Aktualitet

35 milionë euro subvencionet në bujqësi / 62 mijë aplikime, shumica përfitojnë naftë

Shkruar nga Liberale
35 milionë euro subvencionet në bujqësi / 62 mijë aplikime,

Edhe pse është sektori kryesor prodhues në vend, 35 milionë euro fonde të buxhetuara për skemat e mbështetjes në bujqësi janë ezauruar që në gjysmën e parë të vitit, një shifër kjo modeste për ekonominë e një vendi që kërkon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.

Interesi nga fermerët ka qenë i lartë me 62 mijë aplikime dhe janë përzgjedhur 31 mijë fermerë. Por mbi 26 mijë janë konsideruar përfitues vetëm për faktin kanë marrë përfituar nga skema e naftës.

“Ka pasur një interes të lartë, 62 mijë aplikime. Tashmë problemi i vetëm janë fondet e pamjaftueshme, dhe duhet thënë që këtë vit vlera e fondit ka qenë më e larta e dhënë ndonjëherë, 35 milion euro”, u shpreh Eranda Selmanaj, drejtore e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, për Euroneës Albania.

Kërkesa më e lartë është të skema e naftës pa taksa. 26 mijë kanë përfituar nga 49 mijë që kanë aplikuar. Agjencia ka bërë kërkesë për shtesë fondi, në mënyrë që të shpërndahet nafta e subvencionuar për të gjithë fermerët.

“Te skema e naftës pa taksa ka qenë interesi më i madh. Kemi miratuar dhënien e kartave të karburantit për 26 mijë fermerë dhe pjesa tjetër e aplikimeve nuk është miratuar sepse është ezauruar fondi. Tashmë presim përgjigje për shtesë fondi sepse kemi bërë kërkesë”, tha ajo.

Në total fermerët kanë aplikuar për 13 fusha, ku përveç sektorit të blegtorisë, agroturizmit dhe serrave këtë vit janë shtuar skemat për lëndët e para në bujqësi dhe produktet bio.

“Të gjithë ata që janë kualifikuar për të përfituar nga skemat do të njoftohen dhe do të derdhet pagesa në numrin e llogarisë që kanë lënë”, u shpreh ajo më tej.

Pas miratimit të fondeve shtesë Agjencia do të rihapë thirrjet për skemat që do të mbështeten. Aplikimet janë me bazën e vetëdeklarimit dhe fermerët mund të aplikojnë online pa pasur nevojë të dorëzojnë dokumentacion shtesë. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH