm 63% mund të praktikojnë idenë e 'vlerës në kohë të parasë' sa u përket kursimeve të tyre. Për të zbërthyer këtë koncept, vlera në kohë e parasë është nocioni që një shumë parash vlen më shumë në momentin aktual sesa në të ardhmen.

Për shembull, nëse do t'ju ofroheshin 1000 € dhe do të kishit opsionin ose t'i merrnit tani ose më vonë, opsioni i zgjuar do të ishte t'i merrnit paratë tani. Pse? Një arsye është inflacioni, dhe e dyta është potenciali i fitimit. Duke i marrë paratë, në vend që të prisni për 10 vjet, ju i keni dhënë vetes mundësinë për të investuar dhe për të fituar më shumë para, që do të thotë se mund ta rritni shumën fillestare.

Të anketuarit e OECD-së u pyetën edhe se sa i kuptonin normat e interesit, për të cilat vetëm 42% e të rriturve pranuan se i kuptonin. Dhe ata nuk e kishin fare idenë se, duke riinvestuar paratë që fitohen në investim, mund të grumbullohet një shumë edhe më e madhe përmes pagesave të interesit.

15% e të anketuarve thonë se kanë qenë viktimë e të paktën një lloj mashtrimi monetar. OECD gjeti një korrelacion negativ midis njohurive financiare dhe rrezikut, pasi rreth dy në tre persona që kanë rënë viktimë të paktën një herë të një mashtrimi financiar nuk arritën dot rezultatin e synuar të edukimit financiar.

Mesatarisht, vetëm 29% e të rriturve të anketuar arritën nivelin e synuar për aftësitë dixhitale, megjithëse këto rezultate rriten në përputhje me nivelet e arsimit dhe të të ardhurave. Mesatarisht, vetëm 59% e të rriturve të arsimuar ishin aktualisht në gjendje të paguanin një shpenzim të madh, të barabartë me të ardhurat e një muaji, pa kërkuar mbështetje të tjera të jashtme. Kjo mund të nënkuptojë marrjen e një kredie nga një bankë, familja ose miqtë.

Për të trajtuar këtë problem, studimi argumenton se arsimi duhet të përqendrohet në mjete të reja, dixhitale të menaxhimit të parave, dhe gjithashtu duhet të jetë i disponueshëm edhe për ata me nivelet më të ulëta të aftësive. Studimi shërben edhe si një “shuplakë” për disa universitete, katedrat e të cilave kanë zënë pluhur dhe nuk shkunden nga metodikat e vjetra të arsimit, duke hedhur në erë investimet e të rinjve dhe e duke kontribuar në regres, në vend të progresit të duhur.   /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH