Dossier

614 vjet më parë. 23 prill 1405 lindi Gjergj Kastriot Skënderbeu

               Publikuar në : 11:28 - 24/04/19 E Liberale

Pirro Prifti

Dihet fare mirë se ditëlindja e Heroit tonë Kombëtar ka qenë më 23 prill 1405.

Kjo datë përkon me kalendarin e vjetër ortodoks ose ai Julian. Kurse sipas kalendarit Gregorian, që përdoret sot, i bie të jetë data 6 maj. Në atë datë e ëma e Gjergj Kastriotit, Vojsava, pa një ëndërr sikur lindi një dragua, i cili do të mposhtte armiqtë dhe ëndrrën e saj ajo ia tregoi të shoqit, Gjon Kastrioti, apo siç e quanin miqtë e tij, Gjon Dibrani. Gjergj Kastrioti ishte djali i tretë pas Stanisha dhe Reposh Kastriotit dhe pas tij e ëma Vojsava lindi edhe një djalë të katërt, Kostandinin.

Njihet fare mirë se kjo familje ortodokse bleu kullën e Shën Gjergjit në manastirin Hilandar, Mali i Shenjtë Athos (Mali i Atit), e cila sot ekziston vetëm si Pirgu Arbanas (arbanski Pirg), i cili vërteton katërcipërisht se familja Kastrioti nuk ishte sllave, por arbër-epirote (sipas vetë Gjergj Kastriotit, i cili ka shkruar në një letër se jemi familje epirotësh të Maqedonisë, dhe pas ardhjes të Aleksandrit të Madh dhe të Pirros së Epirit). Nuk është e rastit që përkrenarja e Skënderbeut ka të skalitur dhinë Amaltea (që ka qumësht të ëmbël) si mjaltë, kurse vula e tij sekrete, të cilën e kishte në formë unaze, kishte të stampuar perëndeshën iliro-pellazge, Leda.

Emrin Gjergj, Vojsava dhe i ati Gjoni e vendosën në pagëzim, sepse data e lindjes përkoi me emrin e Shën Gjergjit sipas kalendarit ortodoks dhe dihet që edhe sot e kësaj dite familjet fetare i vendosin emrat e fëmijëve të tyre sipas emrin të shenjtorit apo martirit sipas kalendarit. Sidoqoftë Gjergj Kastrioti pa i hyrë historisë, që e dimë shumë mirë, i përngjau shumë Shën Gjergjit të kalendarit ortodoks, por se këtë emër e kanë dhe kalendarët katolikë dhe protestantë.

Historia shkurtimisht e Shëngjergjit që përmbajnë kalendarët religjiozë të të tre feve është e njëjtë dhe ky shenjtor njihet se vrau kuçedrën që donte të hante vajzën e mbretit.

Shën Gjergji (rr. 275/280 – 23 prill 303) ishte një ushtar i Perandorisë Romake që u bë më vonë dëshmor i krishterimit. U bë i pavdekshëm në tregimin e Shën Gjergjit dhe kuçedrës. Ai është Shenjti mbrojtës i disa vendeve dhe qyteteve, si Anglia, Gjeorgjia, Katalonia dhe Moska, si edhe shumë profesioneve, organizatave dhe të sëmurëve.

Emri i Shën Gjergjit është i lidhur ngushtë me eliminimin e dragoit. Për këtë dragua thuhen shumë gjëra. Disa thonë se ishte një bishë nga anët e Lindjes dhe kishte shpellën afër burimit të vetëm të një qyteti të madh dhe pengonte njerëzit të merrnin ujë. Thuhet se dragoi ndodhej në krahinën e Atalisë në qytetin e Allajas. Mbret aty ishte Selviou, një kundërshtar i të krishterëve. Shën Gjergji atëherë, pasi kërkoi ndihmën e Zotit u hodh në luftë kundër dragoit dhe arriti ta mundte atë. E nxori jashtë shpellës së tij dhe e tërhoqi zvarrë deri në sheshin e qytetit. Aty pasi deklaroi se arriti të burgoste dragoin me ndihmën e Zotit dhe kërkoi nga të gjithë të pranishmit të ndiqnin besimin e tij, vret dragoin dhe shpëton banorët nga rreziku i zhdukjes. Në këmbim për këtë të mirë që bëri, mbreti i dha vajzën e tij për grua.

Miti i Shën Gjergjit është një mit mijëravjeçar që ekziston në shumë mitologji dhe shumë fe në të gjithë botën. Kështu ekziston miti i lashtë grek për çlirimin e Andromedës nga Perseu, Apoloni që vret gjarprin, miti i Zigfridit në mitologjinë gjermane, Uicilopocli tek Aztekët, i cili vret gjarprin që nxjerr flakë nga goja etj.

Profecia e nënë Vojsavës ishte e saktë se Gjergj Kastrioti shkëlqeu në luftën e tij për liri e pavarësi për të mbrojtur atdheun dhe fenë me të gjitha mjetet. Rënia e Kostandinopojës në vitin 1453 në fillim të qershorit shkaktoi dhe rrënimin e Ortodoksisë në ish-Perandorinë Bizantine e për pasojë dhe në Arbërinë e atëhershme dhe në Epir.

10 vite më vonë, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit pas pushtimit të Shkodrës Arbëria dhe Epiri ranë përfundimisht nën pushtimin osman. Sulltan Menhmet Fatihu nxori një dekret për të shkatërruar çdo kështjellë dhe të vriteshin të gjithë banorët dhe fëmijët të merreshin peng.

Kjo është arsyeja që të gjitha kalatë në Shqipërinë e sotme janë të rrafshuara (ato që janë të ngritura janë bërë më vonë nga shteti shqiptar). Popullsia e pësoi keq, ajo ose u largua në: Itali me mijëra, rreth 250 000 banorë, sidomos popullata e madhe ortodokse, në jugun e saj Kalabri dhe në Napoli, ku shkoi dhe Donika Kastrioti me të birin; aty ishte dhe nipi i Gjergj Kastriotit, Hamzai, i cili u martua me një serbe dhe shkoi tek i ati, Stanisha në Kostandinopojë dhe aty vdiq, siç thuhet i varfër.

Një pjesë disa mijëra, mendohet 10 000 banorë, shkoi në Venedik dhe në Raguza (Dubrovnik) sidomos katolikët e Shkodrës, Lezhës dhe të Drishtit; një pjesë iku në Rumani dhe Ukrainë apo ndenji në rrethinat e Kostandinopojës (e gjitha popullatë ortodokse); një pjesë u vra nga osmanët; një pjesë u konvertua në islam.

Arbëria mbeti e shkretë par disa dhjetëra vite, por pastaj politika osmane bëri që të vijnë në këto toka bujkrobër nga Anadolli, cerkezë, sirianë, abhazë, persianë, turq, irakianë. të cilët populluan kryesisht fushat e Arbërisë (përfshi Kosovën).

Pas Programit FIDE në fund të viteve 1500 fillimet e viteve 1600, me urdhër të Papës erdhën në Shqipëri katolikë nga Libani, Tunizia, Maroku. Në fund të viteve 1600 erdhën arumunë dhe çobanë, të cilët u vendosën kryesisht në jug të vendit, që tashmë mori emrin Shqipëri për shkak të përzierjes së popullatës vendase malësore që kishte mbetur, për të cilën kam folur më përpara.

Sidoqoftë kjo katastrofë demografikë shërbeu për diçka, për rilindjen e kombeve të tjerë:

– Arbër & epirotë ortodoksë + serbë, dolën shkiet, të cilët lanë atdheun për të ruajtur fenë dhe pronat dhe formuan Serbinë me një shenjtore arbër, Angjelina Arianitin, kunatën e Gjergj Kastriot Skënderbeut.

– Arbër & epirotë ortodoksë + rumunë + arumunë, formuan Rumaninë dhe kryeqytetin e tyre Bukureshtin, të formuar nga princi arbër ortodoks Gjika.

– Arbëreshët + italianë e sicilianë formuan Arbërinë me ndihmën e Garibaldit dhe me kryeministrin e parë arbëreshin z. Krispi.

Në Greqi, arvanitasit + bizantinfolësit formuan Greqinë, me kryeqytet Athinën.

Në Kroaci, arbër katolikët ndihmuan së bashku me serbët katolikët Kroacinë.

Nga ana tjetër, arbrit e islamizuar së bashku me të ardhurit formuan Shqipërinë e sotme. Emri shqiptar për herë të parë u dëgjua në Koncilin e Arbrit në Gomsiqe të Lezhës më 1703-shin.

Në Turqi, Perandoria Osmane u mbush me arbër & epirotë të islamizuar që drejtonin ushtrinë dhe shtetin osman. Sot, në çdo pesë turq dy janë me origjinë shqiptare, sipas të dhënave të një gjenerali turk të ditëve të sotme.

Në Egjipt, arnautët formuan Mbretërinë e Egjiptit të pavarur nga Turqia.

Në Siri, arnautët formuan një mbretëri siriane aleate me Turqinë.

Kjo ishte pak a shumë problem që shkaktoi pushtimi osman pas vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Në Arbëri dhe Epir është karakteristike vendosja e emrave Gjergj, si në familjet ortodokse ashtu dhe në ato katolike apo dhe në ato ateiste për ndër të Heroit tonë Kombëtar, i cili mbrojti atdheun dhe fenë nga invazioni osman deri kur vdiq më 17 janar 1468 në moshën 63 vjeç nga ethet e malaries.

Shteti shqiptar e ka nderuar Gjergj Kastriot Skënderbeun me titullin Hero Kombëtar. Gjithashtu dhe Kisha Katolike i ka dhënë një titull “Atlet i Krishtit” nga Papa Klementi, duke e ditur që individi nuk ishte katolik.

Për Heroin tonë Kombëtar kanë shkruar pothuajse të gjithë poetët dhe shkrimtarët e Rilindjes Europiane. Shumë rrugë dhe qytetet kanë emrin ose përmendoren e Gjergj Kastriot Skënderbeut që njihet si një nga pesë heronjtë më të mëdhenj të botës si strategë e trima të luftës.

Vetëm një institucion akoma nuk pranon që të vlerësojë Heroin tonë Kombëtar, dhe kjo është KOASH, e cila me gjithë përpjekjet e intelektualëve heziton të ndërmarrë një hap tashmë të vonuar por të domosdoshëm për të vënë në vendin që meriton në kalendarin ortodoks dhe në Komunitetin ortodoks emrin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Shpresojmë të reflektojë dhe të plotësojë më në fund një vepër që duhej të ishte bërë që kur u krijua Autoqefalia Shqiptare. I përjetshëm qoftë kujtimi i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Amen.

(Poshtë është një foto e Shën Gjergjit)

 

(Visited 12 times, 1 visits today)

Etiketa:

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *