Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 60% e klandestinëve të huaj janë shqiptarë, mashtrimi i madh i britanikëve   

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS:  60% e klandestinëve të huaj janë

Aranit Muraçi

Gjatë verës, shumica e të ardhurve me varka të vogla nga Franca - rreth 60% - kanë qenë shtetas shqiptarë pretendoi ish-ministrja Priti Patel dhe mediat britanike, shifër që nuk është provuar ende

Kjo shifër u deklarua në Parlament nga sekretarja e atëhershme e Brendshme Priti Patel, dhe deri më sot Ministria e Brendshme Britanike nuk i ka publikuar të dhënat zyrtare për ta mbështetur atë. Ajo ka thënë se ka pasur disa ditë në verë kur përqindja e mbërritjeve me varka të vogla, që ishin shtetas shqiptarë, kalonte 60 %.

Statistikat se rreth 60% e emigrantëve të paligjshëm që mbërritën në Britaninë e Madhe me varka këtë verë ishin shtetas shqiptarë, është përsëritur disa herë edhe në mediat britanike gjatë javëve të fundit. Disa media e ekzagjerojnë kur thonë se drejt Anglisë po shkojnë “kriminelët”.

"Rreth 700-ose 60 për qind, rekord ditor prej 1295 emigrantësh që arritën në Mbretërinë e Bashkuar të hënën ishin nga shteti ballkanik”, shkroi në gusht një media britanike.

Shifra prej 60% u përdor më pas nga sekretarja e atëhershme e Brendshme Priti Patel në Parlament më 5 shtator, megjithëse në vend që ta specifikonte lidhur me një ose më shumë ditë, ajo u tha deputetëve se ishin shqiptarët “kombësia e huaj më problematike” sa i përket emigracionit të paligjshëm në Britani.

Më 24 shtator, një artikull në “The Times” thoshte se “rreth 60 për qind e kalimeve ditore janë shqiptarë, sipas zyrtarëve të “Home Office”, duke shtuar se, “është vlerësuar se më shumë se 9,000 shqiptarë kanë mbërritur në tre muajt e fundit”.

Kur iu kërkua të konfirmonte shifrën në raportimin e “The Times”, ministria e Brendshme Britanike i shpjegoi “fullfact.org” deklaratën e zonjës Patel në Parlament. Ish-Sekretarja e Brendshme i referohej të dhënave të përkohshme operacionale dhe se kishte ditë në verë kur përqindja e mbërritjeve me varka të vogla, që ishin shtetas shqiptarë, i kalonte 60% (mund të kishte mbërritur një varkë me 20 persona, në një ditë dhe 15 prej tyre mund të ishin shqiptarë dhe kjo nuk do të thotë se mbi 60 për qind e klandestinëve ishin shqiptarë).

Megjithatë, të dhënat, nga publikimet e deritanishme, nuk mund të ndahen sipas muajve ose ditëve të veçanta, sepse mund të jetë cinike për të thënë se 60% e mbërritjeve me varka të vogla në Britani ishin shqiptarë, nëse nga ana tjetër shifrat zyrtare gjatë një tremujori, apo viti, tregojnë se nuk qëndron kjo përqindje.

Të dhënat e fundit të publikuara nga qeveria për migracionin e parregullt, i cili mbulon periudhën deri në qershor 2022, tregojnë se në gjashtë muajt e parë të vitit 2022, qytetarët nga Shqipëria përfaqësonin thuajse 17% të një totali prej 12,747 persona, që kishin mbërritur me varka ose në rrugë klandestine në Angli. Pra, nga kjo e dhënë e fundit, nuk ka asnjë provë tjetër ose shifër zyrtare nga autoritetet britanike që të provojë se 60% e emigrantëve të paligjshëm që kalonin detin me varka ishin shqiptarë.

Britania e Madhe me gjasë është duke i përdorur shqiptarët për arsye politike, siç veproi Holanda dhe Franca, kur nuk donin pak vite më parë të pranonin që BE të çelte negociatat me Shqipërinë, duke ngritur mes të tjerash pretendime se ishim ne një vend me kriminalitet të lartë, gjë të cilën e kishim importuar edhe në vendet e tyre. Por të dhënat zyrtare treguan se, shqiptarët në burgjet holandeze dhe ata në franceze, përbënin një shifër të papërfillshme, më pak se 1 për qind e dënimeve që ishin dhënë për shtetasit e huaj.   /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH