Globi

'THE GUARDIAN'/ Hungaria bllokon 50 miliardë euro ndihmë të BE-së për Ukrainën disa orë pas miratimit të bisedimeve të anëtarësimit

Shkruar nga Liberale
'THE GUARDIAN'/ Hungaria bllokon 50 miliardë euro ndihmë

Viktor Orbán bllokon paratë shtesë për Kievin, ndërsa bisedimet e BE pritet të rifillojnë pas vitit të ri, shkruan The Guardian", transmeton Liberale.al.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, ka bllokuar një paketë ndihme prej 50 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën, disa orë pasi liderët e anashkaluan kundërshtimet e tij duke pranuar të hapin  bisedimet me Kievin, për anëtarësimin në bllok.

Samiti i vështirë në Bruksel u ndërpre afër orës 3 të mëngjesit të së premtes, sepse lideri hungarez refuzoi të ndizte dritën jeshile për financimin që ka për qëllim të ndihmojë qeverinë e Ukrainës gjatë katër viteve të ardhshme.

Udhëheqësit e BE-së do ta shtyjnë diskutimin e tyre mbi buxhetin në janar, duke arritur në përfundimin se pas shtatë orësh grindjeje ata nuk morën dot mbështetjen e liderit hungarez.

“Ju mund të bëni gjithçka që mundeni, por unë nuk dua të jem pjesë e kësaj. Pra, ky ishte shpjegimi i tij për këtë, "tha Kaja Kallas, kryeministrja estoneze, të premten teksa mbërriti në ditën e dytë të samitit evropian.

Duke postuar në platformën “X”, Orbán shkroi shkurt: “Përmbledhje (e punës) gjatë ndërrimit të netëve: veto për paratë shtesë në Ukrainë."

Bllokimi nga Hungaria – aleati më i afërt i Rusisë në BE – i dha një goditje Kievit dhe mbështetësve të tij vetëm disa orë pasi 26 vendet anëtare u përballën me liderin hungarez dhe ranë dakord të jepnin një dritë jeshile e cila ishte historike për fillimin e negociatave të Ukrainës për anëtarësimin në BE.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, më 14 dhjetor, njoftoi vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë.

Çfarë do të thotë vendimi i Orbanit?

“26 vende janë dakord. Nuk ka asnjë marrëveshje nga Hungaria për momentin, por kam shumë besim se do të vijë për vitin e ardhshëm”, tha kryeministri holandez, Mark Rutte.

“Kam besim se 26 anëtarët e duan këtë,” u shpreh kreu i qeverisë estoneze Kallas. “Për sa kohë që ai [Orbán] thotë gjërat e gabuara, por bën gjërat e duhura, ne jemi mirë. Ne kemi qenë të bashkuar deri më tani dhe kemi mundur të japim dje vendimin për bisedimet e anëtarësimit”.

Orbán abstenoi nga votimi për bisedimet e pranimit për Ukrainën pasi udhëheqësit këmbëngulën se vetoja e tij do të kishte një ndikim shkatërrues mbi moralin e luftës në Ukrainë dhe madje do të minonte besueshmërinë e ekzistencës së bllokut.

Një burim diplomatik i tha The Guarduian se “atij iu tha se do të ishte kohë e mirë për të, që të shkonte për kafe, por u largua nga dhoma. Megjithatë, e dinte se një votim do të bëhej në mungesë të tij, kështu që në këtë kuptim ishte rënë dakord paraprakisht.”

Ndërsa Orbán u la i izoluar nga 26 vendet e tjera anëtare të BE-së më herët gjatë ditës lidhur me anëtarësimin e Ukrainës, liderët vendosën se nuk mund të përsërisin manovrën për ndihmën financiare për Kievin, të vetëdijshëm se vendet e tjera, përfshirë Britaninë e Madhe, kishin përdorur më parë veton e tyre.

Orbán mbetet sfidues, duke paralajmëruar se ai mund të bllokojë hyrjen e Ukrainës në BE në një fazë të ardhshme në procesin shumëvjeçar që duhet normalisht për t'u anëtarësuar.

“Nëse ne nuk duam që Ukraina të jetë anëtare e Bashkimit Evropian, atëherë parlamenti hungarez e voton atë. Dhe derisa çështja të shkojë në parlament, është një proces shumë, shumë i gjatë, dhe siç numëruan ata dhe bëra unë, ka rreth 75 raste kur qeveria hungareze mund ta ndalojë këtë proces," tha ai.

Kryeministri belg, Alexander de Kroo, tha se liderët e BE-së shpresonin të ktheheshin në janar me mbështetjen e Orbanit. “Është një mesazh shumë i rëndësishëm që u japim ukrainasve në një moment të vështirë,” tha ai.

Orbán kishte argumentuar se Ukraina nuk duhet të marrë shuma kaq të mëdha parash nga buxheti i BE-së pasi nuk është pjesë e bllokut. Udhëheqës të tjerë e kanë siguruar Kievin se mund të kanalizojnë ndihmën për Ukrainën jashtë buxhetit të BE-së nëse Hungaria ruan bllokadën e saj.

Mosmarrëveshja për ndihmën financiare vjen në një kohë të vështirë për presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, pasi kundërsulmi i Ukrainës kundër forcave ruse nuk ka arritur të bëjë përparime të mëdha. Po ashtu edhe presidenti i  SHBA, Joe Biden, deri më tani nuk ka arritur të miratojë një paketë prej 60 miliardë dollarësh për Kievin përmes Kongresit të SHBA.

Të premten, liderët e BE-së do t'i kthehen çështjeve të tjera, përfshirë Gazën, sanksionet ndaj udhëheqësve të Hamasit dhe kolonëve izraelitë të përfshirë në dhunë.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH