Aktualitet

44 mln USD, Qeveria humb sërish në Arbitrazh

Shkruar nga Liberale
44 mln USD, Qeveria humb sërish në Arbitrazh

Një tjetër  vendim i gjykatave ndërkombëtare penalizon Shqipërinë. Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë në Paris urdhëron qeverinë  të paguajë $44 milionë kosto të papaguara ndërtuesit të Autostradës Tiranë-Elbasan

Një tjetër  vendim i gjykatave ndërkombëtare penalizon Shqipërinë për faj të qeverisë e cila prish apo shkel kastile kontratat. Pasi humbi gjyqin në Arbitrazh me Francesko Beketin për mbylljen e televizionit “AGON”  pagesa ishte 110 milionë dollarë, të cilat do paguhen nga shteti shqiptar, ose më saktë nga taksapaguesit.

Shqipëria duhet t’i paguajë konsorciumit ndërtues të autostradës Tiranë-Elbasan mbi $44 milionë në fatura të papaguara dhe taksa plus gati $1 milionë për shpenzime gjyqësore.

Vendimi është marrë javën e kaluar nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë në Paris dhe është bërë publik nga portali Dosja.

Autostrada Tiranë-Elbasan filloi të ndërtohej në fund të vitit 2012, financuar me një kredi prej $220 milionë nga Banka Islamike për Zhvillim.

Ndërtuesi ishte një konsorcium greko-kuvajtian i përbërë nga Copri Construction Enterprises Ë.L.L. i Kuvajtit dhe Aktor S.P.A. i Greqisë.

Mosmarrëveshje mes konsorciumit ndërtues dhe Autoritetit Rrugor të Shqipërisë lindi në vitin 2015, kur ndërtuesi paraqiti dy kërkesa për pagesë kostosh shtesë të punimeve dhe shtyrje të afatit të punimeve respektivisht për Segmentin III (Tiranë deri në hyrjen e tunelit) dhe Segmentin I (nga dalje e tuneit deri ne Elbasan) të autostradës.

Kostot shtesë të kërkuara nga ndërtuesi ishin rreth rreth $31,2 milionë për Segmentin I dhe rreth $14 milionë për Segmentin III.

Sipas kontratës, këto kërkesa u vlerësuan nga inxhinjeri i pavaruar i projektit—kompania libaneze Spectrum Engineering Consultants S.A.R.L., Inxhinjeri pasi bërë vlerësimit, i gjeti, në korrik 2017, të drejta kërkesat, por i vlerësoi kostot e punimeve të kryera më pak se sa ndërtuesi, respektivisht $25,2 milionë dhe rreth $11,7 milionë.

Qeveria shqiptare nuk ra dakord me vlerësimin e inxhinierit të pavarur duke pretenduar kosto më të ulët, por edhe ndërtuesi nuk ra dakord me vlerësimin duke këmbëngulur në koston e paraqitur prej tij.

Për pasojë, palët duhet t’i nënshtroheshin procesit të zgjidhjes së mosmarrëveshjes.

Për shkak se një organizëm i parashikuar në kontratë për zgjidhjen miqësore të mosmarrëveshje, Bordi për Shqyrtimin e Mosmarrëveshjeve, nuk ishte krijuar palët ranë dakord që të krijohej për çdo rast mosmarrëveshjes një bord i posaçëm i quajtur Bordi për Shqyrtimin Miqësor të Mosmarrëveshjeve.

Ky bord duhet të përbëhet nga tre anëtarë, nga një përfaqësues i secilës palë dhe një kryetari i zgjedhur me konsensus nga dy përfaqësuesit.

Për të mundësuar këtë zgjidhje të rënë dakord mes palëve, desh të bëhej amendimi i kontratës fillestare në dakortësi mes palëve. Amendimi u nënshkrua në korrik 2017 nga përfaqësuesit e konsorciumit Copri+Aktor dhe Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Dashamir Xhika.

Për dy kërkesat e padakordësuara për kompensim u krijua një bordi i posaçëm i cili i shqyrtoi mosmarrëveshjet, në shtator dhe tetor 2017. Bordi e gjeti të drejtë vlerësimin e inxhinierit duke konfirmuar vlerën e kostove të papaguara nga qeveria për ndërtuesin për secilin segment rrugor.

Sipas amendimit të kontratës, nëse asnjëra palë nuk e kundërshton vendimin e bordit brenda një afati të caktuar ai bëhet i detyrueshëm.

Autoriteti rrugor nuk e kundërshtoi vendimin brenda afatit dhe për rrjedhojë ai u bë i detyrueshëm për në dhjetor 2017 për t’ju paguar ndërtuesit nga autoriteti rrugor.

Autoriteti refuzoi ta bëntë pagesë, çfarë e detyroi ndërtuesin t’i drejtohej Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris.

Përveç pagesës së detyrimit për koston e punimeve, ndërtuesi kërkoi gjithashtu pagesën e TVSH-së mbi këto punime.

Nga ana e saj qeveria e kundërshtoi padinë e ndërtuesit me disa argumenta teknike duke pretenduar tre gjëra:

— Ndryshimet e bëra në kontratë për krijimin e bordit miqësor ishin bërë në mënyrë jo të rregullt ligjore dhe në shkelje të vetë kontratës, prandaj ato janë të pavlefshme dhe për rrjedhojë edhe vendimet e bordit janë të pavlefshme.

— Duke qenë se ndërtuesi është regjistruar si një shoqëri e përbashkët në Tiranë dhe ndryshimet në kontratë janë ndryshime administrative, vlefshmëria e këtyre ndryshimeve është juridiksion i sistemit gjyqësor administrativ shqiptar dhe jo arbitrazhit ndërkombëtar.

— Qeveria gjithashtu kundërshtoi pagesën e TVSH-së me arsyetim se punimet e financuara nga kredi janë të përjashtuara nga TVSH.

Gjykata e arbitrazhit përveç pretendimeve argumentave të palëve shqyrtoi velrësimet me shkrim dhe dëgjoi dy ekspertë të pajtuar nga secila palë:  teknik dhe dëgjoi ekspertin e zgjedhur nga pala paditëse Fato Lazimi për paditësin Copri+Vektor dhe Joana Qeleshi për qeverinë.

Pas shqyrtimit të çështjes, gjykata e arbitrazhit vendosi të pranojë pretendimin e ndërtuesit duke e urdhëruar qeverinë të paguajë:

—Koston shtesë të papaguar ndaj ndërtuesi në vlerën e caktuar nga inxhinjeri supervisor i pavarur prej afërsisht $36,9 milionë—respektivisht $25,2 milionë dhe $11,7 milionë për Segmentin I dhe Segmentin III.

— Pagesën e TVSH-së mbi koston e mësipërme afërsisht në vlerën $7,4 milionë.

— Koston e shpenzimeve të arbitrazhit në shumën afërsisht $593 mijë.

— Koston e shpenzimeve të paditësit, palës fituese, në shumën $162 mijë.

Në total, qeveria duhet të paguajë rreth $45,1 milionë—$44,3 milonë kosto të papaguara plus TVSH dhe rreth $761 mijë shpenzimet e procesit.

Kostos totale duhet t’i shtohen edhe qindra mijëra euro të tjera kosto të shtetit shqiptar për mbrojtjen në arbitrazhin ndërkombëtar.

PD akuza qeverisë: Qytetarët do paguajnë gjobën prej 44 mln €!

Partia Demokratike përmes deklaratës së ish-deputetit Gent Strazimiri tha se qytetarët shqiptarë do të detyrohen të paguajnë 44 milionë euro, gjobën që Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar ka dënuar shtetin shqiptar pas padisë së kompanisë greke "Aktor".

Sipas PD-së kompania greke "Aktor", kishte fituar tenderin për të kryer punimet në rrugën Tiranë-Elbasan, por Edi Rama që të favorizonte kompaninë e mikut të tij dhe të Taulant Ballës "Inerte Ekspress” te Edmond Begos vuri gjoba, bëri presion dhe tentoi që të largonte kompaninë greke Aktor e cila mbasi mori nënkontraktorët e imponuar nga qeveria u largua pa marrë asnjë pagesë.

Deklarata e plotë e PD-së:

44 milion euro është fatura e re që do të paguajnë shqiptarët për Edmond Begon, mikun e Taluant Ballës dhe të Edi Ramës. Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar ka dënuar shtetin shqiptar pas padisë së kompanisë greke "Aktor", e cila kishte fituar tenderin për të kryer punimet në rrugën Tiranë-Elbasan. Kompania greke ishte kontraktuar nga  qeveria shqiptare për të bërë punimet shtesë, por Edi Rama në mënyrë që të favorizonte kompaninë e mikut të tij dhe të Taulant Ballës "Inerte Ekspress” te Begos vuri gjoba, bëri presion dhe tentoi që të largonte kompaninë Greke Aktor e cila mbasi mori nënkontraktorët e imponuar nga qeveria u largua pa marrë asnjë pagesë. Për këtë arsye Aktor iu drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar duke paditur qeverinë shqiptare.  Me 1 shtator 2020, pra vetëm 5 ditë më parë, Arbitrazhi shpalli vendimin që i jep të drejtë kompanisë greke dhe dënon Shqipërinë ta dëmshpërblejë atë me plot 44 milion euro. Pra, qeveria shqiptare, për të favorizuar kompaninë e Edmond Begos me shokë ngarkon në këtë mënyrë buxhetin e shtetit shqiptar i cili sigurohet me taksat e qytetarëve shqiptarë.

Edi Rama në 2013 mori një rrugë të përfunduar dhe shpenzoi 138 mln euro kosto shtese:

* nga 312 milion euro e parashikuar ne fillim, kostoja e rruges perfundoi në 450 milion euro.

Pa asnjë bilanc në punë publike, pa asnjë rrugë të shtruar, ne 8 vjet edhe ato investime publike që gjetën të gatshme

* ose i dhanë me koncesion

* ose i përdorën për ti vjedhur.

Në një kohë kur mijëra qytetarë jetojnë ende në çadra dhe 99 përqind e shqiptarëve vuajnë krizën e thellë ekonomike nga keqqeverisja, Edi Rama u shton një haraç të ri në kurriz.

44 milion eurot nuk i paguan as Edi Rama, as Taulant Balla dhe as Edmond Bego i cili mori miliona euro për tenderin e përfundimit të rrugës Tiranë-Elbasan.

44 milion eurot e kompanisë greke do ti paguajë një më një çdo qytetar i Shqipërisë nëpërmjet taksave që do shtohen. Kjo faturë që rëndon në xhepat e shqiptarëve dhe të ekonomisë së Shqipërisë, vjen vetëm pak muaj pas një tjetër ndëshkimi nga Arbitrazhi Ndërkombëtar.Për shkak të banditizmit të Edi Ramës dhe interesit të Rilindjes, kjo gjykatë e ndëshkoi Shqipërinë dhe shqiptarët me faturën 110 milion eurove për një dëm shkaktuar pa shkak ligjor, biznesmenit italian Francescho Bechetti, media kritike dhe bizneset e të cilit u mbyllen arbitrarisht nga qeveria e rilindjes sapo erdhi në pushtet.  Janë plot 153 milion euro për dy muaj që Shqipëria duhet tu paguajë vetëm dy kompanive si pasojë e vendimeve të Arbitrazhit Ndërkombëtar.153 milion euro të cilat do ti paguajnë shqiptarët, jo Edi Rama dhe miqtë e tij që sot ndajnë fitimet ndërsa shqiptarët vuajnë urinë.  Për shqiptarët ka vetëm një rrugë që të shpëtojnë nga mali i borxheve që po rrit çdo ditë keqqeverisja e Edi Ramës dhe banda e tij e Rilindjes. Rruga është largimi një orë e më parë i kësaj qeverie dhe hapja e një rruge për një qeverisje normale që mendon për popullin, ekonominë, jo që i zhyt ata në borxhe pa fund. Çdo orë më shumë që qëndron në pushtet, çdo herë më shumë që hyn në zyrën e Kryeministrit, Edi Rama plaçkit, tashmë, edhe mjerimin e shqiptarëve. Të nderuar qytetarë! Na kushton të gjithëve më lirë ta shporrim sa më parë e t'i heqim nga duart e felliqura, një pushtet që s'e ka marrë me votë!

Balla: Rruga Tiranë-Elbasan përmban kontrata të realizuara nga “Berisha”

Pas deklaratës së PD-së për vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar, ka reaguar sekretari i Përgjithshëm i PS-së Taulant Balla, i cili tha se rruga Tiranë-Elbasan përmban kontrata të realizuara nga ish-kryeministri  Sali Berisha. Ai thekson se me PD-në duhet ndjekur rruga e gjykatës dhe se pret me kënaqësi që të përballet me ta.

"Portali i djalit të Saliut dhe partia e Lulit të Saliut duhet të kuptojë që arbitrazhi për rrugën Tiranë-Elbasan përmban kontrata të realizuara nga Saliu, ish-Ministri i Transporteve i asaj kohe si dhe shtesa kontratash të kërkuara nga Saliu me gojë. Kështu ishin të gjitha rrugët e lëna e rrugëve. Sa për mua personalisht unë e di rrugën që duhet ndjekur me sojin e tyre. Quhet Rruga e Gjykatës dhe në stacionin e radhës pres me kënaqësi të përballem edhe me portalin e djalit të Saliut edhe me partinë e Lulit të Saliut. Të jetë drejtësia atje ku do dalë në shesh përsheshi i radhës", shkruan Balla./Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH