Dossier

46 vitet e Gjykatës së Lartë. Si ka ndryshuar…

               Publikuar në : 09:28 - 28/12/19 liberale

Juridiksioni i Gjykatës së Lartë në periudhën 1945 – 1991/ Një analizë e funksionimit të këtij institucioni në librin e botuar nga UET PRESS me autorë Arjana Fullani dhe Florjan Kalaja

 Arjana Fullani & Florjan Kalaja

 Pas çlirimit të Shqipërisë dhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore një nga ligjet e para të organizimit të drejtësisë ishte ligji mbi organizimin e gjykatave ushtarake. Ligji krijonte Gjykatën e Naltë Ushtarake, si autoritetin më të lartë gjyqësor penal ushtarak.

Gjykata e Naltë Ushtarake kishte juridiksion rishikues, të detyrueshëm dhe ex legge, në të gjitha rastet kur nga gjykata më e ulët dhe e faktit jepej dënimi me vdekje. Në këto raste Gjykata e Naltë Ushtrarake shqyrtonte ligjshmërinë e vendimit objekt gjykimi në tërësi dhe gjykimi zhvillohej në dhomë këshillimi (de plano). Gjykata e Naltë Ushtarake mundet të pranonte vendimin, që do të thotë ta linte atë në fuqi, ta ndryshonte apo ta anulonte, duke e zgjidhur sakaq vetë çështjen në fakt dhe në ligj. Gjykata e Naltë Ushtarake kishte juridiksion të plotë rishikues ligji dhe fakti. Vendimi i Gjykatës së Naltë Ushtarake ishte përfundimtar dhe i formës së prerë. Gjykata e Naltë Ushtarake vendoste edhe për mënyrën e ekzekutimit të dënimit me vdekje.

Gjykata e Lartë në ligjin organik gjyqësor të përkohshëm të vitit 1945

 Ligji i parë organik i gjykatave pas çlirimit të Shqipërisë dhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore ishte ai i vitit 1945. Autoriteti më i lartë gjyqësor sipas këtij ligji organik ishte Gjykata e Naltë për drejtësinë civile dhe penale. Ndërkohë juridiksioni i fajeve penale ushtarake rregullohej me ligj të veçantë.

Gjykata e Naltë i ushtronte funksionet e saj me anë të Këshillit të Përgjithshëm. Ky forum gjyqësor gjykonte çështjet lëndë gjykimi kolegjialisht me një numër prej pesë gjyqtarësh në trupën gjyqësore. Ligji organik kishte parashikuar se Gjykata e Naltë do të funksiononte edhe me dy seksione, të cilët gjykonin me trup gjykues kolegjial me një numër prej tre gjyqtarësh. Neni 40 i ligjit organik të gjykatave parashikonte se si rregull Këshilli i Përgjithshëm dhe seksionet e Gjykatës së Naltë gjykonin sipas ritit kameral në këshill dhe si përjashtim nga rregulli, vetëm kur ligji organik apo procedural parashikonte ndryshe, ato mundet të gjykonin sipas ritit plenar të gjykimit apo në seancë gjyqësore dhe në prani të palëve.

Seksioni i parë dhe i dytë i Gjykatës së Naltë kishte juridiksion rishikues dhe shqyrtonte ligjshmërinë dhe themelsinë e vendimeve të gjykatave të prefekturës, duke gjykuar si gjykatë e shkallës së dytë. Në këto raste Gjykata e Naltë ushtronte juridiksion rishikues të plotë mbi ligjin dhe mbi faktin.

Ndërkohë Këshilli i Përgjithshëm gjykonte si gjykatë e shkallës së tretë me juridiksion rishikues vetëm ankimet ndaj vendimeve të seksioneve, duke u kufizuar në çështjet e ligjit. Në këtë mënyrë Këshilli i Përgjithshëm i Gjykatës së Naltë ushtronte juridiksion rishikues të plotë ligji.

Gjykata e Naltë, konkretisht seksionet, ushtronin edhe juridiksion fillestar në disa çështje penale. Neni 53 i ligjit organik të gjykatave parashikonte se fajet penale të funksionarëve shtetëror gjyqësor të çdo grade shqyrtohet nga seksionet e Gjykatës së Lartë dhe ndiqeshin penalisht nga Prokurori i Përgjithshëm. Seksioni i Gjykatës së Lartë në këto raste kishte në juridiksion edhe shqyrtimin e kërkesave gjyqësore që mundet të bëheshin gjatë zhvillimit të fazës së hetimit paraprak. Kjo do të thotë se Gjykata e Naltë në këto raste ushtronte juridiksion fillestar dhe shërbente edhe si gjykatë hetimesh dhe si gjykatë themeli.

Gjykata e Lartë në Kushtetutën e vitit 1946

Kushtetuta e vitit 1946 në nenin 79 parashikonte se drejtësia jepej nga Gjykata e Lartë, krahas gjykatave të qarqeve, gjykatave popullore dhe gjykatave ushtarake. Neni 80 i Kushtetutës parashikonte se gjykatat më të larta kanë të drejtë të kontrollojnë brenda kufijve të ligjit gjykatat më të ulëta, duke ia njohur sakaq juridiksionin rishikues Gjykatës së Lartë drejtpërdrejtë dhe në mënyrë eksplicite në Kushtetutë.

Neni 86 i Kushtetutës së vitit 1946 e shquante Gjykatën e Lartë si organin më të lartë në dhënien e drejtësisë. Kjo normë parashikonte se Gjykata e Lartë mundet të ushtronte juridiksion fillestar dhe se rastet se kur do të gjykonte si gjykatë e shkallës së parë do të përcaktoheshin me ligj. Gjithashtu, kjo normë parashikonte se Gjykata e Lartë mundet të përcaktohej dhe rregullohej nga ligji për të gjykuar edhe si gjykatë e shkallës së dytë.

Natyrën e gjykimit dhe juridiksionit rishikues të autoritetit më të lartë gjyqësor dhe të dhënies së drejtësisë e parashikonte neni 87 i Kushtetutës së vitit 1946, i cili përcaktonte se Gjykata e Lartë do të vendosë nëse janë apo jo të ligjshme vendimet e formës së prerë të të gjitha gjykatave të Republikës. Kjo do të thotë se Gjykata e Lartë vetëm në ushtrimin e juridiksionit fillestar do të mundet të kishte juridiksion të plotë mbi faktin edhe mbi ligjin dhe në rastet e ushtrimit të juridiksionit rishikues ajo do të kishte gjithnjë vetëm juridiksion të plotë mbi ligjin. Për më tepër, duke qenë se Kushtetuta 1946 parashikonte se kontrolli i ligjshmërisë së Gjykatës së Lartë do të ushtrohej ekskluzivisht vetëm mbi vendimet gjyqësore të formës së prerë, do të thotë se vetë Kushtetuta kishte parashikuar dhe rregulluar drejtpërdrejtë se juridiksioni rishikues i Gjykatës së Lartë mundej të aksesohej vetëm nga mjete të jashtëzakonshme ankimi.

Ligji i parë organik i drejtësisë u miratua disa muaj pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës. Gjykata e Lartë ishte organi më i lartë i drejtësisë, sikurse kishte sanksionuar më parë tij edhe Kushtetuta. Në nenin 11, 12 dhe 13 të ligjit organik parashikohej se Gjykata e Lartë ushtronte juridiksion fillestar dhe rishikues, pasi gjykonte si gjykatë e shkallës së parë, si gjykatë e shkallës së dytë dhe si gjykatë rishikimi e aktivizuar me ankime të jashtëzakonshme kundër vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Edhe neni 23 i ligjit parashikonte se detyra e gjykatave më të larta është kontrolli gjyqësor ndaj vendimmarrjes së gjykatave më të ulëta. Gjykata e Lartë gjykonte në këshillë, sipas ritit të gjykimit kameral dhe pa praninë e palëve. Ajo gjykonte me trupë gjykuese kolegjiale me tre gjyqtarë. Neni 58 i këtij ligji parashikonte se Gjykata e Lartë gjykonte edhe mbledhjen e përgjithshme të gjyqtarëve. Gjykata e Lartë, sipas nenit 55 të këtij ligji, gjykonte me juridiksion fillestar çështjet civile dhe penale që ligji i ka përcaktuar se janë në kompetencën e saj. Ajo kishte mundësi që edhe të hiqte dorë nga gjykimi i një çështje dhe ta dërgonte për gjykim në një gjykatë prefekture apo nënprefekture, të cilën e caktonte vetë ajo në vendimin e ndërmjetëm që merrte. Gjithashtu, Gjykata e Lartë kishte mundësinë që nga këto gjykata të tërhiqte për gjykim çështje të caktuara, kur vlerësonte se kishte interes të rëndësishëm në shqyrtimin e saj. Gjykata e Lartë zgjidhte si gjykatë e fundit të gjitha çështjet e konflikteve të kompetencës, së juridiksionit dhe transferimin e gjykimeve. Vendimet e saj në këto raste ishin të fundme dhe si të tilla të padiskutueshme dhe të detyrueshme për zbatim.Gjykata e Lartë gjykonte në këshillë si shkallë e dytë me juridiksion rishikues të gjitha ankimet dhe protestat ndaj gjykatave të shkallës së parë, sikurse parashikonte ligji. Më tej juridiksionin rishikues ndaj ankimeve të jashtëzakonshme Gjykata e Lartë e ushtronte në mbledhjen e përgjithshme të të gjithë gjyqtarëve. Në këtë mënyrë gjykoheshin kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë që drejtoheshin ndaj vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Mbledhja e Përgjithshme e Gjykatës së Lartë ushtronte edhe atributet e gjykimit dhe juridiksionit nomofilatik, me qëllim uniformizimin, udhëzimin dhe ndryshimin e praktikës gjyqësore. Në të merrnin pjesë kryetari, nënkryetari dhe gjyqtarët. Mbledhja e Përgjithshme e Gjykatës së Lartë ishte e vlefshme kur në të merrte pjesë 2/3 e të gjithë gjyqtarëve. Mbledhjet e përgjithshme të Gjykatës së Lartë sipas ligjit duhet të bëheshin rregullisht të paktën një herë në çdo muaj.Neni 55 dhe më tej 58 i këtij ligji parashikonte se Mbledhja e Përgjithshme e Gjykatës së Lartë duhet të miratonte udhëzime për njësimin, ndryshimin dhe unifikimin e praktikës gjyqësore. Në mbledhjen e përgjithshme në këto raste merrte pjesë detyrimisht edhe Prokurori i Përgjithshëm dhe mundet të merrte pjesë edhe Ministri i Drejtësisë. Të dy këto subjekte nuk gëzonin të drejtë vote.Me këtë ligj u shfuqizua ligji organik i përkohshëm i drejtësisë i vitit 1945. Në këtë ligj rregullohej edhe tranzitimi i juridiksionit të Gjykatës së Diktimit me Gjykatën e Lartë. Neni 90 i tij parashikonte se ankimet apelore të paraqitura më parë do të shqyrtoheshin nga gjykatat e shkallës së dytë dhe se ankimet diktimore (rekurset) të paraqitura më parë do të shqyrtoheshin nga Gjykata e Lartë e krijuar rishtazi, pavarësisht nëse çështja ishte penale apo civile. Për ankimet e paushtruara akoma në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligjit, parashikohej se do të zbatoheshin normat e reja ligjore. Ligji parashikonte se dispozitat e ankimit të jashtëzakonshëm do të zbatoheshin për të gjitha vendimet e formës së prerë të dhëna më parë, pavarësisht afatit të ankimit të tyre dhe pavarësisht nëse vendimet e formës së prerë mundet të ishin vendimet e Gjykatës së Diktimit.

Në nenin 93 të ligjit organik u parashikua rezerva dhe autorizimi ligjor për Ministrin e Drejtësisë që me udhëzime të miratonte rregulla normative mbi procedurën civile dhe penale, deri sa të miratoheshin kodet respektive. Në Urdhëresën e Ministrit të Drejtësisë, të miratuar sipas këtij autorizimi dhe njëkohësisht rezervë ligjore, u parashikuan norma procedurale penale dhe civile edhe për gjykimin në Gjykatën e Lartë.

Sipas nenit 19 të urdhëresës parashikohej se Gjykata e Lartë mundet të gjykonte çështje të caktuara si gjykatë e shkallës së dytë, që do të thotë të ushtronte juridiksion rishikues mbi bazën e mjeteve të zakonshme të ankimit, të cilat mundet të evokonin shkelje të ligjit procedural apo substancial. Gjykata e Lartë në këto raste mundet të vendoste në të gjitha mënyrat e mundshme të disponimit gjyqësor, mospranim ankimi, lënie në fuqi, prishje dhe kthim për rigjykim, prishje dhe pushim gjykimi dhe ndryshimin e vendimit objekt ankimi. Neni 31 i Urdhëresës parashikonte se në rastin e barazisë së vota në gjykimin në Gjykatën e Lartë ishte deçizive vota e kryetarit dhe në mungesë të tij, vota e nënkryetarit.

Gjykata e Lartë në ligjin për gjykatat ushtarake të vitit 1946

Në fundin e vitit 1946 u miratua edhe një ligj i ri për gjykimin dhe gjykatat ushtarake, sipas të cilit për veprat penale ushtarake autoriteti më i Lartë gjyqësor ishte Gjykata e Lartë Ushtarake. Gjykata e Lartë ushtarake, sipas nenit 10, gjykonte si gjykatë e shkallës së parë dhe si gjykatë e shkallës së dytë, me juridiksion të plotë fillestar dhe rishikues fakti dhe ligji. Gjykata e Lartë Ushtarake e ushtronte juridiksionin rishikues me mjete të zakonshme dhe të jashtëzakonshme ankimi.

Njëlloj sikurse Gjykata e Lartë, Gjykata e Lartë Ushtarake mundet të merrte për shqyrtim çështje që po gjykonin gjykatat e tjera ushtarake dhe mundet të dërgonte në to për gjykim çështje që ligji i a caktonte asaj. Gjykata e Lartë Ushtarake merrte për gjykim edhe çështje penale ushtarake për fajet penale të parashikuara nga ligji që përcaktonte veprat penale kundra shtetit dhe popullit, me kërkesë të Prokurorit Ushtarak të Ushtrisë Kombëtare.

Ajo, njëlloj sikurse Gjykata e Lartë, gjykonte në këshillë apo në Mbledhje të Përgjithshme, respektivisht me tre apo me të gjithë gjyqtarët. Për të gjitha dënimet me vdekje parashikohej procedura e kontrollit të detyrueshëm dhe ex officio dhe ex legge nga ana e Gjykatës së Lartë Ushtarake.

Gjykata e Lartë në ligjin organik gjyqësor të vitit 1951

 Ligji i dytë organik i gjykatave dhe i drejtësisë, i miratuar pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së vitit 1946, hyri në fuqi në vitin 1951. Në nenin 15 të këtij ligji parashikohej se Gjykata e Lartë ushtronte juridiksion rishikues, duke individualizuar si mjete aksesi në këtë gjykatë ankimet dhe protestat. Norma parashikonte se Gjykata e Lartë shqyrton ligjshmërinë dhe themelsinë e vendimeve të ankimuara. Neni 34 i këtij ligji përcaktonte se Gjykata e Lartë është organi më i lartë i drejtësisë në Republikën Popullore të Shqipërisë dhe se kishte detyrë të kontrollonte veprimtarinë gjyqësore të të gjitha gjykatave. Sipas nenit 35 të këtij ligji juridiksioni rishikues i Gjykatës së Lartë ushtrohej si gjykatë e shkallës së dytë ndaj mjeteve të zakonshme të ankimit, shqyrtonte gjithashtu ligjshmërinë dhe themelsinë e vendimeve gjyqësore që kanë marrë formë të prerë.

Gjithashtu Gjykata e Lartë, sipas nenit 36, mundet të ushtronte juridiksion fillestar, duke gjykuar çështjet civile, penale, penale ushtarake apo disiplinore që parashikoheshin dhe përcaktoheshin me ligj. Gjykata e Lartë, sipas nenit 44 të këtij ligji, mundet të hiqte nga gjykimi i gjykatave më të ulëta çështje të caktuara, duke vendosur t’i gjykonte vetë, me juridiksion fillestar apo rishikues, sipas rastit.

Gjykata e Lartë sipas këtij ligji ishte e ndarë dhe organizohej në katër kolegje:

1) Kolegji Penal;

2) Kolegji Civil;

3) Kolegji Ushtarak;

4) Kolegji Disiplinor.

Gjithashtu, Gjykata e Lartë shqyrtonte edhe në Plenium, e cila ishte mbledhja e përgjithshme e gjykatës, ku merrnin pjesë të gjithë gjyqtarët dhe ndihmësgjyqtarët.

Neni 48 i ligjit organik gjyqësor të vitit 1951 rregullonte edhe gjykimin nomofilatik. Paragrafi i dytë i kësaj dispozite parashikonte se Pleniumi i Gjykatës së Lartë u jep gjykatave edhe udhëzime mbi çështje të praktikës gjyqësore. Pleniumi i Gjykatës së Lartë thërritej të paktën një herë në çdo dy muaj.

Ndryshe nga si ka funksionuar gjykimi nomofilatik pas viteve 1990 dhe ndryshe si funksionon sotdita, gjykimi nomofilatik pas çlirimit e deri në rënien e regjimit komunist nuk niste nga zgjidhja e një ankimi të zakonshëm apo të jashtëzakonshëm, por nisej si një gjykim krejt autonom dhe i pavarur dhe si i tillë tërësisht objektiv. Për më tepër, ligji, produktin përfundimtar që gjykimi nomofilatik i atëhershëm jepte, e shquante jo si vendim, duke dashur t’i hiqte kuptimin e kontekstit të vendimit që përmbyll si rregull gjykimin subjektiv dhe individual. Përkundrazi, ligji i vitit 1951 produktin përfundimtar të gjykimit nomofilatik e shquante si “Udhëzim”, duke ruajtur karakteristikat normative të këtij gjykimi të posaçëm të Gjykatës së Lartë.

Udhëzimi i Gjykatës së Lartë kishte natyrë normative dhe vepronte orga omnes në të gjithë territorin e Republikës. Udhëzimi ishte i detyrueshëm jo vetëm për gjykatat, por edhe për organet shtetërore apo edhe për vetë subjektet e së drejtës. Udhëzimi i Pleniumit të Gjykatës së Lartë kishte një formë të veçantë edhe si akt procedural, pasi ai fillimisht shtronte problematikën, arsyetonte zgjidhjet dhe më tej përmbante pjesën dispozitive. Në pjesën dispozitive udhëzimi përmbante normativën apo rregullin e sintetizuar, të formuluar sikur të ishte normë ligjore, që do të thotë se dispozitivi i një udhëzimi të tillë vendoste rregulla normative të detyrueshme në interpretim gjyqësor të ligjit.

Nuk kishte rregullime të posaçme për fuqinë juridike në kohë të udhëzimit. Ato botoheshin në Buletinin e Gjykatës së Lartë. Megjithatë praktika e Gjykatës së Lartë në këtë kohë – në rastet kur udhëzimi i ri ndryshonte apo linte pa fuqi një udhëzim të mëparshëm – ishte se udhëzimi i ri linte pa fuqi juridike udhëzimin paraardhës dhe se fuqia juridike e tij niste nga momenti i botimit në Buletinin e Gjykatës së Lartë. Në këtë mënyrë zgjidhej edhe hurja në fuqi e udhëzimeve që vetëm abrogonin udhëzime të mëparshme apo edhe pika të pjesshme të tyre, por që nuk vendosnin ndryshimin e tyre.

Udhëzimi i Pleniumit të Gjykatës së Lartë, më shumë si mjet që paqtonte qëndrimet e ndryshme brenda kolegjeve të Gjykatës së Lartë, ishte konceptuar si një mekanizëm normativ që duhet të njësonte praktikën gjyqësore të gjykatave më të ulëta kur viheshin re qëndrime të ndryshme. Gjithashtu, nëpërmjet udhëzimeve, Gjykata e Lartë zhvillonte praktikën gjyqësore dhe përmirësonte mënyrën e gjykimit, pasi në to jepeshin edhe këshilla praktika për gjykimin e çështjeve të caktuara nga gjykatat e faktit.

Gjykata e Lartë në Kodin e Procedurës Penale të vitit 1953

 Kodi i Procedurës Penale i vitit 1953 parashikonte dy lloje kolegjesh penale në Gjykatën e Lartë:

  1. Kolegji Penal;
  2. Kolegji Penal Ushtarak.

Kolegjet ushtronin juridiksion rishikues dhe juridiksion fillestar në gjykimin e çështjeve që ligji parashikonte.

Juridiksioni fillestar në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë ushtrohej për çështjet me rëndësi të veçantë që i dërgoheshin për gjykim nga Prokurori i Përgjithshëm. Megjithatë kolegji kishte mundësi të vlerësonte nëse do të ushtronte juridiksion rishikues mbi to apo të vendoste kalimin për gjykim në një nga gjykatat e cilitdo qarku që e vlerësonte të arsyeshme. Gjithashtu, për shkak të ligjit, Kolegji Penal të Gjykatës së Lartë ushtronte juridiksion fillestar për shqyrtimin e akuzave të krimeve në ushtrimin e detyrës të kryera nga anëtarët e qeverisë, deputetetët, ndihmësministrat, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm dhe ndihmësit e tij, nga gjyqtarët popullor, gjyqtarët e gjykatave të qarqeve, prokurorët dhe ndihmësit e tyre dhe hetuesit e prokurorive.

Ndërkohë, Kolegji Penal Ushtarak i Gjykatës së Lartë ushtronte juridiksion fillestar në gjykimin e veprave penale, krime kundër shtetit me rëndësi të veçantë, që i dërgoheshin asaj për gjykim nga Prokurori i Përgjithshëm; krimet kundër shtetit, krimet ushtarake dhe krimet e kryera gjatë detyrës nga ushtarakët me përgjegjësi, komandant regjimenti dhe më lart; krimet në ushtrimin e detyrës të kryera nga gjyqtarët e Kolegjit Penal Ushtarak të Gjykatës së Lartë, nga gjyqtarët e gjykatave ushtarake, prokurorët ushtarak, ndihmësit e tyre si dhe nga hetuesit ushtarak; të gjitha krimet e kryera nga punonjësit sekret të Ministrisë së Punëve të Brendshme që kanë lidhje me detyrën e tyre.

Kodi parashikonte se Gjykata e Lartë mundet të gjykonte edhe çështje të tjera me juridiksion fillestar në rastet e koneksitetit të gjykimit për shkak se vepra penale objekt akuze është kryer në bashkëpunim dhe se gjykimi i akuzave të lidhura nuk mundej të veçohej. Në këto raste çështja si një e tërë do të gjykohej nga Gjykata e Lartë, edhe pse për akuza të veçanta ajo nuk mundet të ushtronte veçmas juridiksion fillestar.

Gjykata e Lartë kur ushtronte juridiksion fillestar gjykonte kolegjialisht dhe në trupën gjyqësore kishte një gjyqtar, që ishte edhe kryesues, dhe dy ndihmësgjyqtarë. Megjithatë parashikohej se për këto çështje Kryetari i Gjykatës së Lartë mundet të vendoste që çështja të gjykohej me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë. Kolegji Penal dhe Kolegji Penal Ushtarak i Gjykatës së Lartë ushtronte edhe kompetencat e rregullimit të juridiksionit dhe kompetencës ndërmjet gjykatave. Gjithashtu, kolegjet vendosnin edhe se kush do të duhet të gjykojë një çështje me qëllim që gjykimi të jetë i paanshëm, i shpejtë dhe i plotë.

Gjykata e Lartë ushtronte juridiksion rishikues vetëm e aktivizuar nga mjete të jashtëzakonshme ankimi, të cilat ushtroheshin ndaj vendimeve të gjykatës së apelit apo gjykatës së shkallës së parë, të cilat kishin marrë formë të prerë.[1] Kishte dy mjete ankimi të jashtëzakonshme:

  • Kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë[2];
  • Kërkesa për rishikim[3].

Kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë ishte ankim i jashtëzakonshëm ligji dhe legjitimiteti i ushtrimit të këtij mjeti ishte i Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Afati i ushtrimit të këtij mjeti ishte 3 vjet nga momenti i marrjes së vendimit gjyqësor objekt ankimi formë të prerë. Gjykata e Lartë gjykonte dhe njoftonte si gjykatë me juridiksion rishikues dhe jo me juridiksion fillestar (neni 337 dhe 339). Për rishikimin e vendimeve përfundimtare Gjykata e Lartë gjykonte sipas ritit plenar ndërsa për vendimet jopërfundimtare sipas ritit kameral. Në rastet kur kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë ushtrohej ndaj vendimeve të kolegjeve të Gjykatës së Lartë, ajo shqyrtohej në Pleniumin e Gjykatës së Lartë, ku merrnin pjesë të gjithë gjyqtarët e gjykatës. Gjykata e Lartë vendoste çfarëdo disponimi të mundshëm gjyqësor në dispozitiv.

Kërkesa për rishikim ishte ankim i jashtëzakonshëm fakti dhe legjitimiteti i ushtrimit të këtij mjeti ishte në disponibilitetin e prokurorit apo të të gjykuarit. Ajo ushtrohej kur:

  • Vërtetohej falsifikimi i provave mbi të cilat është mbështetur vendimi;
  • Vërtetohej se gjyqtarët, prokurori dhe organet e hetimit, që kanë marrë pjesë në hetim apo gjykim, kanë kryer krime në lidhje me atë çështje;
  • Kishte rrethana të tjera, që së bashku apo vetëm me ato të vërtetuara më parë, tregojnë fajësinë e të dënuarit ose pjesëmarrjen e tij në një krim më të rëndë ose më të lehtë nga ai për të cilin është dënuar ose tregojnë fajësinë e të pandehurit të deklaruar të pafajshëm.

Përveç për krimet kundër shtetit, vendimet e pafajësisë mundet të rishikoheshin brenda 1 viti nga momenti i marrjes dijeni mbi rrethanat e reja, por jo më vonë se 5 vjet nga marrja formë të prerë të vendimit. Kërkesa për rishikim gjykohej në kolegjin përkatës të Gjykatës së Lartë, sipas rregullave të gjykimit të kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë. Gjykata e Lartë vendoste lënien në fuqi; prishjen e vendimit dhe dërgimin për hetim të ri apo për rigjykim; prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes. Më tej në rigjykim gjykohej sipas rregullave të zakonshme të gjykimit.

[1] Sipas nenit 329 të Kodit të Procedurës Penale 1953 vendimet e gjykatës së shkallës së dytë ishin të formës së prerë. Gjykimi sipas këtij Kodi ishte dy shkallësh.

[2] Shih nenet 336 – 340 të Kodit të Procedurës Penale 1953.

[3] Shih nenet 341 – 347 të Kodit të Procedurës Penale 1953. /Gazeta Liberale

Tags: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back