Aktualitet

4.2% rritja ekonomike për këtë vit, atëherë pse duhet Amnistia Fiskale?

Shkruar nga Liberale
4.2% rritja ekonomike për këtë vit, atëherë pse duhet

Aranit Muraçi

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko,  dhe përfaqësuesja e Misionit të FMN, Yan Sun,  dolën  në një konferencë të përbashkët për mediat, pas diskutimeve 2 javore në kuadrin e Artikullit të Katërt të marrëveshjes së vendeve anëtare të FMN, mbi situatën  makroekonomike dhe financiare të vendit.

Ka një kontradiktë mes këmbënguljes së qeverisë për të miratuar Amnistisë Fiskale dhe skepticizmit të Perëndimit e FMN-së, për të refuzuar atë. Amnistia Fiskale tregon se ekonomisë sonë i duhet të legjitimojë paratë që mbahen jashtë sistemit, ndaj edhe është perceptuar një e tillë, si shpëtim. Greqia e përdori Amnistinë Fiskale në vitin 2014, për t’i dhënë zhvillim ekonomisë së saj pas krizës ekonomike që përjetoi vendi fqinj disa vite më parë. Nga ana tjetër, rritja ekonomike dhe inflacioni i ulët që deklaron qeveria gjatë muajve të krizës, përputhen vetëm me të dhënat zyrtare, të pamjaftueshme dhe as të besueshme për të qenë optimist, për një të ardhme më të mirë.

Ministrja Delina Ibrahimaj deklaroi se, rritja ekonomike për gjysmën e parë të vitit 2022 ishte relativisht e fortë në 4.2%, e gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi dhe investimet, si dhe kërkesa e huaj neto. Nga pikëpamja e ofertës agregate, rritja gjatë gjysmës së parë, sipas saj, ka qenë me bazë të gjerë, ku pothuajse të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë kanë performuar me rritje pozitive.

Papunësia gjatë gjysmës së parë të vitit, sipas saj, u ul më tej në 11.1%, ndërkohë që punësimi u rrit me 4.3% në krahasim me vitin e kaluar, ndërkohë që vendet e BE-së kanë nevojë edhe për fuqi punëtore të kualifikuar nga vendet e tjera. Për sa i përket rritjes ekonomike të pritshme për të gjithë vitin 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka parashikuar të rrisë për lart projeksionin në 3.7%, nga 3.2% që parashikohej në fillim të luftës. Gjithashtu Ministrja u shpreh se  inflacioni në ekonominë tonë, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, apo me mesataren e BE-së, ka qenë dukshëm më i ulët (rreth 7.5).

Sa i përket parashikimit për zhvillimin ekonomik, përfaqësuesja e FMN, Yan Sun, tha se pas një rritje të lartë në vitin 2021, ekonomia shqiptare ka mbajtur një ritëm pozitiv këtë vit, pavarësisht goditjes që ekonomia globale ka marrë nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Por ajo shprehu kundërshti për Amnistinë Fiskale, duke rekomanduar që të fuqizohet kontrolli tatimor, pasi në të kundërt, në të ardhmen do të inkurajohet evazioni dhe paligjshmëria.

Deri më tani, buxheti vijon të operojë me një suficit të përgjithshëm fiskal dhe stoku i likuiditetit, sipas ministrisë së Financave, por ky nuk është një lajm i mirë për ekonominë dhe veçanërisht për konsumin, ndonëse për qeverinë të ardhurat shtesë janë konsideruar të  bollshme dhe të mjaftueshme për të vijuar ekzekutimin normal të buxhetit të këtij viti, si dhe në vijim të vitit të ardhshëm. Rritja e çmimeve dhe të ardhurat kryesisht nga TVSH, ndonëse rëndojnë xhepat e qytetarëve, po japin një ndikim pozitiv në arkën e shtetit, për të menaxhuar përballimin e krizës.

Ministria e Financave dhe e Ekonomisë, tha se nga të ardhurat e gjeneruara pret me shumë gjasa që borxhi publik të jetë nën nivelin prej 70% të GDP-së deri në fund të këtij viti nga 73.2% që ishte në fund të vitit 2021, duke vazhduar kështu qartësisht trajektoren rënëse të filluar që nga viti i kaluar.

Pavarësisht qëndrimeve, ekonomia shqiptare vazhdon të vuajë mungesën e një model zhvillimi. Nuk ka ende një sektor ku të jetë i fokusuar zhvillimi ekonomik. Veç remitancave, turizmi ishte sektori që ruajti këtë vit disi ekuilibrat ekonomikë, duke shpëtuar ekonominë tonë, nga ndonjë “goditje” fatale.  /Liberale.al/ 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH