Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e priti të hënën në një takim në zyrën e saj Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në opozitë, për të biseduar për sigurinë e vendit dhe draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, njoftoi Presidenca.
“Presidentja Osmani ka falënderuar të gjitha subjektet opozitare, për mbështetjen ndaj institucioneve të sigurisë në përballje me agresionin e Serbisë, thuhet në një njoftim të Presidencës të hënën.
Muajve të fundit, presidentja Osmani e ka akuzuar Serbinë se qëllim ka destabilizimin jo vetëm të Kosovës, por të tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor, pasi më 24 shtator një grup i armatosur i serbëve e sulmoi Policinë e Kosovës në veri të vendit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Kosova e ka akuzuar Serbinë për organizimin e atij sulmi, përgjegjësinë për të cilin e mori më vonë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista Serbe.
Serbia e ka mohuar çfarëdo përfshirje në atë sulm.
Osmani bisedoi me liderin e LDK-së edhe për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilin “ka ritheksuar se Gjykata Kushtetuese është institucioni që duhet ta bëjë vlerësimin e kushtetutshmërisë, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit.”
Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara (SHBA), Bashkimit Evropian (BE), Francës, Gjermanisë dhe Italisë ua dorëzuan më 21 tetor propozimin për draft-statutin kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kurti ka thënë se draft-statuti është “i pranueshëm sepse është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.Por, Abdixhiku, sipas njoftimit të Presidencës, ka shprehur shqetësimet e tij rreth përmbajtjes së draft-statutit.
“Janë diskutuar mundësitë për trajtimin e këtyre shqetësimeve në mënyrë që mos të lejohen dykuptimësi që mund ta dëmtojnë funksionimin e brendshëm të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.