Showbiz

IN MEMORIAM/ 84 vite pa Kol Idromenon, mjeshtrin e pikturës shqiptare, fotografin, arkitektin dhe skenografin e shquar

Shkruar nga Liberale

Koleksioni fotografik i Kolë Indromenos përfshin 1300 negativë xhami në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe rreth 100 negativë në Muzeun “Marubi”.

84 vjet më parë, më 12 dhjetor 1939 u shua në Shkodër Kolë Idromeno, një nga artistët më polivalentë që  Shqipëria ka patur ndonjëherë…  piktor, arkitekt (projektoi dhe zbatoi mbi 60 ndërtesa private dhe publike, gjurmët e të cilave janë të dukshme e të veçanta edhe sot), urbanist, fotograf, skenograf, siparist, muzikant, instrumentist,  kompozitor këngësh shkodrane si dhe organizatori i shfaqjeve të para kinematografike në Shqipëri, në vitin 1919.

Por mbi të gjitha ai ishte një përfaqësues i shquar i pikturës moderne shqiptare. Kolë Idromeno konsiderohet si një prej piktorëve më të mëdhenj të shkollës shkodrane të arteve pamore, së bashku me piktorin Ndoc Martini dhe Simon Rrotën.

Emri i Kolë Idromenos është bërë i njohur me pikturat e famshme “Motra Tone” dhe “Dasma Shkodrane” që e identifikojnë lehtë emrin e autorit, si "Mikelanxhelo" i Shqipërisë.

Të gjitha pikturat e tjera të Idromenos kanë vlera, sepse secila ka veçantinë e vet artistike.

“Kjo figurë emblematike jo vetëm që solli një bukuri urbane europiane në qytetin e Shkodrës, por edhe i hapi rrugën zhvillimit të artit pamor modern shqiptar”, shkruan Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër në një publikim online për nder të Idromenos.

I konsideruar si themeluesi i pikturës realiste shqiptare, Kolë Idromeno njihet edhe si arkitekt, urbanist, fotograf, skenograf, skenograf, muzikant dhe kompozitor. Mban titullin “Piktori i Popullit”.

Ai ishte i pari që organizoi shfaqje filmash në Shqipëri në vitin 1919. Në vitin 1883 krijoi pikturën “Motra Tone”, e cila është vepra e parë realiste e rëndësishme në pikturën shqiptare gjatë periudhës së Rilindjes dhe Pavarësisë.

Kolë Idromeno rridhte nga një familje çame me origjinë nga Parga e Greqisë e cila u vendos më vonë në Shkodër.

Mësimet e para të artit i mori në studion e Pietro Marubit, duke e vënë në kontakt me mediumin në zhvillim të fotografisë. Në moshën 16-vjeçare në 1875, ai shkoi në Venecia, ku kaloi një periudhë të shkurtër studimi në Akademinë e Arteve të Bukura dhe më vonë në studion e një artisti venecian. Pas kësaj eksperience, në vitin 1878, ai u kthye në Shkodër, ku shfaqi interesat dhe talentet e tij në fusha të ndryshme.

Ai u bë i njohur për projektet arkitekturore për disa ndërtesa publike dhe private në Shkodër, si Grand Café, Banka Kombëtare dhe disa shtëpi në rrugët kryesore të qytetit. Arkitektura e propozuar prej tij prezantoi disa tipare perëndimore kundër arkitekturës orientale që kishte depërtuar gjatë shekujve.

Ndër bashkënxënësit e tij në këtë shkollë ishte edhe poeti i ardhshëm Filip Shiroka, me të cilin do të kishte miqësi të gjatë e letërkëmbim të vazhdueshëm. Në botimet ndërkombëtare emri dhe puna e tij u shquan e bënë të ishte fotografin e parë, duke u përmendur para mjeshtrit të vet Marubit.

[caption id="attachment_1405674" align="alignnone" width="1189"] Motra tone Nga Kole Idromeno[/caption]

“Motra Tone”

E gjithë pandehma e këtij kritiku të vonuar është se nga ana stilistike ndryshon portreti “Motra Tone” nga veprat e mëvonshme, qofshin këto portrete apo kompozime. Po çfarë ka këtu për t’u çuditur. Ndryshe prej çdo vepre tjetër, Motra Tone e mëvonshme, me veshje allafrënga, është dhembja e thellë e Kol Idromenos, pikëllimi piskamë i vëllait për motrën e vdekur në moshë të re. Është vuajtje shpirtërore që e ka shoqëruar për një kohë të gjatë. Këtë ndjesi humbëse nuk e ka pasur Kol Idromeno në vitin 1883, kur datohet krijimi i portretit të parë, anipse askush nuk e vërteton dot se ajo vepër nuk ka ardhur duke u përsosur në detaje nga dora e piktorit edhe pas atij viti. Që vuajtja e piktorit ka qenë e madhe e tregon fakti se dekada më vonë ai krijon portretin e dytë të “Motres Tone”. Mesa duket me kërkesën e vajzave të saj që tashmë qenë rritur. Po ashtu ai krijoi dhe portretin e babait të tyre, burrit të motrës Tone, Andrea Skanjeti. Trajtimi dhe tonaliteti i të dy portreteve të bashkëshortëve është pothuajse i njëjtë. Të kërkosh këtu shkëlqimin kromatik të portretit të vitit 1883 është si të kërkosh të ngjallësh të vdekurin.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH