Krye

500 bursa “Kadare” për humanitetet në UET

               Publikuar në : 09:26 - 14/08/19 LP

Bursa “Kadare” vjen në funksion të Fakultetit të Shkencave Humane, me qëllim promovimin e degëve që njihen si “degë sokratike”, Filozofi, Letërsi, Gjuhësi, Histori dhe Studime Religjioze.

Bursat “Kadare” vijnë si nevojë e promovimit dhe zhvillimit të këtyre degëve në Shqipëri. Promovimi i këtyre degëve, nëpërmjet bursave të studimit, është një risi dhe UET është universiteti i parë privat që i promovon këto degë.

Shkencat Humane janë një pjesë e domosdoshme e çdo hapësire universitare, pa të cilat nuk mund të kuptohet, madje as formimi i profesionistëve të degëve praktike. Programet e studimit në shkencat humane janë të vlefshme për të themeluar dije të qëndrueshme dhe diploma tejet praktike. Gjithashtu, degët në humanitete janë esenciale për një shoqëri në elaborim, për një shoqëri të jashtëzakonshme, por sidomos për shoqërinë shqiptare. Universiteti Europian i Tiranës ka marrë konfirmimin nga shkrimtari i madh Ismail Kadare që të emërtojë me emrin e tij Bursën “Kadare” për humanitetet.

Hapja e këtyre degëve është një risi për universitetet shqiptare, veçanërisht atyre private, pasi UET është universiteti i parë privat që hap këto degë sokratike. Kjo është arsyeja pse humanitetet tek Universiteti Europian i Tiranës, tashmë të organizuara në një fakultet dhe departament më vete, meritojnë dhe këtë mbështetje financiare nëpërmjet bursave “Kadare”. Sistemi i bursave “Kadare” fillimisht do të jetë pak më i gjerë sesa ka qenë praktikisht këtë vit akademik, ku janë rreth 700 studentë të prekur nga gjysmëbursat dhe bursat e plota me një fokus më të gjerë, si artet, sportet etj. Rektorja e UET, prof. dr. Nevila Nika, shprehet se aksesimi e këtyre degëve në Universitetin Europian të Tiranës është vërtet një mundësi shumë e mirë për të ndërtuar inxhinierët e ardhshëm të shoqërisë sonë.

Ndërkohë, Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve liberale shpjegon se, “bursa që mban emrin ‘Kadare’ vjen si mbështetje e investuar simbolikisht nga vetë shkrimtari Ismail Kadare, me rastin e hapjes për herë të parë në një universitet privat shqiptar të programeve të dijes, sikurse janë studimet në fusha të tilla si: Filozofia, Historia, Linguistika, Letërsia, apo Studimet Religjioze. Në kushtet kur tregu nuk është aq dashamirës ndaj këtyre degëve, UET në një farë mënyre i ka vetëfinancuar këto degë të ashtuquajtura ‘sokratike’, duke themeluar bursat ‘Kadare’, për të cilat UET është licencuar”.

Duke qenë se Shkencat Humane janë pjesë e domosdoshme e çdo hapësire universitare, pa të cilat nuk mund të kuptohet madje as formimi i profesionistëve të degëve praktike, këto programe do të ushqejnë me subjektet e tyre dhe dije të qëndrueshme edhe diplomat e tjera praktike dhe të disiplinave të tjera. Lëndët e formimit të përgjithshëm, si filozofia, historia apo gjuha shqipe, që burojnë nga shkencat humane, janë tashmë pjesë e integruar e kurrikulës së çdo programi studimi në UET.

“Për sa i përket përfitimit të bursës ‘Kadare’ në fushën e arteve, kjo vjen tashmë në fazën kur është krijuar një traditë në këtë drejtim, pasi vitin e kaluar është zhvilluar edicioni i pestë i Kolonisë së Artit. Të rinjtë që aplikuan për përfitimin e kësaj burse u zhvendosën në një mjedis larg zhurmave dhe rrëmujës së qytetit, të frymëzuar nga bukuritë e natyrës, ku përshkuan dhe mbushën telajot plot me ngjyra dhe pasion, në të cilën përmbushën artistikisht fantazinë e tyre krijuese.

Në përfundim të këtij pelegrinazhi artistik juria përzgjedh dhjetë punimet dhe artistët më të spikatur për t’i akorduar bursën ‘Kadare’ dhe njëkohësisht pasurojnë Koloninë e Artit. Kolonia e Artit në vetvete është një iniciativë, e ndërmarrë nga Instituti Europian ‘Pashko’ në bashkëpunim me Departamentin e Arteve të Aplikuara në UET, që synon të krijojë një komunitet të artistëve dhe të sjellë vëmendjen tek arti. Thirrja për aplikim ka tërhequr vëmendjen e shumë maturantëve nga e gjithë Shqipëria, jo vetëm nga shkollat artistike, por edhe nga gjimnazet e përgjithshme”, tregon përgjegjësi i departamentit të Arteve të Aplikuara në UET, Ermir Nika, ndërkohë që shton se UET është përkushtuar që të sjellë një efekt “pionier” në fushën e edukimit të arteve. Gjithashtu UET po përmbush një vakum të krijuar ndër vite, jo vetëm duke i përgatitur në aspektin akademik studentët që studiojnë në këtë departament, por edhe duke i përfshirë në projekte specifike në sintoni dhe koherencë të plotë me kërkesat dhe fizionominë që shpalos sot tregu i punës në Shqipëri./Gazeta Liberale

(Visited 129 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *