Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 61.613 lekë paga mesatare, kush paguhet më shumë dhe më pak në Shqipëri

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Shifrat zyrtare tregojnë se të punësuarit në Administratën Publike paguhen më mirë se në sektorin privat, ndërkohë që në vendet e tjera ndodh e kundërta, ose të paktën vendos konkurrenca mes sektorit privat dhe atij shtetëror. Të vetmit që kanë paga të larta në sektorin privat janë ata që merren me informacion dhe komunikacion, shërbime financiare dhe të sigurimit, aktivitete shkencore dhe akademike, profesionale dhe teknike, ose profesione të ngjashme.

Sektori kryesor i prodhimit, bujqësia, ka pagat më të ulëta në treg, ndërsa edhe sektori i ndërtimit, ndonëse çmimet e apartamenteve kanë pësuar një rritje të pajustifikuar prej 40 për qind vetëm gjatë vitit të fundit, madje ky sektor ishte ndër të vetmit që mori subvencione nga qeveria për krizën e çmimeve, renditet ndër sektorët me pagat më të ulëta. Dhe çuditërisht edhe industria dhe tregtia kanë pagat më të ulëta në Shqipëri, sipas të dhënave zyrtare.

Kjo është një arsye më shumë se pse ekonomisë i mungon prodhimi, pse nuk nxitet një i tillë dhe pse largohen vazhdimisht shqiptarët nga vendi i tyre. Largimi masiv i shqiptarëve besohet se i përket kryesisht sektorëve me pagat më të ulëta, ose ata që kanë mbetur pa punë, sepse një treg që nuk prodhon, nuk zgjerohet. Kështu që si zgjidhje, qytetarët shqiptarë vendosin të largohen vit pas viti drejt një tregu që i trajton dhe i paguan më mirë punëtorët. Dukuria në fjalë ka bërë që tregu në sektorin privat të vuajë aktualisht pasojat e rënda për mungesën e fuqisë punëtore.

Ndërkohë që gjatë vitit të fundit rritja e çmimeve e ka ulur me rreth 40 për qind fuqinë blerëse të konsumatorëve shqiptarë,  çfarë është bërë për të ndryshuar tregun e punës dhe çfarë masash janë marrë me qëllim që të nxiten, të motivohen ata të cilët ndikojnë direkt në prodhimtarinë, aq e nevojshme për zhvillimin ekonomik të një vendi?

Shifrat zyrtare flasin se ka një përkujdesje për kategoritë e punonjësve të Administratës Publike, ndonëse sipas KLSH, dëmi ekonomik që ata i kanë shkaktuar vendit gjatë vitit të fundit kapte shifrën e 1 miliard eurove.

Sipas shifrave zyrtare të Institutit të Statistikave, Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të tretë 2022, është 61.613 lekë, duke u rritur me 9,2 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Pothuajse pagat duke iu referuar shifrave zyrtare janë rritur aq sa është edhe rritja mesatare e çmimeve nga kriza energjetike.

Gjatë tremujorit të tretë 2022, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin e Aktiviteteve financiare dhe të sigurimit është 93,4 %, më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grup-aktivitetin e Bujqësi, pyje dhe peshkim është 33,1 % më e ulët.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të tretë 2022, paga mesatare bruto për aktivitetin e Bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit, ka rritjen më të madhe prej 15,7 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti i Administratës publike dhe mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale prej 5 %.

Gjatë tremujorit të tretë 2022, paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar në grup-profesionin e Menaxherëve, Ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë është 62,7 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupin e Punëtorëve (Profesione elementare) është 36 % më e ulët.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të tretë 2022, paga mesatare mujore bruto në Forcat e Armatosura ka rritjen më të madhe prej 18,5 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-profesioni i Menaxherëve, Ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë 4,5 %.

Duhet theksuar fakti se rritja e pagave nuk është tregues i mirëqenies, nëse në anën tjetër inflacioni pëson minimalisht të njëjtën rritje. Si shembull, nëse çmimi i një apartamenti është dyfishuar gjatë dekadës së fundit, për shumë të rinj rritja e pagës sado e madhe që të jetë, do të thotë se ata nuk kanë asnjë shans që pas karrierës, kur të shkojnë në pleqëri (edhe nëse do të paguajnë nga pensioni që do të marrin), se do të mund të bëhen me shtëpi.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH