Aktualitet

VETOJA ndaj Shqipërisë, Presidenti Begaj ironi me grekët nga Bullgaria: Si puna e pedagogut me studentin, "ke punuar mirë, por mbetesh në klasë!"

Shkruar nga Liberale

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, nga Bullgaria ku ndodhet për një vizitë zyrtare,  e ka krahasuar veton e Greqisë ndaj Shqipërisë për negociatat me historinë e studentit me pedagogun.

Kreu i shtetit shqiptar tha se në të gjitha takimet ndërkombëtare që ka patur, është lavdëruar puna e Shqipërisë në procesin e negociatave me BE-në, por në mënyrë të pakuptueshme “ngel në klasë” në momentin e fundit.

“Në çdo takim ndërkombëtar që kam pasur është vlerësuar jashtëzakonisht shumë Shqipëria për punën që ka bërë dhe është folur jashtëzakonisht shumë për profesionalizmin e treguar nga ekipi shqiptar. Çuditërisht ndodh si puna e studentit që pedagogu i thotë gjatë gjithë vitit është i shkëlqyer, ke punuar shumë mirë, dhe te nota e fundit e ngel në klasë”.

Begaj thotë se procesi i zgjerimit të BE-së me vendet  e Ballkanit është investim gjeostrategjik, ndërsa për Shqipërinë anëtarësimi në Bashkimin Europian është jetik dhe strategjik.

“Procesi i zgjerimit është investim gjeostrategjik i BE, ndërsa për ne është jetik dhe strategjik. Është ëndërr për t’u përmbushur. Siguroj se do vazhdojmë të jemi studentë të dalluar, do trokasim në dyert e BE dhe kur të hapet dera besoj se do jemi të lutur të futemi”.

Presidenti Begaj vlerësoi edhe Bullgarinë që i ka dhënë Shqipërisë në këtë proces.

“Bullgaria më së miri e ka bërë këtë, e ka hapur derën, na ka mbështetur. Ne duhet të jemi mirënjohës”.

Presidenti Bajram Begaj nga Sofja i bëri gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin bullgar, pasi Greqia ka kërcënuar se nuk do të firmosë për hapjen e kapitujve të parë të Shqipërisë me BE-në, duke vendosur veto për shkak të çështjes Beleri. Qëndrimi i Greqisë është kritikuar edhe nga shtetet udhëheqëse të BE-së, si Gjermania, të cilat e shohin Greqinë të interesuar më tepër për çështja të vogla dhe që bien ndesh me frymën e  Bashkimit Europian.

Presidenti Begaj u prit nga homologu bullgar dhe më pas u zhvillua një takim kokë më kokë mes kryetarëve të dy shteteve.

Marrëdhëniet dypalëshe, roli i Shqipërisë dhe i Bullgarisë në rajon dhe me gjerë si pjesë e NATO-s dhe i organizmave të tjerë ndërkombëtare  e rajonale si dhe bashkëpunimi në kuadër të Bashkimit Evropian do te jenë në fokus të bisedës se Presidentit të Shqipërisë dhe homologut të tij bullgar.

U fol edhe për projekte të përbashkëta mes dy vendeve në infrastrukturë, siç është Korridori i VIII, dhe linja hekurudhore që do të ndërtohet dhe mbështetet nga Bashkimi Europian.

Presidenti Begaj do të pritet edhe nga Presidenti i Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë, Rosen Zhelyazkov.

Gjithashtu Presidenti Begaj do të zhvillojë një vizitë te trupat ushtarake shqiptare që janë të pozicionuara në Novo Selo, si pjesë e programit të NATO-s “Enhance Vigilant Activity”.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH