Aranit Muraçi
Pas Shqipërisë, emigrantët që kaluan ilegalisht këtë vit përmes detit për të mbërritur në Britaninë e Madhe ishin nga vende si Afganistani, Iraku, Irani dhe Siria. Thuajse të gjithë emigrantët e paligjshëm ishin nga Afrika, ose nga vendet e Lindjes, të përfshira vitet e fundit në luftë. Ministri Britanik i Emigracionit Robert Jenrick tregoi numrin e emigrantëve shqiptarë që kanë mbërritur në Britaninë e Madhe nga të dhënat e 9 muajve të parë të këtij viti. Me varka të vogla “80% e individëve vijnë nga Shqipëria”, u tha ai deputetëve.
Pse shqiptarët largohen nga Shqipëria, të cilën Jenrick e quajti një “vend të sigurt”?
Të ardhurat mesatare vjetore neto të familjeve në Shqipëri ishin vetëm 1,997 Euro në vitin 2018, sipas shifrave më të fundit të disponueshme nga Eurostat, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar ato ishin 21,464 Euro. Pra, një vit punë në Shqipëri vlen gati sa një muaj punë në Mbretërinë e Bashkuar. Nëse në vendet e Perëndimit kostot e jetesës janë më të larta, megjithatë, shqiptarët besojnë se të paktën jashtë Shqipërisë ka vlerë puna.

Numri i emigrantëve shqiptarë që kanë kaluar ilegalisht këtë vit detin për të shkuar në Britani:
Në vitin 2020, 50 shqiptarë mbërritën me gomone
Në vitin 2021, 800 shqiptarë
Në vitin 2022, 11,241 kanë mbërritur vetëm në nëntë muajt e parë
Nga emigrantët shqiptarë të mbërritur këtë vit në Britani, rreth 10,000 ishin meshkuj dhe beqarë, sipas të dhënave zyrtare dhe kjo përfaqëson rreth 1% të meshkujve në moshë pune në Shqipëri, sipas shifrave nga Eurostat. Nga shifrat zyrtare, në 9 muajt e parë të vitit, deri në shtator 2022, nha 85% e shqiptarëve që mbërritën me gomone, 7.219 prej tyre paraqitën kërkesa për azil. Shqiptarët largohen masivisht këtë vit drejt Britanisë ngaqë, besohet se, një pjesë e mirë e të rinjve joshen nga bandat që kryejnë aktivitete të paligjshme dhe kanë nevojë për fuqi punëtore.
Pse po i tërheq shqiptarët Britania?
Administrata Britanike thotë se bandat shqiptare janë përgjegjëse për ngritjen e shumicës së fermave të kanabisit, aq sa kanë krijuar një industri më vete në Mbretërinë e Bashkuar dhe janë gjithashtu lojtarët kryesorë në tregun e kokainës që vlerësohet se qarkullojnë një shifër prej 6 miliardë Eurosh në Mbretërinë e Bashkuar. Në vitin 2017, BBC raporton se një shtetas shqiptar u burgos pasi drejtonte një operacion kontrabande kokaine me vlerë rreth 70 milionë Euro. Mediat britanike, duke iu referuar të dhënave zyrtare të institucioneve ligjzbatuese, pretendojnë se shqiptarët i kthejnë dhe i pastrojnë kryesisht në vendin e tyre paratë që përfitojnë në rrugë të paligjshme, për faktin se në vendin e tyre të origjinës, nisur nga mungesa e shtetit ligjor, e shohin më të sigurt investimin.
Megjithatë, shqiptarët mund të aplikojnë për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar me vizë për turizëm, biznes apo studime dhe të dhënat tregojnë se shumica prej tyre nuk pengohen. Në nëntë muajt e parë të 2022, Mbretëria e Bashkuar mori 24,102 aplikime për viza nga shtetasit shqiptarë dhe iu dha vizë 16,084 prej tyre, duke iu referuar shifrave të Ministrisë së Brendshme Britanike. Vetëm 325 prej tyre ishin viza pune.

Pse ikin dhe nuk ndalen shqiptarët?
Më 7 dhjetor, Qirjako Qirko – ambasadori shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar – u tha deputetëve se disa emigrantë shqiptarë mbërrijnë në vendin e tyre për të kërkuar mundësi biznesi. Ai gjithashtu pohoi se disa prej tyre mund të ishin viktima të skllavërisë moderne. Duke folur në të njëjtin komision të deputetëve, eksperti i çështjeve të Ballkanit Andi Hoxhaj vlerësoi se rreth 40% e njerëzve largohen nga Shqipëria për “mundësi më të mira ekonomike”.
Tre dekada pas rënies së diktaturës së Enver Hoxhës dhe hapjes së kufijve të Shqipërisë, rreth 60% e popullsisë së rritur të vendit tonë donte të largohej, sipas një sondazhi të Gallup, të publikuar në dhjetor 2018.
Ata që donin të largoheshin përmendën korrupsionin, pagat e ulëta, kushtet e këqija të punës dhe cilësinë e ulët të jetës si arsyet e tyre kryesore. Kriza e fundit e çmimeve, pas krizës që solli pandemia, duket se e ka nxitur edhe më tepër numrin e shqiptarëve që duan të largohen, madje ka forcuar bindjen e tyre, se largimi nga një vend që nuk premton asgjë është zgjidhja e vetme. /Liberale.al/