Policia e Durrësit ka arrestuar një 62-vjeçar, i cili ishte dënuar me 17 vite burg për drogë në Itali.
I arrestuari është shtetasi Mustafa Shullani (me identitete të tjera: Hasan Shullani, Ferdinand Behari dhe Faje Shullani), 62 vjeç, banues në lagjen Nr. 7, Durrës. Tashmë pritet ekstradimi i tij drejt Italisë.
“Gjykata e Apelit e Bolonjas, Itali, e ka dënuar 62-vjeçarin, me 17 vjet e 1 muaj burgim, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuara nga ligji penal italian. Me qëllim vuajtjen e periudhës prej 11 vjet e 4 muaj burgim, të mbetur nga dënimi total, kjo gjykatë apeli ka lëshuar për këtë shtetas, një urdhër-arrest ndërkombëtar. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme. Në bashkëpunim me ZQK Interpol Tirana, vijon puna për ekstradimin e këtij shtetasi, drejt Italisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.