Kosova

5 vjet burg për dy ish-zyrtarë të ministrisë së Infrastrukturës, në Kosovë

Shkruar nga Liberale
5 vjet burg për dy ish-zyrtarë të ministrisë së

Dy ish-zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, Xhelil Bekteshi, dhe Besim Tahiri, janë dënuar me pesë vjet burg, si të akuzuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve është shpallur të hënën nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Bekteshi është dënuar me dy vjet burg, ndërsa i akuzuari Tahiri me tri vjet.  Po ashtu, atyre u është shqiptuar edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën publike në kohëzgjatje prej dy vjetësh.

Sipas aktgjykimit, dy të akuzuarit detyrohen që Ministrisë së Infrastrukturës t’ia kompensojnë dëmin në vlerë 29 mijë e 828 euro, raportoi Betimi për Drejtësi.

Më 29 janar 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit, me pretendimin se kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndaj Naim Sallahut për veprën penale “Falsifikim i dokumentit”.

Bekteshi thuhet se e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) Valentina Rexhepi, që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë-Kjevë, duke regjistruar vendimin me datën 23 maj 2016 në vend të datës reale 26 qershor 2016.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu”, i cili ishte me çmim 991 mijë e 418 euro e 19 centë, ndërsa operatorit tjetër ekonomik i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH